Koreja e Veriut dhe diktatorët pushtojnë Bibliotekën Kombëtare në Prishtinë

Është një pamje që për një çast duket surreale dhe e pabesueshme. Portretet e Kim Jong-un dhe Kim Il-Sung qëndrojnë në një radhë me portretet e Jeronim de Radës dhe Naim Frashërit në bibliotekën kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”.

Dhe jo vetëm kaq: dy portrete gjigande të krerëve koreanoveriorë përthekojnë me shikimet e tyre krejt hapësirën e rrumbullakët të bibliotekës. “Një lider i madh e bën një popull të madh”, është një nga thëniet “monumentale” të liderit suprem, shkruan sot “Koha Ditore”.

Në katin e dytë në të dyja anët e Bibliotekës vijojnë fotografi e piktura nga Koreja e Veriut. Disa prej tyre sikur ngjajnë të njohura me audiencën vendore. Është aso stili i pikturës së Revolucionit kinez që paraqet njerëz me proporcione të bëshme e muskulore, të tilla çfarë pati pafund edhe në Shqipërinë komuniste.

Gra me uniforma ushtarake, parada me uniformitet të pabesueshëm lëvizjesh të njësuara, fëmijë me shalle të kuqe e ngjyra jete nga shteti më i izoluar në botë.

Krejt këto realitete të Koresë Veriore janë pjesë e instalacionit fotografik “Gardianët e parajsës, zemrat dhe mendjet në Korenë e Veriut” të regjisorit norvegjez, Morten Traavik, që u hap të enjten në mjediset e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës.

Image

Kjo përvojë e pazakontë ishte vetëm njëri nga projektet artistike të kompanisë kinematografike norvegjeze “Travik.info”.

Në ceremoninë e hapjes, drejtori i BKK-së, Fazli Gajraku, ka thënë se kjo ekspozitë është pjesë e bashkëpunimit me kompaninë kinematografike norvegjeze.

“Regjisori i famshëm norvegjez është pikërisht karakteri që në platformën dhe thirrjet e tij, edhe përkundër të qenit i rritur në një prej shteteve më demokratike në botë dhe me diversitet kulturor, arrin të njohë, interpretojë dhe perceptojë pa paragjykime një sistem totalitar. Ai vendos në Prishtinë njërin prej projekteve të tij më të suksesshme”, ka thënë drejtori i BKK-së.

Pas tij, ambasadori norvegjez në Kosovë, Jens Erik Grondahl, ka falënderuar Bibliotekën për bashkëpunimin e ofruar, teksa ka thënë se Traavik është një nga artistët më të famshëm.

Regjisori norvegjez ka thënë se ideja e ekspozitës është që të shpërfaqë dromca të jetës nga një vend i largët siç është Koreja./koha