Konferencë shkencore kushtuar 25-vjetorit të çlirimit të Kosovës

Akademia e Shkencave njoftoi fillimin e punimeve të konferencës shkencore kushtuar 25-vjetorit të ndërhyrjes së NATO-s dhe çlirimit të Kosovës.

Të pranishëm në konferencën që po zhvillohet në Prishtinë, ishin kryeministri Albin Kurti, kryetari i ASHAK, Mehmet Kraja, kryetari i ASHSH, Skënder Gjinushi, ish-presidentët Fatmir Sejdiu e Alfred Moisiu e personalitete të tjera.

Konferenca i kushtohet një prej ngjarjeve më të mëdha e më përcaktuese në historinë e shqiptarëve: hyrjes së forcave të NATO-s në Kosovë 25 vjet më parë si forca çlirimtare; ngjarje e cila çoi në pavarësimin e Kosovës.

Kryeministri Albin Kurti, në fjalën e tij përmendi se nga lufta në Kosovë u vranë mijëra njerëz, u shkatërruan mijëra shtëpi si dhe shumë qytetarë u bënë refugjatë, gjithashtu theksoi se përgjatë këtyre 25 viteve janë bërë përkujtime për dëshmorë, por që tash është koha që për historinë dhe trashëgiminë e Kosovës të bëhen hulumtime shkencore.

Akademik Gjinushi u shpreh se, në kuadër të këtij 25-vjetori, konferenca merr edhe vlera festimi, kremtimi e mirënjohjeje; edhe vlera historike, për të parë nga largësia e viteve vërtetësinë e zgjedhjes së shqiptarëve, të rolit e qëndrimit të tyre; të forcave e faktorëve të ndryshëm të vendit e të atyre ndërkombëtare, në këtë periudhë të vështirë e të ndërlikuar.

Ndërsa akademik Mehmet Kraja tha se, për kombin tonë çlirimi i Kosovës ishte ngjarja e dytë më me rëndësi në historinë shqiptare të shekullin XX, krahas pavarësisë së Shqipërisë.

“Askush më nuk e konteston se lufta për Kosovën bëri një ndryshim thelbësor në mënyrën e konceptimit të lirisë së popujve, demokracisë dhe vetadministrimit, parime këto që për shumë kohë u shkelën rëndë në vendimmarrjet historike, veçmas në konferencat e paqes. Pra, një ndryshim konceptual, botëkuptimor, në njohjen e së drejtës për liri të kombeve dhe jetë të dinjitetshme të të gjithë njerëzve të mbarë planetit”, deklaroi kreu i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës. /atsh

ObserverKult


Lexo edhe:

NË KOHËN TONË NUK EKZISTONIN CELULARËT, POR ISHIM TË LUMTUR…