Komunistët së pari u sajuan provat, e pastaj i pushkatuan këta janë dy poetë

Njihet si “Gjyqi i poetëve”, në të cilin dy poetët Genc Leka dhe Vilson Blloshmi u akuzuan me prova të sajuara nga sigurimi i shtetit, në të ashtuquajturën grup sabotatorësh në bujqësi.

Në përfundim të gjykimit të Gjykatës së Shkallës së Parë Librazhd, më 13.6.1977, për tetë të arrestuarit mes të cilëve edhe dy poetët kërkohet dënimi ekstrem, vdekje me pushkatim.

Dy poetët e rinj të talentuar Leka dhe Blloshmi ishin ata që do të shkonin para pushkatimit. Ata, bënë një përpjekje të fundit që të ndryshonin dënimin ekstrem, por gjithçka ishte vulosur.

Më poshtë pjesë nga vendimi i Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë:

Pasi dëgjoi relacionin e anëtarit S.Krongo, mendimin e prokurorit P.Konomi, që kërkoi lënien në fuqi të vendimit dhe pasi shqyrtoi e bisedoi në tërësi çështjen

Vëren:

Vendimi i gjykatës është i drejtë dhe si i tillë duhet të lihet në fuqi.

Nga materiali i çështjes rezulton e vërtetuar se të gjykuarit në bashkëpunim me njëri-tjetrin, për një kohë relativisht të lartë, kanë zhvilluar një veprimtari të theksuar kriminale. Ata kanë synuar minimin e ekonomisë bujqësore dhe për të dobësuar Pushtetin Popullor.

Tre të parët kanë zhvilluar propagandë kundër Pushtetit Popullor, kurse të gjykuarit e tjerë R.Çerri, R.Sula, R.Dashi në grup të organizuar me njëri-tjetrin dhe me të gjykuarit Bedri e D.Blloshmi, si dhe në bashkëpunim me A.Gocin kanë përvetësuar pasuri socialiste.

Kështu, nga të dhënat e gjykimit, të gjykuarit Genc LekaVilson BlloshmiBedri Blloshmi e R.Dashi, janë persona me prejardhje klasore e përbërje politike shumë të keqe dhe rrjedhin nga familje shumë të pasura.

Pas çlirimit kanë mbajtur qëndrim armiqësor ndaj pushtetit popullor. Kështu, i ati i të gjykuarit Genc Leka, jo vetëm që ka marrë pjesë në radhët e Ballit Kombëtar, por pas çlirimit u arratis në Jugosllavi.

Po kështu, familja e të gjykuarve të tjerë Vilson e Bedri Blloshmi ka qenë e lidhur me Ballin Kombëtar. Kështu, shtëpia e tyre pas çlirimit qe kthyer në strehë për bandat e diversantëve e të tradhtarëve.

I gjykuari D.Blloshmi, megjithëse ka origjinë të varfër, por duke pasur një vëlla të pushkatuar gjatë luftës u lidh me këta armiq. Ai mori për grua vajzën e tradhtarit B.Leka. Duke qenë edhe vetë egoist ai ra nën presionin e tyre..

Në këto kushte, kërkesat e të gjykuarve për të ndryshuar vendimin e gjykatës në lidhje me dënimet e caktuara, janë të pabaza dhe dhe refuzohen.

Për këto arsye: Këshilli Gjyqësor i Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, në bazë të pikës 1 të nenit 313 të K.Pr.P, vendosi:

Lënien në fuqi të vendimit Nr. 45, datë 13.06.1977 të gjykatës së rrethit Librazhd.

Pushkatimi i dy poetëve: Genc Leka dhe Vilson Blloshmi pasi kishin ezauruar edhe mundësinë e fundit për falje nga “Presidiumi I Pushtetit Popullor”, pushkatohen në mesnatën e 17 korrikut 1977, pranë një zone të pyllëzuar rreth 6 kilometra larg Librazhit./kujto.al

Lexo edhe: KRIMET E KOMUNIZMIT: DILA U DHUNUA DHE U DOGJ E GJALLË…