Dy duar të bashkuara për lutje, me hartën e Shqipërisë në mes e flamurin kombëtar në prapavijë, është posteri që artisti Rrezeart Galica e ka realizuar të martën në shenjë solidarizimi me viktimat e tërmetit në Shqipëri.
Vijat e zeza në flamur, që asociojnë me çarjet e tokës në raste tërmeti bashkë me mbishkrimin “Pray for Albania” (Lutuni për Shqipërinë), kompletojnë veprën. Por solidarizimi i artistëve të Kosovës pas tragjedisë që shkaktoi tërmeti i mëngjesit të së martës në Shqipëri nuk përfundon me kaq. Aktivitetet kulturore të parapara për të martën e të mërkurën janë anuluar, përderisa disa institucione kulturore kanë njoftuar se mund të ndihmojnë edhe me strehim të atyre që kanë mbetur pa shtëpi. Pos 24 viktimave – deri të martën vonë – janë rreth 600 veta që kanë kërkuar ndihmë mjekësore. Solidarizim me viktimat kanë shprehur edhe artistët nga Kosova me nam botëror.
Ansambli Kombëtar i këngëve dhe valleve “Shota” ka më shumë se një muaj që është duke e përgatitur premierën “Suitë hasjane” me koreografi të Xhemajli Berishës. Ishte planifikuar që premiera të jepej sot (e mërkurë), por është anuluar.
“Në shenjë solidarizimi me viktimat e tërmetit në Shqipëri, ansambli ‘Shota’ i pezullon aktivitetet e parapara për nder të festave të nëntorit. Me këtë nënkuptojmë anulimin e koncertit premierë… dhe pjesëmarrjen e paraparë në aktivitetin që ishte planifikuar të mbahej në Drenas më 28 nëntor, me rastin e përurimit të shtatoreve të heronjve të kombit Shaban, Adem dhe Hamëz Jashari”, shkruhet në njoftimin e “Shotës”.
Asociacioni i Artistëve Vizualë të Kosovës ishte bërë gati që të hapë ekspozitën me punimet e anëtarëve të vet të martën mbrëma, në galerinë e Fakultetit të Artit. Pak orë para se të niste ngjarja, është anuluar i gjithë aktiviteti në shenjë solidarizimi me viktimat dhe gjendjen e krijuar në Shqipëri.
Qendra Kinematografike e Kosovës u ka shprehur ngushëllime të afërmeve të atyre që kanë humbur jetën, përderisa ka ofruar edhe ndihmë për strehim.