Kraja i shkruan Akademisë Suedeze: Duke mbrojtur Handken, ju po mbroni Millosheviqin!

Mehmet Kraja

Mehmet Kraja, Kryetar i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës i ka kthyer letër Akademisë Suedeze, pasi kjo e fundit ka sqaruar arsyet e shpërblimit të Handkes me Nobel.

Kraja thotë të jetë i zhgënjyer jo aq për faktin se Akademia Suedeze nuk shfaq shenja zmbrapsje për të kurorëzuar laureat të Çmimit Nobel një mbështetës të gjenocidit, por më shumë për mënyrën si i keqpërdor parimet për të arsyetuar një dështim të pashembullt.

Me poshtë gjeni letrën e Krajës:

Akademisë Suedeze / Komitetit të Nobelit

Zotit Anders Olsson

I nderuar zotëri,
Me kureshtje e lexova letrën tuaj dhe, ju them të drejtën, mbeta thellësisht i zhgënjyer, jo aq për faktin se ju nuk shfaqni shenja zmbrapsje për të kurorëzuar laureat të Çmimit Nobel një mbështetës të gjenocidit, por më shumë për mënyrën si i keqpërdorni parimet për të arsyetuar një dështim të pashembullt.
Duke qenë pjesëtar i një populli që ka vuajtur shumë gjatë historisë, në asnjë rrethanë nuk mund ta pranoj si të mirëqenë idenë e shoqërisë së hapur dhe të mendimit ndryshe, si arsyetim për mbështetjen e pakursyer që i keni dhënë zhbërjes së vlerave humane, përfshirë robërimin e popujve dhe gjenocidin.
Me këtë rast, me rastin e Handkes, unë nuk mund të mos shpreh shqetësimin tim të thellë dhe tronditjen deri në mpirje për tendencën në rritje të Europës, që në Ballkan sërish dhe sërish të relativizojë dhe t’i bëjë të luhatshme vlerat, në të cilat ajo tashmë na ka mësuar të besojmë. Prandaj nuk mund ta besoj se ju, në mbështetje të laureatit tuaj, i relativizoni aq shumë vlerat humane dhe civilizuese, duke u përpjekur të vendosni shenjën e barazimit midis të drejtës për mendim ndryshe dhe mbështetjes së pashembullt të gjenocidit.
Zoti Olsson,
Ju bëni një gabim të tmerrshëm kur përmendni Tribunalin e Hagës në një kontekst të përmbysur: nuk u themeluan tribunalet e këtillë vetëm për të kuptuar historinë tragjike të Europës, siç shpreheni ju, por për t’i parandaluar këto zhvillime tragjike, në mënyrë që ato kurrë më të mos bëhen pjesë e historisë, gjithnjë me idenë se krimineli dhe mbështetësit e tij, në njërën anë, dhe viktimat në anën tjetër nuk mund të marrin status të barabartë as në histori dhe as në hierarkinë e vlerave civilizuese. Fundja, ju e dini mirë se laureati juaj nuk iu bind verdiktit në tentativë të Tribunalit, në të cilin Millosheviqi nuk u dënua për shkaqe “natyrore”, por u dënuan bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë, duke u shprehur në varrimin e kriminelit me këto fjalë: Unë nuk e di, por unë kam parë, prandaj unë jam këtu, pranë Serbisë, pranë Jugosllavisë, pranë Milosheviqit… Dhe ju e dini fare mirë se çfarë kishte parë dhe çfarë nuk kishte dashur të shihte Handke në Bosnjë dhe në Kosovë. Më anë tjetër, ju besoj se e keni të qartë se Procesi i Nurembergut nuk mund të amnistojë neonazizmin e sotshëm, ashtu sikundër që verdiktet e shqiptuara ose të pashqiptuara të Tribunalit nuk mund të amnistojnë ringjalljen e sotshme të ideve të Millosheviqit në Ballkan dhe përreth tij, frymëzuesi më i laureuar i të cilave vazhdon të jetë Peter Handke dhe dishepujt e tij. Ish-Jugosllavia për Handken ishte “nostalgji utopike”, kurse për ne që e jetuam kohën e saj ishte burg i popujve dhe Handke shfaqet tepër pretendues, kur pandeh se mund ta ruante atë fantazmë të historisë, të cilën nuk e deshën as vetë popujt që e themeluan dhe e përbënin atë.
Duke mos qenë afër zhvillimeve në Ballkan, ju duket se nuk e keni ndërmend të kuptoni se duke mbrojtur Handken, ashtu siç bëni në letrën tuaj, ju mbroni Millosheviqin dhe, duke mbrojtur Millosheviqin, ju mbroni gjenocidin dhe, duke mbrojtur gjenocidin, ju jeni pozicionuar në anën e errtë të historisë, duke ngritur në piedestalin më të lartë një shkelës të egër të vlerave humane.
Përpjekja juaj asnjëherë e suksesshme për të ndarë personin e Handkes nga vepra e tij letrare edhe kësaj here është dëshpëruese: nëse ai bëri një zbulim në letërsi, siç pretendoni ju, për bindjen tonë ky zbulim konsiston pikërisht në arritjen e tij të pashembullt, që bindjet politike t’i kamuflojë si “letërsi e pastër”. Themi kështu, sepse Handke përdori mbështetjen e gjenocidit si afishe propagandistike për të afirmuar letërsinë e tij, gjithnjë duke manipuluar rëndë me vlerat demokratike dhe me të drejtën për mendim ndryshe. Njohjet përmes letërsisë, ku bën pjesë edhe kontributi juaj i jashtëzakonshëm, i kanë krijuar Peter Handkes sfondin e nevojshëm propagandistik për idetë e tij gjenocidale.
Gjithnjë duke mbetur në të drejtën tonë për të mos u pajtuar me ju, më lejoni që edhe kësaj radhe të shpreh konsiderata e mia.

Me respekt,
Mehmet Kraja
Kryetar i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës

ObserverKult