“Rizgjimi në vlerat kombëtare, Kosova Republikë” titullohet ekspozita e çelur me rastin e 16-vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës nga Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave (DPA) në bashkëpunim me Agjencinë Shtetërore të Arkivave të Kosovës (ASHAK) dhe me Kalanë e Tiranës.
Të pranishëm në këtë aktivitet që u zhvillua në mjediset e Kalasë së Tiranës, ishin Drejtori i Përgjithshëm i Arkivave, Ardit Bido dhe zv.ambasadori i Republikës së Kosovës në Tiranë, Burim Susuri.
Në fjalën e mbajtur për mediat, Bido u shpreh se pavarësisht kufijve shtetërore, elitat nuk i kanë ndalur përpjekjet për hegjemoni kulturore.
“Kjo ekspozitë rrëfen preludin e Kosovës së Pavarur. Me këtë rast dua të uroj të gjithë shqiptarët, kudo ku janë, për këtë ditë të rëndësishme, për një prej ngjarjeve më të rëndësishme në historinë tonë kombëtare.
Pavarësia e Kosovës nuk është ngjarje e një dite, është rrugëtim, nis që në vitet ’20, kur shqiptarët e Kosovës nuk e pranuan zgjedhën serbe.
Është ngjarja kombëtare e dytë më e rëndësishme, pas Pavarësisë së Shqipërisë.
Nuk ka qenë ëndërr Kosova e pavarur, por bashkimi me Shqipërinë. Megjithatë, përpjekjet për të arritur hegjemoninë në drejtim të kulturës, nuk ka ndalur nga elitat shqiptare, në Shqipëri dhe në Kosovë”, tha kreu i DPA-së
Ndërsa në fjalën e tij, Susuri vlerësoi ekspozitën për shpalosjen e angazhimit të kontributorëve në arritjen e pavarësisë së Kosovës.
“Faleminderit DPA-së për ftesën dhe për këtë ekspozitë voluminoze me materiale nga periudha të ndryshme kohore, duke përfshirë të gjithë ata që kanë dhënë kontribut në Pavarësinë e Republikës së Kosovës.”- tha Susuri.
Në këtë ekspozitë të përgatitur me materiale historike të Arkivit Qendror Shtetëror (AQSH), publiku kryeqytetas ka mundësinë të mësojë mbi përpjekjet në emër të kauzës “Kosova Republikë”.
Ndër të tjera, mes materialeve të ekspozuara gjenden: marrëveshjet e bashkëpunimit shkencor në fillim të viteve ’70; foto nga marrëveshjet dhe takimet e grupeve të punës midis Ministrisë së Arsimit shqiptar dhe palës kosovare: grupet kulturore kosovare në Shqipëri në fundvitet ’70; ndjesi letrare nga Kosova në periodikun “Fatosi”; demostratën e studentëve dhe në analizën e detajuar të shtypit, të radios dhe të televizionit shqiptar mbi tematikat e ndryshme për Kosovën deri në vitin 1979. /Konica.al
ObserverKult
Lexo edhe:
VISAR ZHITI: SI SHK-OH-ET NË KOSOVË
-baladë-
Ti, kalë i bardhë, Pegasi im,
si shkohet në Kosovë, tregomë!
Malli më ka marrë pa qenë kurrë.
Përtej varrit të atit tënd
varret e tjerë u rritën dhe u bënë male.
Pas maleve ka varre prapë si retë
nëpër luginë.
Shtegtojnë varret në qiejt e ulët
dhe ta ngatërrojnë udhën.
Avionët kthehen pas të hutuar
nëpër mjegull nate.
Karvanët e veturave janë kthyer në shkëmbinj
si kuajt e krushqve në mallkimin e lashtë.
O Zot! Dardhat dimërore dhe mëllenjat
janë bërë fushë me ofshama
të gjuhës time!
Poezinë e plotë mund ta lexoni KËTU:
ObserverKult