“Komunistët më nxorën nga dera, hyra nga dritarja”, aktori simbol i vuajtjes, qytetarisë e humorit…

Komunistët më nxorën prej deret, e unë ju hina prapë prej dritares… Një shkrim biografik për Gjosho Vasinë nga Pjetër Logoreci.

Edhe pse kaloj shumë kohë nga kontakti me familjen e Gjosho Vasisë, për të marrë informacione mbi jetën dhe aktivitetin e tij, për të shkruar këto rreshta biografike, u desht që të „mendohem mirë“.

Personazhi im, burri i shumë talenteve, Gjosho Vasia, përveç madhështisë shpirtërore dhe njerëzore, ishte një Titan i humorit të kulturuar shkodran, por edhe atij të zgjedhur shqiptar.

Vasia ishte një figurë përfaqësuese e shtresave qytetare e atdhetare që u përndoqën, përfaqësues i lobbyt të humoristëve të talentuar që dolën nga „jeta“.

Siç do lexojmë më poshtë, diktatura komuniste, nuk e deshti këtë njeri të madh, me vizion dhe u mundua të ja cungojë gjymtyrët që në rini. Megjithatë, Gjosho-ja, shpesh “luante me zjarrin”, duke ironizuar linjën e kuqe të partisë apo imituar personazhet qesharake të makinerisë së diktaturës.

…me gjithë përndjekjen, arrita të bëj diçka, të jem dikush, e madje arrita të njihem prej të gjithë shqiptarve…. Komunistët njëmije herë më nxorën prej dere, por unë njëmijë herë u futa prej dritares…, ka shkruar humoristi shkodran Gjosho Vasia në kujtimet e jetës së tij.

Gjosho Vasia lindi, në qytetin e Shkodrës më 28 tetor 1931, në një familje me tradita të larta atdhetarie e qytetarie. Babai Jaku dhe nëna Angje, patën tre femijë, ndër to dy djem dhe një vajzë.

Rruga Vasiej, ku lindi dhe u rrit artisti, kish marrë emrin e familjes së tij, shtëpia e së cilës ishte nder të parat të ndërtuara në rrugicën pranë katedrales së Shkodres. Krejt lagjja Serreq, pjesë e së cilës ishte dhe rruga Vasiej, ishte qendra e familjeve qytetare, të cilat i përcollen vlera të papërsëritëshme kulturës shkodrane.

Pasi mbaroj mësimet fillore dhe të mesme në shkollën e jezuiteve në Shkoder, në shtator të vitit 1949, duke parë nevojat e kohës për mësues, punësohet si arsimtar në zonat e thella të Mirditës.

Ndërkohë, një ngjarje e padëshiruar ndodhi në Shkodër, ku disa të rinj antikomunist protestuan ndaj veprimeve të policisë sekrete. Sigurimi filloj raprezaljet duke vrarë disa prej tyre. Shumë u burgosën, të tjerët arritën të arratiseshin e ndër to edhe i vëllau i Gjoshos, Lec Vasia.

Pas tre muajsh pune, ndër ditët që priste inspektorin nga seksioni i arsimit, me 23 nëntor 1949, në derën e klasës së mesuesit Gjosho Vasia, trokasin dy policë të cilët “Në emër të Popullit”e arrestojnë atë. Ashtu i lidhur me hekura, mbi një kamion të ngarkuar me gurë, dërgohet në internim në kampin famëkeq të shfarosjes në Tepelenë, ku fillon kalvari pesë vjecar i mundimeve, i atij që kish lindur artist.

…Tepelena më priti me “krahë-hapët”, kujton Gjosho Vasia. Tremijë të mjerë në atë kamp përqendrimi, tremijë skelete të dhimbshëm që nxirrnin vaj e ofshama, krizma nofullash e hekurash, ….ndër to fëmijë të stërkeqtë që nuk njohën qumështin e nënës…, u bënë miqtë e mi. …Oh!

Tela të hekurta, “burrni” komuniste, poshtërsi që të lindi e të rriti injoranca e kuqe, ti …mur rrethues i këtij kampi shfarosës, rrasë e këtij v orri të pamëshirshëm, perde e zezë e thurur në tezgjahun e djallit, kulshedër me jargë sllavizmi, gjarpër që helmon pafajsinë, …..qofsh mallkue përsa të jetojë padrejtëia në botë….

Por jo vetëm lotë, mundime dhe vdekje në kampin fatkeq të shfarosjes. Aty, Gjosho mundohej që me sharmin e humorin e tij të lindur, tu jepte ngjyra jetës së përditëshme të banorëve.

Shpesh, spijunë, informatorë, policë, kapterrë apo personazhe të ndryshëm, bëheshin “frymëzim” i lojrave e humorit të tij. Aty edhe pse në mes vua jtje sh dhe i rrethuar me tela me gjëmba, ai arriti të gjejë dhe “gjysmën tjetër” të tijën, dashurinë e vërtetë, shoqen e jetës Berinën.

Berina, një vajzë fisnike që komunizmi ja mbylli rininë në kampin e Tepelenës, vinte nga familja tiranase me tradita e Kaceleve.

Ajo rritej jetime, pasi babai i saj, tregtari Jonuz Osman Kaceli, u asgjësua në vitin 1951 së bashku me një grup intelektualesh të pafajshëm me akuzën e vendosjes së bombës në ambasadën sovjetike. Sipas familjarëve, nuk u vërtetua kurrë nëse Jonuzi u pushkatua, vdiq ndër tortura, u varros i gjallë, apo e hodhën nga dritarja e bur gut.

Le të ndjekim përsëri linjën e zhvillimeve të jetës së personazhit tonë Gjosho Vasia, i cili pas 5 vitesh të egra, lirohet nga internimi dhe kthehet në Shkoder. Fillon pa shpresë të kërkojë punë, pasi nga statusi i tij “i internuar” i mbylleshin të gjitha dyert.

Për arsye që të mos “kujtoheshin” për internimin, ai detyrohet të deklarojë se kishte qënë ushtar dhe arrin të fillojë punë në Ndërmarjen e Pasurive të Shtetit si ndihmës bojaxhi, ku lyente me gelqere muret e rrugicave të Shkodrës.

Gjatë kësaj kohe, Gjosho mëson autodikakt instrumentin e kitarrës dhe fillon të jetë pjesë e ndonjë evenimenti kulturor në qytet. Paraqitet për të parën herë në një skenë të improvizuar amatorësh në qëndër të qytetit, natyrisht i panjohur, me kupletin Plak me Marak të autorit të famshëm Pjeter Gjini.

Të mahnitur nga zëri i tij, Gjoshon, fillojnë ta ftojnë në mbremjet e argëtimit që organizoheshin nga rinia në ndërmarrjet e ndryshme. Suksesi dhe fama e tij në qytet, u bë shkak që ai të humbasë punën si bojaxhi, pasi e njohën dhe e paditën si i internuar e si “element armik”.

Pas një periudhe të vështirë, në vitin 1957, i propozojnë që të punojë në fermën Perlat Rexhepi në repartin e riparimit të arkave, por me kusht që të drejtojë dhe grupin amator të fermës. Atë vit, Gjosho i përvishet punës me pasion për të krijuar dhe drejtuar grupin artistik të ndërmarrjes dhe paraqitet me sukses në festivalin e estradave, ku arrinë të fitojë cmimin e parë, të cilin e fiton edhe në vitin 1958-tën për të dytin vit radhazi.

Në vjeshtën e vitit 1958, artitsti ynë Gjosho Vasia, thirret ushtar dhe dërgohet në një repart pune në fshatin Bubullimë të Lushnjës. Në repart, ai krijon një grup artistik duke aktivizuar dhe civile nga zonat për rreth e ndër to edhe këngëtaren e re Vace Zela. Në këtë periudhë, përvec se drejtues grupi, atij i duhet të shkruaj tekstet, të aktrojë dhe të shoqërojë me kitarrë këngët e repertorit.

Pas viteve 1960, ai ishte shumë aktiv në skenë dhe arrin të bëhët një humorist i njohur dhe mjaft popullor. Bëhet mjeshtër i interpretimit të skeceve humoristike, i parodisë, prezantues i pashoq, por fillon të njihet dhe si bejtexhi duke i dhënë dasmave dhe festave familjare një kënaqësi të papërshkruar. Sic pohon ai vetë: ….vargun popullor shkodran (Bejten) pata fatin ta dëgjoj qysh fëmijë nga gaztori i madh Zef Hile Gega. Vargu tetërrokësh, AB- AB ose rrima, u përdor shumë në Shkoder prej Osos së Falltores, Hilës së Files, Kasem Xhurrit, Tuk Vasisë e mikut tim Pjeter Gjinit….

Njihen duelet në bejtë të Gjoshos me talente të tjerë të humorit si Pjeter Gjinin, Mergim Muhjen, Muharrem Nurjen, Gjok Vatën, Njazi Burginë, Mark Kaftallin e me kushrinjtë e tij Simon e Kolec Pepa.

Duke shfletuar shënimet e Gjoshos, lexoj që në vitin 1962, punësohet si punëtor, në Fabrikën e Cingareve të Shkodres, ku i kërkohet të krijojë grupin artistik, i cili u bë shumë i njohur për humorin dhe lojën e mrekullueshme të aktorve. Aktorët Gjosho Vasia, Muharrem Nurja dhe Gëzim Kruja, që ishin themeli i grupit, si dhe këngëtarët Fatmira Puka, Gjokë Vata, Tonin Tërshana, njiheshin në të gjithë republikën.

Në vitin 1967, Gjosho-ja krijon grupin shumë të njohur të Hidrocentralit të Vau Dejës me të cilin del në turne në të gjithë republiken. Bashkëpunon me aktorin brilant Zef Deda duke u bërë dyshja me simpatike e skenave të humorit shqiptar.

Një vit më vonë, në 1968-tën, Gjosho dhe grupi i tij i hidrocentralit nderohet me Flamurin e Festivalit të Estradave të Ndërmarrjeve si dhe merr Medaljen e Artë në takimin e estradave profesioniste në Tiranë. Gjatë kësaj kohe, Gjosho Vasia, arrin të shpalosë të gjithë talentin e tij të shumëanshëm. Ai ishte autor, rregjisor, poet, kompozitor, parodist, prezantues, imitues.

Ai lot në kitarrë, por edhe imiton me goje vegla të ndryshme muzikore si dhe zëra përsonazhesh të ndryshëm. Në një aktivitet të dendur artistik, humoristi Gjosho Vasia dallohet për ironinë dhe realizimin me mjeshtri të figurave “problematike” për shoqërinë e kohës. Ai sjell në skenë, me një interpretimi brilant, një galerie rolesh si :… të kopracit, dembelit, hajdutit, matrapazit, rrencakut, burokratit, mendjemadhit, punëtorit pararoje, fshatarit medioker…

Po ashtu është shumë aktiv së bashku me humoristin Zef Deda në TVSH, në programet e ndryshme, që nga ai i fëmijëve deri në formatet e mëdha të vitit të ri që organizonte radiotelevizioni. Në vitet 1970 – 74, kur arti dhe kultura pat një “fllad” të lehtë modernizimi dhe demokratizimi, Gjoshon e pranojnë si aktor profesionist në Estradën e Shkodres. Kjo ëndërr nuk i

zgjatë shumë, pasi fillon fushata e “ashpërsimit të luftës së klasave” me pleniumet e radhës. Ai e kupton që duhet të largohet nga ky institucion që ishte nën kontrollin e rreptë të partisë dhe jep dorëheqjen, ….“që ma pranuan me gjithë qejf”, tregonte ai.

Aktori Gjosho Vasia, me personalitetin e talentin e tij të pashoq, u ndi mirë gjatë interpretimeve në skenën profesioniste, por duhet përmendë që përjetoj edhe momente të vështira nën trusninë e disa “kolegëve me parti” të cilët e sulmonin për “hijet në biografi”. Pat ndonjë aktor të “famshëm” të estradës, që për xhelozi profesionale apo servilizëm partiak të devotshëm, kërkonte viktimën te Gjosho Vasia.

…Une kam dy Gjosho mbrenda meje, i shprehej aktori miqve të afërt, …Gjoshon që flet, qesh e këndon, hin e del nëpër skena…e Gjoshon që hap gojën vesh më vesh, por ka zemrën që i kjan me lot gjakut… Pas statusit të “profesionistit” në teatër, ai fillon punën në Uzinën e Telave në Shkoder me statusin e përditshëm “të punëtorit”. Në të vertetë, në organike figuronte si punëtor, por krijoj dhe drejtoj grupin artistik nga ku sfidoj me profesionalizëm shumë artistë të mëdhej të skenës.

Ai arrinë të zërë vendin e tij të respektuar në plejaden e humoristëve më të permendur shqiptar, si dhe të fitojë respektin dhe miqësine e tyre. Aktorët të cilët e njohën atë nga afër si P. Preka, S. Sallaku, Z. Deda, F. Hasa, A. Prodani….etj. janë shprehur me superlativa për Gjosho Vasinë njeri dhe aktor.

Ndërsa në lagjen e tij, Gjoshon e mbajnë mend për kanconetat italiane që këndonte sidomos kur mblidhte miqtë për të pjekur rakinë. Komshitë cuditeshin me aftesitë e Gjoshos për të bërë të gjitha zanatet. Në rindërtimin e shtëpisë së tij, falë një fiziku prej sportisti, ai bëri hamallin, muratorin, karpentierin, marangozin, bojaxhinë e mekanikun.

Gjosho njihet edhe si kompozitor i disa këngëve të muzikës së lehtë e për fëmijë të cilat shpesh i këndonte në mes miqve e shokëve. Ai është autori i këngës se njohur “Unë dhe Kombinoshet”, të cilën pasi nuk ja pranuan në festivalin e fëmijëve në Shkoder, fitoj cmimin e parë në festivalin kombëtar të pionierve në Tiranë.

Por Gjosho ishte dhe sportist i mirë. Ai garoj disa herë në garat e atletikës ne disiplinen “kërcim së larti”, duke pasë rezultate të shkëlqyeshme e duke marrë vendet e para. Në kampionatin rinor kombëtar të atletikës në vitin 1949, shpallet i dyti në kërcim së larti si dhe në Spartakiaden e parë Kombëtare të vitit 1959 në Tiranë, ai shpallet kampion i kërcimit së larti. Falë këmbënguljes së B. Dizdarit e F. Bilalit, ai ishte aktiv edhe me ekipin e Vllaznisë, ku stervitej tre herë në javë në stadium dhe njihej si kampion lokal i kërcimit së larti.

Në vitin 1990, kur filluan levizjevet për demokraci, Gjosho Vasia kërcënohet me burg nga një instruktor i partisë së Shkodres, pasi kishte “Llapen e Madhe” e bënte “agjitacion e propagandë”, “tallej” me partinë…. Në këto rrethana, ai vendosë gjënë më sublime, të arratiset prej atdheut.

Pasi shet cdo gjë që i perkiste trashëgimisë 300 vjecare të familjes Vasia, blen dy bileta avioni dhe fluturon për në Kanada. Por atje nuk ndjehet mirë dhe vendosë të jetojë në qytetin e Triestes deri sa vdes me 21 nëntor 2013. Më vonë, emri i tij, Gjovalin Jak Vasia u gjet ndër listat zeza të ministrisë së mbrendëshe me numrin 40, së bashku me shumë të tjerë të pregaditur për tu eleminuar në rast raprezaljesh.

Në vitet e demokracisë, në nëntor të 2008-ës, Gjosho Vasia u vlerësua nga këshilli bashkiak në Shkodër me titullin MIRËNJOHJA E QYTETIT dhe me 16.3.2010 u vlerësua nga Presidenti Republikës Bamir Topi me urdhërin MJESHTER I MADH me një motivacionin që është rezultantja e jetës së tij: TALENTIT DHE KRIJUESIT TË RRALLË TË SKENËS SË HUMORIT, QË, FALË PERSONALITETIT DHE KARAKTERIT TË FUQISHËM, JO VETËM DITI T’I REZISTOJË ME FISNIKËRI PËRNDJEKJES SË EGER TË DIKTATURES KOMUNISTE, POR ME HUMORIN E TIJ U DHA GËZIM, DRITË DHE SHPRESË NJERZVE TË THJESHTË DHE BASHKËVUAJTËSVE NË TË GJITHË VENDIN…/aktoret.com

LEXO EDHE: HISTORIA E DHIMBSHME E KEANU REEVES- I VDIQ FËMIJA, MOTRA EDHE ISH-E DASHURA…