Kosova e Shqipëria gati për tri marrëveshjet e radhës në kulturë

Qeveria e Kosovës ka vendosur që të lidhë tri marrëveshje për fushën e kulturës me Qeverinë e Shqipërisë. Kalendari i përbashkët kulturor, një marrëveshje për bashkëprodhime filmike dhe një memorandum bashkëpunimi për veprimtarinë botuese dhe librin, janë pjesë e listës së marrëveshjeve që do të nënshkruhen në mbledhjen e dy qeverive, që është paraparë të mbahet të premten në Shkodër. Kalendari me gjithë të metat në implementim nënshkruhet çdo vit qysh prej shkurtit të 2014-s.

Propozimet për të miratuar nënshkrimet e marrëveshjeve i ka bërë ministrja e Kulturës, Vlora Dumoshi, në mbledhjen e Qeverisë të mbajtur të hënën.

Dumoshi ka thënë se qëllimi i kalendarit të përbashkët kulturor është realizimi i aktiviteteve të përbashkëta në fushat përkatëse që mbulojnë dy ministritë respektive. Sipas saj, përmes këtij kalendari institucionet e kulturës dhe trashëgimisë kulturore të të dyja shteteve do të realizojnë aktivitete të përbashkëta në të dyja vendet me qëllim të promovimit të kulturës pranë publikut të të dyja vendeve. Por qysh prej Kalendarit të parë, asnjëherë nuk janë realizuar të gjitha aktivitet e përfshira në këtë dokument. Në vazhdimësi ngjarjet e parapara të mbahen nga institucionet e Shqipërisë kanë dështuar. Arsye e përhershme ka qenë mungesa e buxhetit, transmeton ‘Koha’.

Ministrja Dumoshi ka thënë se është në dijeni të problemeve.

“Por unë jam shumë e interesuar që ngjarjet e parapara të mbahen dhe marrëveshja të realizohet”, ka thënë ajo për gazetën.

Marrëveshja për bashkëprodhime filmike, sipas asaj që ka thënë Dumoshi në Qeveri, do të sjellë bashkëpunim të ndërsjellë midis Qendrës Kinematografike të Kosovës dhe Qendrës së Filmit të Shqipërisë, dhe do të shërbejë në zhvillimin e prodhimit të filmit dhe të inkurajojë zhvillimin e mëtejshëm të lidhjeve kulturore dhe teknologjike midis dy vendeve.

“Duke pasur parasysh se bashkëprodhimi mund të jetë i dobishëm për industritë filmike të vendeve përkatëse, konsiderojmë që me nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje do të kontribuohet në rritjen ekonomike të filmit, televizionit, videove dhe mediumeve të reja të produksionit dhe industrisë së distribuimit në Kosovë dhe Shqipëri dhe duke vënë në dukje vendimin e tyre të ndërsjellë për të krijuar një kornizë unike për inkurajimin e të gjitha mediave audio-vizuele, sidomos në bashkëprodhimin e filmave”, ka thënë ajo.

Ka shtuar se me këtë marrëveshje janë të parapara edhe ndarja e çmimeve të përbashkëta në kinematografi ndërmjet dy vendeve. Nëse do të ndodhte kjo, për herë të parë do të kishte çmime kombëtare për kinematografinë.