Nga shtëpitë e tyre, Taylor Swift , Rolling Stones dhe dhjetëra artistë të tjerë, dhanë një koncert të jashtëzakonshëm , në mbështetje të mjekëve, në luftën kundër pandemisë.
Disa nga emrat më të njohur të muzikës kanë bashkuar forcat për të sjellë një koncert televiziv në nderim të punëtorëve shëndetësorë. Lady Gaga, Paul McCartney dhe Billie Eilish ishin në mesin e 100 artistëve që performuan nga shtëpitë e tyre, për shkak të izolimit nga koronavirusi.
Madje edhe The Rolling Stones ia dolën që të sjellin performancën e tyre nga katër lokacione të ndara. Eventi tetë-orësh po ashtu kishte storie të vërteta nga njerëzit në vijën e parë të frontit në luftën kundër COVID-19.
Inicuar nga këngëtarja Lady Gaga, koncerti botëror virtual “One World, Together At Home”, i mbështetur nga lëvizja Global Citizen në bashkëpunim me Organizatën Botërore të Shëndetësisë, ishte menduar të ishte një “slogan” në mbështetje të ndihmësve dhe OJQ-ve lokale.
Ajo e quajti ngjarjen “një letër dashurie për botën”. Më tej u shpreh se muzikantët pjesëmarrës deshën “t’ua kthejnë dashurinë atyre që po ua dhurojnë”.
Evenimenti, që u zhvillua në mesnatë, ishte rasti për të zbuluar performancën e yjeve nga shtëpitë e tyre, në intimitetin e salloneve të tyre, ashtu si shumë muzikantë që filluan të japin koncerte private në rrjetet sociale, që nga kuzhina apo tarraca e tyre.
Katër anëtarët e Rolling Stones performuan gjithashtu që nga dhomat e tyre të ndenjes, këngën “You can’t always get what you want”, ku videoja e secilit shfaqej në një ekran të ndarë në katër pjesë.
Charlie Watts improvizoi një bateri me objektet e përditshmërisë, ndërsa Mick Jagger dha një puthje në kamera në fund.
Taylor Swift zgjodhi një interpretim në piano të “Soon you’ll get better”.
“Ju jeni heronj … Ne do të jemi përjetësisht mirënjohës për ju, për sakrificat që keni bërë për të ruajtur shëndetin e komunitetit”, theksoi aktorja Sarah Jessica Parker, heroina e serialit “Seksi dhe qyteti” në një nga këto ndërhyrjet e shumta të realizuara nga yjet që prej shtëpive të tyre.
Në mesin e yjeve që performuan ishte edhe Rita Ora, e cila para se të fillonte me interpretimin e këngës “I will never let you down”, kërkoi nga qytetarët të ndjekin udhëzimet e OBSH-së
Rreth 35 milionë dollarë u mblodhën për të ndihmuar organizata të ndryshme të përfshira në menaxhimin e krizës shëndetësore./ ObserverKult