
Nga Blerim Valla
“Tirana — Tirona All Stars” është një grup këngëtarësh dhe instrumentistësh virtuozë, të jashtëzakonshëm, të njohur për performancat e tyre emocionale që sjellin trashëgiminë e pasur muzikore të Tiranës. Ky ansambël me pikat muzikore të tyre solli shpirtin e Tiranës dhe krejt Shqipërisë së Mesme në Gjakovë!
Ansambli “Tirana-Tirona All Stars” përfaqëson muzikën më të mirë tiranase dhe atë popullore të Shqipërisë së Mesme, me një grup artistësh
virtuoz, si veteranë ashtu edhe të rinj që mbajně gjallë këtë traditë muzikore. Duke interpretuar këngë e valle të Shqipërisë së Mesme grupi krijoi një tingull unik që magjepsi publikun me ritmin e tyre dhe energjinë dinamike.
Ky koncert me rastin e festivalit “Ditët e Nëntorit” erdhi për publikun e Gjakovës si një aheng i madh tironsë nga ansambli i krijuar para pak vitesh i përbërë nga këngëtarë e instrumentistë të njohur veteranë e të rinj, por që në Gjakovë mungonin të njohurit tashmë – të ndjerët si i madhi Rik Buneci (këngëtar) e Ilir Tafaj (këngëtar). Dhe i gjithë ansambli me një mysafirë violinistin e ri dhe të talentuar nga Gjakova Olsi Gjoshi, i ofruan publikut një koncert të paharruar me muzikën më të mirë të Shqipërisë së Mesme si nga Tirana, Elbasani e Kavajë duke i kënduar të gjitha pika muzikore së bashku me publikun gjakovar njëzëri në kor pasi këto këngë me vite janë të njohura dhe këndohen në qytetin e Gjakovës.
“Fajtore” për këtë koncert që do të mbahet gjatë në mend ishte ideatorja dhe producentja e ansamblit “Tirana- Tirona All Stars” Edit Pula.
Duhet cekur se albumi i këtij ansambli është punuar me rastin e 100-vjetorit të Tiranës. Albumi “Tirana 100” u zgjodh si Albumi më i mirë i vitit 2021 dhe nē vitin 2022 ishte fitues i Çmimit Songlines BBC World Music Awards në kategorinë BEST GROUP. Në të njëjtën listë me artistë si Dua Lipa & Adele – por në zhanrin e World Music!
Producentja e ansamblit Edit Pula, me origjinë gjakovare, shumë e emocionuar pas koncertit, pasi falenderoi organizatorët e festivalit – “Fondacionin për Gjakovën” dhe publikun e Gjakovës për mikpritjen e ngrohtë, theksoi se çmimi Best Group në botë në zhanrin e muzikës popullore për dy vite radhazi është një nder i jashtëzakonshëm për grupin, Tiranën dhe Shqipërinë pse jo edhe për Kosovën!
ObserverKult




Lexo edhe:






