Krist Maloki: E pse Gjergj Fishta s’ka qenë heró?

Gjergj Fishta

Nga Krist Maloki

Duhet dijtë që gjithë njajo dhanëje e Gjergj Fishtës kah bota e permbarshme legjendare shqiptare permban edhe një faj tragjik e fatal. Fishta asht i hypnotizuem nga madhënija, thekshmënija dhe dramaciteti i kohës së kalueme dhe nuk ka fort sy e vesh per kohën e tashme dhe t’ardhëshme.

Fakt asht që pothue gjithë vepra e tijë rrotullohet vetëm rreth problemevsh romantike me gjithë që shume herë edhe nen petkun e uhazuem të klasicizmit a të ndonjë stili tjetër-e aj vet shkrihet e dergjet tuj i soditë plot dëshir e ethe figurat heroike, antike e arkaike që enden e fanojn në fantazinë e tijë të sticueme…si njato hije –dritat ideore të Platonit para zjarmit mystik dhe në buzë të gropës mytologjike.

Dhe kësodore Fishta harron se gjallon në shekullin e XX-t dhe nuk e shef –apor nuk don me e pa –realitetin e botës rreth –eperanë dhe ban resistencë pasive –deri dikund edhe aktive-kundrejt ngrehjës së një bote të ré shqiptare. Asht –si me thanë –njaj faji i herout të dramës klasike-tragjike që bahet shkaku i dënimit dhe sharimit të tij…

Fillojn mosmarrveshjet qysh ka vjeti 1923, atëhere kur dishka po lëvizte në prehrin e rinisë s’onë. Njerz të rritunë jashtë Shqipnisë dhe do djelm të pajisunë me kulturë okcidentale, mb’anë tjetërsa e sa të rijshqiptarë, ndoshta vetëm me një cipë të hollë kulturale evropjane por t’etshëm per dishka të ré, per dishka të ndryshme, e çojn zanin e vet dhe trokasin në derën e vjetrueme të kullave dhe kolibave patriarkale. Nuk jan, jo, tendenca rranjësore revoljuconare , as edhe socjale e socjalpolitike. Jo, rinija shqiptareravgon vet endé ner shtigje romantike, dhe kerkesat e saja jan ndoshta-si mbas modës –të mjegullueme nga do formula, kallëpe dhe klisheha ideologjike moderne , porse kurrsesi permbytëse.

E pra nuk asht gja e madhe në rrezik e nuk asht koha per kushtrime luftarake. Por qe se Fishten e therrin me një herë grenxat e kuqe (si e paten therrë dikur edhe korbat e zez të Hil Mosit) dhe reakcjoni i tij drejtohet një herë kundra do arsimtarëve antiklerikalë (Dr. Djevat Kortscha) , mandej kah gjoja çerdhëja e njatyne grenxave, d.m.th kah Ministrija e Arsimit kah Visko Babatasi e sidomos kundra Nebil Çikës, gjurmuesit të mavonshëm të Neo-Shqiptarizmës.

Fryti i indinjatës fishtjane kan qenë do shkrime polemike në prozë (“Grindja me klerin “, “Kisha katolike ka trajtue kulturën okcidentale”, etj) dhe masandej vepra satirike në vjershë “Gomari i Babatasit “, një vepër kryekrejet e perdhunueme, e cila më shumë pikëpamje, edhe n’atë literare-mund të quehet me gjithë mend një gomarjade…
Porse nuk mjafton edhe me kaq. Po njaty kah vjetët 1923/24-sidomos me ardhjën në fuqí të Fan Nolit merr hov mbrenda botës shqiptare problemi “Pleqt e të rijt ?”.

Dhe ky problem rritet me kohë,zgjanohet, nderlikohet e pezmatohet neper sa e sa mosmarrëveshtje e moskuptime dhe bahet së fundi sa një bollë e trashë xhunglesh…der kur plaku methazalem Mehdi Frashëri , bashk me do intelektualë të rij, e formon kabinetin e parë të ashtuquejtun “okcidental” dhe “thjeshtë” demokratik (21 Tetor 1935). Nuk asht nevoja me diftue mandej këtu gjatë e gjanë se si morri fund gjithë njaj problem , politikisht e publikisht, dhe se si u tallë me njatë riní të tradhëtueme bartësi karagjoz i “Kunorës Mbretërore Shqiptare “.

Fakt asht që Gjergj Fishta nuk u pau nevojën me ndërhy me zanin e tij kushtrimtar mbrenda njasajë shamate e kacafitje, apor së pakut me e shtye krijesën e tijë hijerande publicistike “Hylli i Dritës” per me i-u vue mprapa njatij problemi aq të randësishëm : në daç jetik, socjal, politik a edhe literar (një artikull perkatës i shkruesit të këtij studjimi këtu, me titull”Orjental apor Okcidental “ botue në Hyllin e Dritës nr 12, vj. 1936 ka qenë ma fort si një ligjeratë post festum!)

E kështu i paprekun nga nevojët e kohës dhe të Kombit të vet ka qëndrue Gjergj Fishta edhe kundrejt njajtij problemi që u çfaqë me aq vrullsí njaty mbas vjetit 1933: ishte problemi i organizimit të rinisë shqiptare ! Nuk asht vendi këtu per me i analizue një mbas një tendencat e qellimet prapaskenare të njatij problemi dhe me i zbulue rranjët e tija autoktone, interballkanike dhe internacjonale.
E verteta sot asht që njaj problem s’u kuptue mirë as nga rinija vet…

me gjithë që ajo po notonte pothue symyllas neper ujnat e vrellat e tija. U ba, po, fort poterrë publikisht dhe u hudhen qorrfysheqe këndej e andej-si ishte atëhere zakoni ner ne perreth çdo problemi jetik-porse në fund të fundit i gjithë masllahati mbeti edhe ma tutje një bisedë ma fort formaliste e akademike dhe i-u lëshue në dorë një “doktori pulash” alias Vasfi Samimi : ky një njeri i pa të keq dhe me prejardhëje jo –shqiptare- po i jipte nasihat Arnautistanit se si duhej organizue rinija e tijë !!

E pra historija e Kombit Shqiptar nuk ka pritë ndoshta kurr ma parë e ma vonë një kushtrim (challenge) ma të flakët dhe një pergjigjëje (answer) ma të zjarrët se në të njatë kohë. Boshti i botës s’onë shqiptare kerkonte me padurim një të dredhun dhe të perdredhun radikal drejt horizontesh t’afërditshëm plot rregulla të permbëledhuna kulturale , socjale dhe politike. E verteta asht që rinija e jonë dishëronte frymë të ré, që rinija donte organizim dhe drejtim të perbrendshëm shpirtnor e botëkuptimor, per të cilin ajo ishte gati me e flijue edhe jetën e sajë; e nuk asht çudi që po njajo riní jo shumë ma vonë do të bertitëte per armë kundra agresionit imperialist dhe do të derdhëte gjak heroikisht ner të dy fronte”nacjonal -çlirimtare “. Mirë po në njatë kohë aq kritike s’u gjetë kush per t’i diftue rrugë njasajë rinije dhe per ta e shterngue ner legjone luftarake dhe fallangje vetmohuese.

E qe pra shi këtu kan gabue, kan ba faj e sakrilegj prijsat e Kombit Shqiptar. Sepse nepër heshtjen dhe moslëvizjën e tyne asht desiluzjonue dhe desorjentue rinija shqiptare dhe në shpirtin e sajë ka hy dasht-epadashtë mosbesimi, nihilzmi e anarkija. Një heshtëje e gjithëmbarëshme shkretije u përhapë asokohe në Vendin t’onë, një heshtëje vorrezash e dëshprimi të pafund, dhe një tisi i pamëshirshëm ngjyrë-hini i mbulonte fytyrat e njatyne të rijve që mendojshin pak a shumë me ndërgjegjëje mbi fatin e Kombit të vet.

Sa karakteristike asht njaj za i thekshëm i një të riu, njaj za protestues i Ismet Toto-s (në revisten Illyria) që ushtoj pa kurrfarë jehone nepër zhbrazëtinë e jetës s’onë: “Jo nuk ka Zot, nuk ka Perëndi!”: porse zani i Ismet Toto-s nuk pati efekt e nuk tronditi kend, edhe atëherë jo, kur u lëshue kushtrimtar e plot gazep nen presjonin e litarit : “Rroftë rinija shqiptare!”…Et vox in deserto exlamavit!…


Porse nuk mjaftoj , edhe me kaq. Se pse rinija shqiptare, e mbetunë pa drejtim e pa udhëheqje-si me qenë dele e dhí nër male e vërrije-po njajo rini e shkretë do t’u bante aty pari edhe preja e gërditshmë e do ujqve orjentalë. Se shka ka ndollë aso kohe në Vendin t’onë mund ta e pershkruejë vetëm arti i sticuem e i pervertuem i ndonjë Dekameroni pornografik apor fantazija e heterotueme e Njëmije-një netëve (Binbir –Xhexhe) t’Arabistanit.

Mjaftojn dy a tre fakte per ta e dritëzue vetëtimshëm gjendjën e dërmueshme të rinisë shqiptare: 1)pothue çdo i ri nevojtar bursist , rrogtar a aspirant i ushtrisë do të kalonte doemos nepër antishambret a ulluqet tjera të trupit deri sa të gjente mëshirë dhe pelqim para syve të ndonjë prefekti a komandanti të nalt të Shtetit ; stafazha, parakalime, maskerada e karagjozlëqe tjera që ishin në kundershtim flagrant me traditat t’ona mijvjeçare; se shka ka ndollë mandej atje mrapa dyerve dhe perdeve të sallonave orjentalë, ato as nuk po duem mi permendë.

Çudí asht vetëm –e deri dikund një mystér –sesi nuk i-u revoltue ndërgjegjëja prijsave dhe pishëtarëve të Kombit t’onë dhe se si nuk e lëshoj kushtrimin dhe anathemën e vetë kangëtari i Tringës malësore dhe mungari heroik i Zojës së Paperlyeme…Porse na këtue tash per tash nuk po zgjatemi ma tepër rreth kësi problemash-se ka edhe tjerë!-dhe po mjaftohemi me theksimin e besimit të ngulun që në qoftë se u hapen mbas njasojë kohe gardhiqe, hendeqe, llogore e haona anmiqësore nepermjes të Kombit Shqiptar, dhe në qoftë se vojti rrëkanj gjithë aj gjak i rinisë s’onë në të dy anët e frontit vëllavrasës –në kohën ma të zezën të historisë shqiptare!-atëherë vetëm e pervetëm sepse gabuene heroat, sepse gabuene Pejgamberat…

(Shkëputur nga libri i “Refleksione Kritikë (letrare), analiza dhe mendime nga Krist Maloki)

Përagatiti: ObserverKult


Me një jetë të vështirë prej poeti, natyrshëm i trishtuar, si dhe përndjekjes politike, Frederik Rreshpja mbeti i pavlerësuar për kohën
Frederik Rreshpja, portret nga Aleksandër Vreko

Lexo edhe:

BUQETË POEZISH NGA FREDERIK RRESHPJA: KISHA LINDUR I MALLKUAR ME ART!

Në vazhdim mund të lexoni një cikël të zgjedhur poezish nga Frederik Rreshpja:

Testament

Që fëmijë e kam kuptuar se kisha lindur
i mallkuar me art.
Gjërat i shihja ndryshe:
Nëpër shirat e vdekur peshqit fluturonin drejt
Çerdheve, te yjet. Në vend të borës binin zogj
në çdo dru.
Era si ketër brente degët.
Qante mbi mua nëna, Shën mëria ime. Ave nëna ime!
Mos e pastë njeri këtë fat!

Ku ishe ti?

Ku ishe ti kur dola i vetëm nën hënë?
Në ç’hënë barisnje vallë?

Ku ishe ti kur vizitova profilin tënd
Në xhamin e muzgut që krisi dhe u thye me trishtim?

Pastaj erdhi nata mbushur me mungesën tënde
Pastaj erdhi prap nata
dhe kështu ka për të qenë deri në ditën e fundit të netëve.

Zbrita tek kroi
duke mbajtur në duar vazon delikate të agimit
Pashë sytë e tu ruajtur në kujtesën e ujrave.

Lisi plak lëshoi përdhe kurorën e vjeshtës
Si një sovran që abdikon.

Ani, mua më zuri ky mallkim.
Po qysh bën pylli pa ty? Si del vjeshta?
A ndofta nuk do të ketë kurrë më vjeshtë?
Atëherë në emër të kujt do të bien gjethet?
Në emër të kujt do të vijnë shirat, mjegullat, ylberët?

Ah, zemra ime, eja vër dorë mbi stinët!

Ave, nëna ime!

Rri në shi. Kjo është e vetmja gjë që dua.
Ç’është ky? Pyesnin pikat e shiut mbi ballin tim
Kështu kam dëgjuar zërin e shiut
Një ditë vere rrëzë lisit plak
Te porta lënë hapur për zogjtë.

Ah, kur isha i ri dhe i bukur kujtonja
se tërë shirat e botës binin për mua
po tani që kanë kaluar kaq shumë vite
e di se s’ka asnjë kuptim që bie shi

Iku dhe nëna ime nën një shi prej mermeri
nga arkeologjia e perëndive që rrëzoheshin

Ave, nëna ime!
Vetëm tek ti kam besuar
Zot tjetër nuk kam patur kurrë. Amen!

Përgjithmonë

O ajr i mbrëmjes mbështillme, erdhi ora të vdes përsëri.
Kur të mbyllen sytë e mi, nuk do të ketë më det
Dhe varkat e lotëve kanë për të ngecur në sterë.
Shkoj dhe shirat po i lë të kyçura
Por do të kthehem përsëri në çdo stinë që të dua.
Une kam qenë trishtimi i botës.
O ajr i mbrëmjes mbështillmë, erdhi ora të vdes përsëri.

Dashuri e humbur

Dola nga guernika e kësaj nate
I vrarë egërsisht,
Kali i zi i pikëllimit
Në shtegun e vjetër më priste.

Kali i zi i pikellimit ç’më rrëzoi
Dhe rashë si në ballada;
Gdhendur në gravurat e vjetra,
Përmbys mbi shqytin e natës.

I vrarë nga një pranverë e kotë,
Braktisur nga bota e tërë,
Vetëm kali i zi i pikëllimit vjen rrotull
Dhe qan për të zotin e vjetër.

Poezitë e tjera mund ti lexoni KËTU:

ObserverKult