Prej kur është shfaqur koronavirusi në Kosovë edhe qytetin e Prizrenit e ka kapluar heshtja.
Këtij vendi janë duke i munguar zhurma e njerëzve, të qeshurat e fëmijëve, përqafimet e të dashuruarve, por edhe vizitorët të cilët ndalesë të padiskutueshme e kane Shatërvanin.
Të mos flasim për gjallërinë e këtij vendit gjatë muajve të verës, sidomos gjatë ditëve të festivalit të filmit dokumentar dhe atij të shkurtër, DokuFest.
Ndonëse deri para pak ditëve ishte në pikëpyetje organizimi i edicionit të sivjetmë, drejtoresha e festivalit, Linda Llulla, së bashku me ekipin organizativ të festivalit si dhe Komunën e Prizrenit, kanë konfirmuar se DokuFesti do të mbahet, duke bërë që sado pak ti kthehet gjallëria këtij qyteti.
Kjo do bëhet e mundur përmes shfaqjes së filmave nëpër lagje të ndryshme të Prizrenit, ku qytetarët do të mund t’i shikojnë nga ballkonet e shtëpive të tyre.
Shfaqja e këtyre filmave është pjesë e programit “DOKU N’BALLKON”, që ka për qëllim që të ngritë edhe më shumë vetëdijen e qytetarëve për kujdes të vazhdueshëm ndaj shëndetit të tyre në këtë kohë pandemie.
Përveç kësaj, Doku Fest ka vendosur të mos i dorëzohet lehtë Virusit Korona. Ky festival do të mbahet si çdo vit në muaji gusht, por duke i respektuar disa rregulla bazë.
Aplikimi është mbyllur para një muaji dhe sipas drejtoreshës së festivalit, interesimi ka qenë mjaftë i madh, ndërsa përgatitjet kanë filluar që nga janari.
Por, Doku Fest ka edhe një plan të dytë në rast se ka një kthim të virusit para datave të festivalit.
Festivali Doku Fest nis me 7 dhe zgjatë deri më 15 gusht.