Gazetarja Kozeta Kurti, zëdhënëse e Festivalit të RTSH, ka reaguar për kritikat që instrumentisti Miron Kotoni ka bërë lidhur me mungesën e pjesëmarrjes së artistëve të njohur në këtë spektakël.
Në një reagim publik, Kozeta Kurti flet për mënyrën sesi është organizuar këtë vit ky festival dhe shprehet se çdo debat për festivalin është i mirëpritur, por vetëm kur jepen argumente bindëse dhe jo akuza pa bazë.
Reagimi i plotë i gazetares Kozeta Kurti:
Personalisht, por edhe në emër të Festivalit, këtë vit, çmoj vëmendjen e gjithkujt drejt Festivalit, dhe ashtu sikurse ty, si tifoze e Festivalit që jam, edhe unë jam e keqardhur që shumë emra mungojnë çdo vit në Festival, (ata që ke përmendur ti dhe shumë të tjerë, përveç tyre), por ndryshe nga ty, unë nuk fajësoj Festivalin, por respektoj (as gjykoj, as paragjykoj) vendimarrjen personale të çdo autori dhe interpretuesi për të ardhur ose jo në Festival.
1- Autorët dhe interpretuesit që ankohen çdo ditë për rrugën nëpër të cilën po ecën muzika shqiptare, përpara se të gjykojnë dhe paragjykojnë ata që prodhojnë (mirë ose keq, se ka subjektivizëm këtu), përpara se të bëjnë këtë (gjykimin dhe paragjykimin), le të sjellin alternativë të re një herë, të mos “bëjnë paralele” tek ajo që kanë bërë dikur, pastaj të ankohen se alternativa e tyre nuk po përqafohet (në publik së pari, pastaj në Festival, se ky një herë në vit është)
2- Autorët dhe intepretuesit e famshëm ankohen se Festivalin e prishi Eurosongu, ama nëse mësojnë se një emër i njohur vjen në Festival, tërhiqen gjithë të tjerët. Nuk e di pse, a se kanë frikë, a se secili prej tyre mendon se është më i mirë se tjetri.
3- Prurjet “SOT” me prurjet “DIKUR” s’mund të krahasohen dot, sepse DIKUR, kishte vetëm një skenë, ku të gjithë prisnin të hynin, Festivali dhe ca më pak Koncerti i Pranverës apo Këngët e Stinës, ndërsa më vonë pati Top Fest, ka ende Kënga Magjike, ka mundësi për të bërë “Studio Live Session” ku me një gur, vret disa zogj; ke edhe album në këtë mënyrë, edhe video, edhe koncert, edhe akses në youtube (tashmë edhe platforma të tjera digjitale), ka mundësi të bëjë “single”, ta promovoje me klip, ta monetizojë në kanalin e vet etj etj. Ata jetojnë, e kanë profesion këtë punë dhe askush nuk i detyron se si dhe ku do ta çojnë investimin e tyre.
4- A ka mundësi të bëhet Festivali më i mirë? Sigurisht që po. Vjet Festivali solli për herë të parë një personazh aq të kerkuar si Elvana Gjata psh që është vlerë e shtuar për Festivalin, sepse ka me shumë nevojë Festivali për Elvanen dhe ca si ajo dhe jo ajo për Festivalin, pasi nuk është produkt i tij dhe s’i ka borxh asnjë fije të karrierës së saj Festivalit, ndryshe nga shume emra nga ata që përmend ti që i kanë “borxh moral” Festivalit.
5- Po me të rinjtë çfarë keni? A nuk do ta nisin ata nga diku? Sa vjeç ka qenë Eranda Libohova psh, kur ka ardhur për herë të parë në Festival?
6- Është shumë bukur kur flitet për Festivalin. Çdo debat, me argumente, i bën veçse mirë.