Kosova i vetmi vend në rajon dhe Evropë që nuk ka gazetë të shtypur ditore

gazetë ditore

Kosova është i vetmi vend në rajon dhe Evropë që nuk ka gazetë të shtypur ditore. Zhvillimi i teknologjisë, vështirësitë financiare të kompanive mediale, sidomos në kohë pandemie, janë faktorët që kanë ndikuar në shuarjen e medieve tradicionale.

Nga Ariana Kasapolli, Radio Kosova

Imer Mushkolaj, duke folur për Radio Kosovën tha se për fat të keq, Kosova është i vetmi vend në Evropë që nuk ka gazetë të shtypur. Shkaqet, sipas tij,  janë të ndryshme por nuk duhet harruar fakti se shpërndarja e madhe e  internetit respektivisht kur kjo kombinohet me moshë shumë të re të popullatës në Kosovë, rezultati  është ky që është.

‘’Kjo shkakton një problem duke e pasur parasysh gjithnjë që një pjesë e konsideruar e popullsisë mund të mos ketë qasje të drejtë në internet dhe në këtë formë ata janë të privuar nga e drejta e informimit. Nuk po them që ata nuk mund të informohen përmes burimeve të tjera por u mohohet e drejta që të lexojnë gazetë’’, tha ai.

Deri para rreth dy vjetësh në Kosovë, sipas Mushkolaj, janë botuar katër gazeta ditore: “Koha Ditore”, “Epoka e Re”, “Zëri” dhe “Bota Sot”. Por, në muajin mars të vitit 2020, në kohën e pandemisë këto gazeta u ndërprenë së botuari  pas vendosjes së masave kufizuese nga qeveria e atëhershme, për parandalimin e përhapjes së COVID-19 .

 Qytetarëve vazhdon t’u mungojë gazeta e shtypur. Ata thonë se e kanë pasur rutinë pirjen e kafes së mëngjesit me gazetën ditore që ata e kanë përzgjedhur. Tash nuk është njësoj. Gjithçka ka kaluar online.

Afërdita nga Prishtina ka dhënë mendimin e saj për Radio Kosovën lidhur me atë se a i mungon shtypi ditor i botuar.

‘’Patjetër që më mungojnë shumë, sepse ma kthejnë një nostalgji kur jemi ulë me pi një kafe dhe kemi lexuar gazetën ditore. Së fundmi kur kam udhëtuar, kam marrë gazeta ditore dhe i kam lexuar për ta shuar atë nevojën e leximit, të prekjes së gazetës. Më kishte marrë malli. Tash gjithçka online, përfshirë edhe librat’’, tha ajo.

Në vitin 2009, vetëm një vit pas shpalljes se pavarësisë, në Kosovë janë botuar tetë gazeta ditore, të gjitha në gjuhën shqipe.

Në një hulumtim të Institutit të Kosovës për Hulumtime dhe Zhvillim Politikash (KIPRED), realizuar në vitin 2010, thuhet se tetë gazetat ditor (“Koha Ditore”, “Kosova Sot”, “Express”, “Epoka e Re”, “Bota Sot”, “Info Press”, “Zëri” dhe “Lajm”), kanë pasur tirazh mes 25.000 dhe 35.000 kopje. Ky numër në atë kohë ishte vlerësuar tejet i ulët në krahasim me popullsinë e përgjithshme (2.1 milionë banorë). Në atë kohë, tre në pesë njerëz lexonin një gazetë ditore, sipas hulumtimit.