Konfirmohet: Lini, vendbanimi më i vjetër me palafite në Evropë

Përmbyllet faza e parë e gërmimeve në sitin parahistorik të Linit nga ekipet zvicerano-shqiptare. Universiteti i Bernës dhe Instituti i Arkeologjisë kanë konfirmuar Linin si vendbanimi më i vjetër me palafite në Evropë.

Një bashkëpunim katërvjeçar midis arkeologëve zviceranë dhe atyre shqiptarë përmbylli me sukses fazën e parë 2021-2025, duke cilësuar sitin pranë Linit, në Pogradec, si vendbanimin më të vjetër me palafite në Evropë.

Ambasadorja e Zvicrës në Shqipëri, Ruth Huber, e vlerësoi përkushtimin e palës shqiptare dhe theksoi rëndësinë e këtij projekti për shkencën dhe për bashkëpunimin midis dy vendeve.

Ajo theksoi se, kjo nismë shkencore e Universitetit të Bernës, është një bashkëpunim që gjithashtu rrit kapacitetet e institucioneve shkencore shqiptare.

“Gërmimet kanë dhënë përsëri rezultate shumë të mira. Mund të konfirmojmë se ky se ky është vendbanimi më i vjetër në Evropë me materiale druri dhe organike të konservuara dhe është shumë special sepse gjetjet janë shumë premtuese”, u shpreh profesor Albert Hafner nga Universiteti i Bernës, drejtues i ekipeve.

Profesori zviceran e cilësoi zonën e Linit si një nga sitet më të mirëruajtura në Evropë dhe me vlera të jashtëzakonshme për të kuptuar fillimet e qytetërimit në kontinent.

“Kemi gjetur material të bollshëm arkeologjik qoftë nivelin qeramik, qoftë të veglave të punës, të kockave, të gurit”, u shpreh arkeologu Adrian Anastasi.

Gjatë misionit më të fundit, ekipet e arkeologëve kanë zhvilluar kërkime si gjatë bregut të Liqenit, ashtu edhe nën ujë. Disa nga gjetjet përfshijnë: hapja e llogoreve tokësore, më shumë shtylla druri të tjera të shtëpive, shtresa qeramike arkeologjike të dekoruara me impreso – një nga format më të hershme të poçarisë. Kjo provon lidhje sitit të Linit me bregdetin Adriatik, një rrethojë e re që e çon në pesë numrin e unazave rrethuese (mbrojtëse) të sitit

Gjithashtu zbulohen grumbuj të mëdhenjë pishash të cilat mendohen se janë mbetje të një apo disa shtëpive.

Për herë të pare përputhen kronologjitë e unazave të pemëve të sitit të Linit me atë të Ohrit – dendrokr.onologjia po funksionon për distanca më të gjera.

Po ashtu, konfirmohet që Lin 3 mbulon 2.000 vite të historisë së vendbanimeve dhe të paktën 10-12 faza apo fshatra të ndryshëm përgjatë hapësirës kohore 6.000 – 4.000 para Krishtit.

Zbulimet në Lin dhe Buqezë po tërheqin vëmendjen e ekspertëve ndërkombëtarë dhe institucioneve kulturore evropiane, duke e kthyer zonën në një pikë referimi për kërkimin arkeologjik dhe trashëgiminë kulturore shqiptare.

Ky projekt, përtej vlerave shkencore, përfaqëson edhe një urë bashkëpunimi ndërmjet Shqipërisë dhe Zvicrës në promovimin e pasurisë historike të rajonit.

ObserverKult


Lexo edhe:

DILEMAT E ZBULIMIT SPEKTAKOLAR NË LIN TË POGRADECIT