Një interpretim nga Bjeshkët e Rugovës padiskutim që mund të konsiderohet si një kryevepër shpirtërore e shqiptarëve, por përse mos ta njohë e gjithë bota, magjinë e një eposi që shqiptarët e kanë interpretuar dhe që e trashëgojnë brez pas brezi?
Koha ka mbërritur dhe Këngët e kreshnikëve shqiptarë më në fund do të shkojnë në UNESCO.
Ministria e Kulturës ka njoftuar se dosja për konkurim po bëhet gati. Që nga viti 2009 studiuesi Zymer Neziri, vinte sa here nga Kosova në Akademinë e Shkencave në Tiranë për të sjellë në vëmendje rëndësinë e këtij konkurimi, transmeton ‘a2news.com’.
Puna për përgatitjen e dosjes së Eposit të Kreshnikëve nisi në 2009, për t’u ndërprerë pa shkak, por vetëm këtë javë Ministria e Kulturës lajmëron se këtë vit kjo dosje do të shkojë në UNESCO. Nuk dihet ende nëse është një bashkëpunim mes Kosovës dhe Shqipërisë, por ajo çka dihet është se Tirana zyrtare do ta nisë Eposin drejt UNESCO-s.