Në nderim të përkthyesit të parë të librit të librave, Biblës së shenjtë, 30 shtatori shënon ditën botërore e përkthimit, si kujtesë për mbrojtësin e shenjtë të përkthimit.
Për gjuhën shqipe, nderojmë sot dy përkthyesit themeltarë dhe madhështorë: Kostandin Kristoforidhin dhe Fan Nolin. Nderimi më i merituar është shfletimi i veprës së tyre të dhuntishme dhe vigane, e ngjizur në kundërshtime, vuajtje, endje dhe privime të mëdha.
Kostandin Kristoforidhi përpiloi në Maltë, dorëshkrimin “Shënime mbi Shqipërinë, gjuha dhe përkthimi i shkrimeve të shenjta”, më 1860. I pajtuar prej Shoqërisë Biblike, Biblës i përktheu Besëlidhjen e Re, që u botua në Stamboll; Katër Ungjijtë dhe punët e Apostujve më 1866, në variantin gegnisht me shkronja latine dhe më 1879, në variantin toskërisht me shkronja greke. Gjithashtu përktheu dhe iu botuan libra të ndryshëm të Besëlidhjes së Vjetër. Mes dy botimeve përktheu dhe iu botuan Psalmet (1868 toskërisht Psalltiri, 1869 gegërisht Psalteri), Alfavitarin shqip (gegnisht 1866 & 1872, toskërisht 1872). Më 1870 është botuar Historia e shenjtësë shkronjë/Istoria e shkronjësë shënjtëruarë për djemtë, një përmbledhje e thjeshtuar dhe pjesë nga Dhiata e Vjetër, e cila merr rëndësi për informacionin në gjuhën shqipe për Biblën si tekst, autorësinë, historikun e librave të Biblës dhe veprimtarinë e Shoqërisë Biblike. Nga duart e tij dolën disa përkthime dhe ai vetë, me trastën e librave në krahë, merrej me shitjen e përkthimeve dhe të abetareve të veta.
Ndërsa, kontributi më i gjerë i Fan Nolit qe në fakt ai i stilistit, siç shihet ndër përkthimet e tij. Bashkë me Faik Konicën, mund të vlerësohet si ndër stilistët më të mëdhenj të dialektit Toskë. Afria që kishte me gjuhët e huaja, greqishten, anglishten dhe frëngjishten e aftësoi ta bënte shqipen në një gjuhë të stërholluar dhe elegante, ndonëse pak folklorike. Noli përktheu mjaft autorë amerikanë dhe europianë të shek. XIX, duke vënë në punë veshin muzikor, mundi të pasqyronte stilin dhe ngjyrat e ritmit të origjinalit, transmeton ‘konica.al’.
Disa nga përkthimet e këtyre figurave të shquara shqiptare.
1. Përkthimet e Kristoforidhit gegërisht (6 libra):
2. Përkthimet e Kristoforidhit toskërisht (9 libra):
3. Përkthimet liturgjike shqip, shumicën e botimeve liturgjike anglisht, si dhe botimet muzikore kishtare shqip e anglisht të Imzot Fan Nolit (15 libra):
4. Përkthimet biblike të Imzot Nolit anglisht (tre libra):
5. Veprën “Hamleti” të Imzot Fan Nolit:
6. Në këtë projekt tjetër të mrekullueshëm, “Libraria ime”, mund të lexoni vepra të tjera përkthyer prej Fan Nolit, si dhe vepra prej përkthyesish të tjerë të letërsisë botërore në gjuhën shqipe, tok me libra historikë, studimorë, etj (162 libra shqip):
Kjo ditë shënohet çdo 30 shtator në shumë vende të botës, në nderim të përkthyesit të parë të Biblës, i cili konsiderohet si mbrojtës i shenjtë i përkthimit.
Kjo ditë kishte nisur të festohej nga Federata Ndërkombëtare e Përkthimit, prej vitit 1953. Në vitin 1991, Federata publikoi idenë e njohjes ndërkombëtare të ditës së përkthimit, për të shprehur solidaritet të komunitetit mbarë botëror të përkthimit, si një përpjekje për të promovuar përkthimin profesional në vende të ndryshme, duke mos u kufizuar vetëm në ato të krishtera.
***
Përkthyesi i parë ishte filozofi, teologu dhe përkthyesi biblik John Wycliffei reformator dhe prift, profesor i seminarit në Universitetin e Oksfordit
Mbi 3,500 vjet më parë, kur profeti i Perëndisë, Moisiu, filloi të shkruante Biblën, atë mund ta lexonte vetëm një komb i vogël. Kjo ndodhte sepse shkrimet ekzistonin vetëm në gjuhën origjinale hebraike të atij kombi. Megjithatë, me kalimin e kohës situata do të ndryshonte.
Përhapja e mesazhit të Biblës u mundësua në një masë të madhe, si pasojë e përkthimit të parë të saj, nga John Wycliffei, cili ishte një filozof skolastik anglez, teolog, përkthyes biblik, reformator, prift dhe një profesor i seminarit në Universitetin e Oksfordit. Ai u bë disident me ndikim brenda priftërisë Katolike Romake gjatë shekullit XIV dhe konsiderohet një paraardhës i rëndësishëm i Protestantizmit.
Në vitin 1382, ai përfundoi një përkthim direkt nga Vulgate në anglisht të mesme – një version i njohur tani si Bibla e Wycliffe. Është e mundshme që ai përktheu edhe Ungjijtë e Mateut, Markut, Llukës dhe Gjonit; dhe është e mundur që ai përktheu të gjithë Testamentin e Ri, ndërsa bashkëpunëtorët e tij përkthyen Testamentin e Vjetër. Bibla e Wycliffe duket se ka përfunduar deri në vitin 1384, ndërsa versione shtesë të përditësuara janë bërë nga ndihmësi i Wycliffe, John Purvey dhe të tjerët në 1388 dhe 1395.
Kjo ditë është një mundësi për të shfaqur krenarinë për këtë profesion, që njëherësh është duke u bërë gjithnjë e më i domosdoshëm në fushën e përparimit global.