Krijimtaria e Lumturi Blloshmit në Bienalen e Venecias, Shqipëria merr pjesë mes 58 vendeve

Mes 58 shtetesh, Shqipëria përfaqësohet në Bienalen e Venecias me krijimtarinë e Lumturi Blloshmit. Nga persekutimi në diktaturë deri tek ndarja nga jeta prej Covid-19, në pavijon do të shpaloset edhe bota personale e artistes.

Një botë fantastike me qenie hibride, ku gjithçka mund të transformohet në diçka tjetër.

Koncepti i edicionit të 59-të të Bienales së Venecias e merr magjinë e titullin nga libri për fëmijë “Qumështi i ëndrrave” i Leonora Carrington.

Mes 213 artistësh nga 58 shtete, Shqipëria ka pavijonin e saj që do të hapet në 23 prill.

Përmes një arkivi virtual, që kuratorja Adelja Demetja e ndërton me britanikun Alexander Walmsley, veprat e Lumturi Blloshmit ftojnë publikun të hulumtojë krijimtarinë por edhe jetën e artistes, që mbart peshën e rëndë të persekutimit në diktaturë.

“Duhet që Blloshmin ta ndajmë në dy jetë: jetën personale dhe atë artistike. Në komunizëm, artistja ka vuajtur në kurrizin e saj gjithë persekutimin e kohës.  Babai i saj vritet në prag të Çlirimit të vendit dhe Lumja bën pjesë në ato familje që shteti shqiptar komunist i persekutoi në thelbin e tyre. E megjithatë gjatë asaj periudhe ka punuar, por gjithmonë nën trysninë e kohës, me të gjitha ndikimet që ka një shoqëri komuniste mbi artistin”, shprehet studiuesja e artit Suzana Varvarica.

Pikturë, fotografi, instalacion dhe performancë, pas sistemit komunist, Blloshmi del nga kornizat e realizmit socialist, dhe kap esencën e artit bashkëkohor.

E gjitha fiksohet në dokumentarin e regjisorit meksikan Tin Dirdamal.

“Që prej ditës së parë të vitit 1990 e derisa ndërroi jetë, Lumja jo vetëm që shfaq një krijimtari të veçantë por i përshtatet çdo fenomeni që ndodh në Shqipëri. Ideologjia e saj ishte transformimi, shkatërrimi e më tej ardhja në jetë e një gjëje të re, gati si revolucion. Lumja shikonte në brendësinë e vetë dhe e transformonte fenomenin duke e kthyer në imazh, në një imazh të fuqishëm. Lume Blloshmi është një nga artistet më të thekshme në Shqipëri dhe do të ngelet nga emrat më të fortë që mund të ketë arti shqiptar pas viteve ’90.  Por pa harruar, se ajo edhe para demokracisë ka pasur një pikturë të shkëlqyer. Të gjitha elementët që i duhen një pikture për të qenë në një nivel të lartë artistik, Lumja i ka brenda”.

Dëshira për të ekspozuar fuqishëm jashtë vendit e shoqëroi Blloshmin deri në largimin fizik prej Covid-19, në nëntor të 2020-ës.

“Nëse Lumja mbylli sytë nga Covid-19, unë them se kjo pandemi ka shkatërruar më shumë se çdo gjë tjetër, një fenomen intelektual. Lume Blloshmi ishte e tillë për artin. Dhe them: Sikur të ishte gjallë sot dhe ta shikonte veprën e saj në Bienale para se të mbyllte sytë. Sepse Bienalja e Venecias është nga bienalet më të rëndësishme për artin… Aty artistët thonë diçka për të nesërmen, duke u nisur nga e shkuara”, thotë Varvarica./shqiptarja.com


Lexo edhe:

LUMTURI BLLOSHMI NË VENECIA, SI DO TË JETË PAVIJONI SHQIPTAR NË BIENALE