Problem në letërsi është dhe kritika letrare, që sipas autorëve të ndryshëm duhet që të institucionalizohet. Në reagimet e tyre shkrimtarë dhe studiues shprehen se sot shumë pak mund të flitet për një kritikë të mirëfilltë letrare në Shqipëri, pasi në shumë raste ka abuzime.
Në reagimet e tyre shkrimtarët dhe studiues shprehen me kritika, që sot më shumë ka mundësi për shkrime që bëjnë lëvdata sipas tyre se sa flitet për një kritikë të institucionalizuar. Shkrimtari dhe studiuesi Xhahid Bushati thotë se kritika letrare tek ne nuk është në atë nivel që duhet dhe përgjithësisht kritikët janë të papërgatitur.
“Kritika letrare duhet të zërë vend më shumë në studimin, vëzhgimin, në opsionet e saj në lidhje me veprat që botohen tek ne. Kërkohet dimension kulturor tjetër, por duhet dhe gjuhë të huaj, etj, duhet një shkollë, universitete jashtë shtetit për t’u profilizuar. Para ‘90 ka pasur specializime pasuniversitare për kritikën, pedagogët më të mirë kanë dhënë leksione. Kam qenë dhe unë pjesë e këtij specializimi në vitin 1986 dhe më pas u mbyll. Në të shumtën e rasteve më shumë kemi shkrime lavdëruese sot se sa kritikë letrare, ndërkohë që kritika ka për detyrë, që ta seleksionojë”, thotë studiuesi Bushati për çfarë ndodh me krijimtarinë në vend. Sipas Bushatit, kritika letrare duhet të zërë vend më shumë në krijimtari, por ai shton se për t’ia arritur qëllimit të saj duhet një lloj infrastrukture më parë.
“Duhet që të mendojë Ministria e Kulturës që të përgatisin qoftë dhe jashtë shtetit studiues dhe kritikë të kësaj letërsie, sepse këtu përgjithësisht ka mbetur problemi në studimin e traditës, ndërsa veprat e 30 viteve pra nga ‘90 e këtej, por dhe të 10 viteve e këtej pak kanë ardhur në objektivin e kritikës letrare”, thotë mes të tjerave shkrimtari Xhahid Bushati, që dhe pse shkruan dhe studion letërsi e ndjen se në vend mungon ajo kritikë e institucionalizuar.
Vlerat e letërsisë
Por dhe shkrimtari Pandeli Koçi, i cili herë pas here ka reaguar për problemet që hasin sot autorët dhe krijimtaria, për këtë të fundit thotë se në vend janë gjithmonë në rritje kërkesat për një institucionalizim të kritikës letrare.
“Nuk është e vërtetë që nuk kemi fare dhe të mohojmë çdo gjë për kritikën letrare në vend. Por kërkesat janë gjithmonë në rritje për një thellim dhe për një institucionalizim të kritikës letrare. Kërkohet një thellim nga metodat e reja teorike. Pra për të kapërcyer subjektivizmin që vihet re shpesh në kritikën tonë, që njëri shkruan për shokun, shoku shkruan për tjetrin shok të tij, dhe bëhet një rreth vicioz ose një grup që ngre x autor në qiell” thotë ai.
Problem sipas tij mbetet që sot nuk po përgatitet dhe brezi i ri i kritikëve letrarë, që në vijim duhet të përcaktojnë dhe vlerat e ecurisë së letërsisë shqipe në vend. Ashtu si dhe autori Xhahid Bushati edhe Pandeli Koçi shton se kjo duhet të jetë dhe në vëmendjen e universiteteve në Shqipëri, transmeton ‘konica.al’
“Ne duhet që të përgatisim kritikët e rinj në fakultetet tona të degëve të gjuhë letërsisë shqipe apo dhe gjuhët e huaja, që këta të bëjnë kritikën, ose të hapet një kurs siç ka qenë hapur dikur para viteve ‘90 dhe disa prej tyre ende dhe sot vazhdojnë të shkruajnë kritika letrare. Pra fakultetet tona të kenë kurse për kritikën letrare, që nesër të kemi ata që do të dalin më të zotët dhe të talentuarit. Ata do të jenë dhe kritikët e së ardhmes, që do të përcaktojnë vlerat e vërteta dhe të ecurisë së letërsisë shqipe”, shprehet Koçi.
Ndërsa autorët vazhdojnë të pohojnë këtë shqetësim ata shohin si problem dhe çfarë po ndodh sot me gjykimin, që bëhet për vepra të ndryshme në konkurset që zhvillohen në vend.