“Kosova në Arkivin e Shtetit Shqiptar”, ekspozita e rrallë dokumentare dhe fotografike

Nëpërmjet një ekspozite të rrallë dokumentare dhe fotografike, është shënuar në Tiranë 13-vjetori i Pavarësisë së Kosovës.

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave të Shqipërisë dhe Agjencia Shtetërore e Arkivave të Kosovës, zgjodhën ta kujtojë në Kalanë e Tiranës, këtë ditë historike.

Bedri Zyberaj, kryeshef i Arkivave të Kosovës theksoi rëndësinë e një tubimi të tillë.

“Kjo është data më e rëndësishme e historisë së re të shqiptarëve. Arkivat janë institucionet që kujdesen dhe ruajnë kujtesën dhe trashëgiminë e çdo kombi”.

“Dhe për fat të mirë edhe arkivat tona janë kujdesur dhe ruajnë përmes instrumenteve bashkëkohore. E përpiqen që përmes këtyre ekspozitave, t’i sjellin ato tek shqiptarët”.

Ambasadori i Kosovës në Tiranë, Nait Hasani tha se, “dokumentet e kësaj ekspozite tregojnë rëndësinë dhe praninë e Kosovës prej vitit 1912 e më pas në Shqipëri”.

Elsa Saka, drejtore e Komunikimit në DPA, tha se, “ne synojmë që kjo ekspozitë të jetë shëtitëse. Dhe çdo 17 shkurt të çelet në një qytet tjetër të Shqipërisë”.

Materialet që janë paraqitur në ekspozitë janë nga periudha e vitit 1912.
Në të janë shfaqur edhe dokumente të pjesëmarrësve nga Kuvendi i Vlorës, të dhëna të personaliteteve të ndryshme shqiptare dhe të dhëna për Komunitetin Kombëtar për mbrojtjen e Kosovës.

Këto janë vetëm një pjesë e vogël e mijëra dokumenteve që ruhen në dy arkivat shqiptare, Shqipëri dhe Kosovë.