Kosova merr pjesë me tre filma në “Sarajevo Film Festival”

Në festivalin e përvitshëm “Sarajevo Film Festival”, që konsiderohet edhe si një ndër festivalet më të rëndësishëm të kinematografisë botërore dhe që zhvillohet vetëm pas pak ditësh, tre filma nga Kosova do të jenë pjesëmarrës në këtë konkurrim.

“Në kërkim të Venerës” me regji nga Norika Sefa, “Luaneshat e Kodrës” me regji nga Luana Bajrami dhe “Pa vend” me regji nga Samir Karahoda, do të jenë pjesë e garës në kompeticionin zyrtar të “Festivalit Ndërkombëtar të Filmit të Sarajevës”.

“Në kërkim të Venerës” kishte premierën botërore më herët në Roterdam, ku edhe fitoi “Çmimin Special të Jurisë”. Ndërsa “Luaneshat e Kodrës” dhe “Pa vend” ishin filmat e parë nga Kosova që shfaqën premierat në Festivalin e Kanës, në seksionin “Director’s Fortnight” dhe në kategorinë kryesore.

Kjo do të jetë prezencë më e madhe e regjisorëve shqiptarë, ku vitin e kaluar Kosova rrëmbeu çmimin “Zemrën e Sarajevës” me filmin “Exil” të regjisorit Visar Morina.

Tre filmat janë mbështetur dhe financuar gjithashtu edhe nga Qendra Kinematografike e Kosovës./ATSH

LEXO EDHE: ‘Vera Andrron Detin’ fiton çmimin e Post Republic në vlerë të 50 mijë euro në Sarajevë