Korrespondenca mes dy albanologëve: Elsie dhe Vinca, një miqësi 30-vjeçare

“Librat nga Shqipëria nuk i marr. As revistat. Tani që Biblioteka e Kosovës u pushtua nga “shteti juridik” serb (lexo: policia), nuk kam as ku t’i shoh”, nënvizonte më se tridhjetë vjet më parë, studiuesi i letërsisë, poeti dhe profesori nga Prishtina Agim Vinca, në një korrespondencë me letra me albanologun gjerman, Robert Elsie.

Jemi në janar të vitit 1991. Ka rënë Muri i Berlinit. Shqipëria është midis kaosit dhe shpresës, si rezultat i rënies së diktaturës moniste. Në Kosovë ka filluar represioni politik dhe kulturor i regjimit të Sllobodan Millosheviqit ndaj shqiptarëve.

Në këto letra të para të shkëmbyera midis tyre, që janë pjesë e miqësisë, bashkëpunimit dhe korrespondencës së gjatë, që ua sjell “ObserverKult”, Vinca dhe Elsie trajtojnë pos tjerash zhvillime të aktualitetit letrar, akademik e politik në Kosovë dhe Shqipëri.

Letërkëmbimi shpërfaq edhe parashikimin pothuajse profetik të të ndjerit Elsie nga Gjermania për lindjen e “luftës civile në krejt Jugosllavinë”, si dhe ankthin e të panjohurës së nesërme të shprehur nga Vinca prej Prishtinës.   

Letra e Elsiet është e shkruar me kompjuter, por e dërguar me postë, kurse letra e Vincës është e shkruar me makinë shkrimi, pasi te ne ende nuk kishte arritur kompjuteri dhe është dërguar po ashtu me postë në Gjermani. Më vonë, nga viti 2000 e këndej, kanë komunikuar nëpërmjet postës elektronike.

Më poshtë mund të lexoni letrat e Elsiet dhe Vincës të janarit të vitit 1991.

4 janar 1991

 I nderuari Vinca

Ka kaluar shumë kohë dhe nuk kam shkruajtur, megjithëse kam marrë kartolinën për të cilën të falemnderoj shumë. Më fal shumë për vonesë. Shpresoj që viti i ri të gjejë mirë me shëndet dhe me  punë të talentuara që bën. Për Orët e Poezisë e kam shkruar një recenzion në World Literature Today që do të del me siguri në kohën e verës 1991.

Me historinë timë të letërsisë shqiptare po vazhdoj. Jam duke shkruajtur kapitullin e gjate (mbi 100 f.) mbi letërsinë e Rilindjes.Pastaj kapitullin mbi letërsinë e kohës së pavarësisë deri 1944, po të kem kohë në këtë dimër. Unë punoj shumë në kohën e dimrit por ka në jetë gjithmonë shumë pengesa, siç di me siguri. Libri po bëhet më e më i gjatë dhe çdo ndryshim teknik shkakton shumë punë. Sa mirë që ekziston kompjuteri!

Siç duket, situata në Kosovë keqësohet akoma më shumë, po të jetë e mundur, dhe kam frikë se do të vijë një luftë civile në krejt Jugosllavinë. Kërdi e parë do të bëhet me siguri në Kosovë (Faj ka Shqiptari!). Përkundrazi zhvillimi në Shqipëri më duket shumë interesant.

Ka shumë të ngjarë që do të shkoj në Tiranë në fund e janarit për dy javë për të bërë disa hulumtime shkencore te lidhur me historinë timë të letërsisë. Datën të caktuar nuk e di akoma, sepse nuk kam marrë përgjigjën nga Akademia e Shkencave deri tani.

Po të vish këtu në Gjermani, mund të më lajmërosh patjetër. Unë banoj në malet ku mund të vish si mysafir i nderuar, vetëm një orë nga Këlni dhe Boni. Edhe në Këln e kam një dhomë ku mund të rrish me siguri, po të kesh nevojë.

Po të ke ndonjë dëshirë nga Gjermania që mund ta plotësoj unë, të lutem të më shkruash. Gjithë të mira për Vitin e Ri të uroj.

Miku yt
Robert Elsie

Prishtinë, 12 janar 1991

I nderuar Elsie,

E mora letrën tënde. Edhe copat e gazetave. Të falemnderit. Ende jam (jemi) gjallë. Po përpëlitemi, por po qëndrojmë! Kam qenë në Gjermani në tetor. Në Bonn, Kölln, Bochum, Düsseldorf… Ishte një manifestim për 80-vjetorin e lindje së Nënë Terezës. Provova të të marr në telefon. Doja të të takoja. Më dilte dikush tjetër. Kam provuar të të marr edhe nga Prishtina. Kot. Në informata nuk ma jepnin numrin tënd. Ma dërgo numrin e saktë, që ta kem për çdo eventualitet.

Po bën punë të madhe. Të lumtë! Nuk e di ç’mendojnë të tjerët, por sa më përket mua ti m’i kujton albanologët gjermanë dhe të tjerë të shekullit të kaluar. Po e obligon shumë kulturën shqiptare. Je mik yni i vërtetë. E shqiptarët miqësinë gjithmonë kanë ditur ta çmojnë dhe ta respektojnë.

            Të falemnderit për ftesën që më bën për vizitë. Tash për tash ende jam mirë. Për më vonë shohim e bëjmë… Të fala miqve tanë në Shqipëri. Librat nga Shqipëria nuk i marr. As revistat. Tani që Biblioteka e Kosovës u pushtua nga “shteti juridik” serb (lexo: policia), nuk kam as ku t’i shoh.

            Po ta dërgoj një separat frëngjisht të një punimi tim, që është pjesë nga libri “Struktura e zhvillimit të poezisë së sotme shqipe (1945-1980)”. Përkthimi është, më duket, mjaft i keq, por s’ke ç’i bën. Ne kemi shumë probeme me sigurimin e përkthyesve të mirë. Por edhe puna krijuese dhe shkencore këtu ka rënë dukshëm. E si të mos bjerë! Gjendja në Kosovë është keqësuar shumë. Tash mund të thuhet me plot gojën se ne shqiptarët në Jugosllavi jemi një popull i pushtuar, i robëruar… S’dihet ç’sjell e nesërmja!

Të fala dhe punë të mbarë në Vitin e Ri!

Miku yt, Agim Vinca

Përgatiti: ObserverKult

Lexo edhe:

AGIM VINCA: LUMTURIA ËSHTË E PAKAPSHME SI YLBERI