Kriza me koronavirusin nxit rivlerësim të skenës muzikore

Përpara një punëtorie të vjetër të një mekaniku një koleksion i tavolinave të drurit, një bar i improvizuar dhe disa palma rrihen nga një shi i furishëm, si ardhje e një stuhie tropikale në veri të Londrës.

Hapësira e gjelbër dhe tavolinat e drurit janë pjesë e “Costa Del Tottenham” ,një hapësirë e përkohshme e hapur në “Tottenham Hale”, të cilën Stuart Glen dhe partnerët e tij të biznesit e kanë krijuar në një hapësirë të zbrazët afër vendit ku gjendet klubi i tyre i natës “The Cause”.

I veshur me një fanellë me motive Havai, dhe me një palë pantallona të shkurtra dhe një shall futbolli, Glen nuk është i veshur adekuat për kohën, por veshja e tij është një britmë optimizmi, shkruan “The Guardian”. Ai dhe pjesa tjetër e 1.3 milionë punëtorëve që sigurojnë jetën e tyre nga sektori i natës kanë nevojë për një ndjenjë të tillë, pasi që shkaku i koronavirusit, që ndaloi festimet në muajin mars, është krijuar kriza më e madhe ndonjëherë.

“Ne kemi krijuar një hapësirë të re duke mos e ditur se çfarë po ndodh”, ka thënë Glen. “Ne jemi adaptuar dhe kemi një ekip të ri. Ne jemi kthyer nga një klub i natës me standard të lartë në një shërbim me tavolina”, transmeton ‘koha.net’.

Hapësira është e rregulluar në atë mënyrë që është relaksuese, ka distancë sociale, ushqim rruge dhe një muzikë të qetë. “Ne nuk kemi dashur që të jetë një klub me kufizime”. Glen e di që ai është në mesin e fatlumëve. “The Cause” kishte hapësirë jashtë që mund të shfrytëzohej.

Michael Kill, shefi ekzekutiv i “Night time Industries Association”, ka vlerësuar se më shumë se 70 për qind e klubeve mund të mbyllen nga fundi i shtatorit, pasi që shumë prej tyre nuk kanë opsione për të mbajtur distancë sociale dhe hapësira të jashtme për të shfrytëzuar.

Të martën, NTIA ka njoftuar për një “betejë financiare” për anëtarët e saj me 754 mijë punëtorë në rrezik për të humbur punën, pasi që është e paqartë se kur do të hapen klubet e natës dhe hapësirat e ngjashme. Sipas hulumtimit të NTIA nga 360 biznese, tri e katërta presin që të kenë shkurtime stafi në shtator dhe më shumë se gjysma nuk do të arrijnë që të mbijetojnë më shumë se dy muaj pa mbështetje financiare.

Kill ka thënë se ka më shumë se 1 mijë e 640 klube të natës në Britani të Madhe. Nëse mbyllen 70 për qind e tyre, kjo do të jetë shkatërruese.