
Jusuf Buxhovi: “Vitet e Gjermanisë”, botoi “Faik Konica”, Prishtinë, 2024, faqe 504.
Nga Andi Shkodra
Vepra “Vitet e Gjermanisë”, e botuar me rastin e 35-vjetorit të themelimit të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe 35-vjetorit të rënies së Murit të Berlinit, paraqet një sintezë kujtimesh dhe vrojtimesh analitike nga dioptria publicistit të njohur, Jusuf Buxhovit, si korrespondentit të përhershëm të gazetës “Rilindja” në Gjermani në 1976-1980 dhe 1994-2008. Vepra ngërthen zhvillime dinamike të fundviteve të shekullit të kaluara, që i paraprinë kthesave të mëdha gjeostrategjike dhe atyre gjeopolitike pas rënies së Murit të Berlinit, që çuan te rënia e bipolaritetit blokist si dhe tranzicionet në vendet e ish dikaturave komuniste.
Në kuadër të këtyre zhvillimeve, pamëdyshje se një vend të rëndësishëm, zënë ato që i paraprinë procesit të shpërbërjes së ish-Jugosllavisë, e ku çështja e Kosovës, nga politika e atëhershme gjermane si dhe mediumet kryesore të vendit, fokusohej ndër faktorët kryesor të testit të mbijetimit të saj – po qe se do t’i jepej statusi i republikës në federatë, apo të shkatërrimit – po qe se ajo do të kthehej nën tutelën e Serbisë, siç ishte nga viti 1945-1968. Kjo problematikë, zë vendin kryesor, në pjesën e parë të librit (1976-1980), përmes intervistave të Buxhovit me presidentin gjerman von Vajceker, ish-kancelarin Vili Brantin, kancelarin Helmut Shmit, liderët demokristianë dhe social të krishterë, Helmut Kolin dhe Franc Jozef Shtrausin, me intelektualët e njohur, ndër ta filozofin Habermas nobelistin Hajnrih Bell, shkrimtarin Gynter Gras dhe personalitete të tjera të jetës politike dhe kulturore gjermane.
Në pjesën e dytë të librit, në intermecon kohore nga demonstratat e vitit 1981 e deri te rrënimi i autonomisë së Kosovës nga Serbia më 23 mars 1989, përfshihen gjithë ato zhvillime siç ishin diferencimet anbllok në Kosovë kundër identitetit institucional dhe kulturor që solli kushtetuta e vitit 1974 si dhe shfaqja e memorandumit të akademikëve serbë në vitin 1986, që paraqesin skenarin hegjemonist serb, që Jugosllavia e Titos të kthehet në një shtet unitarist nën drejtimin e politikës serbe të lidhur me Moskën. Autori vë në pah se nga këndvështrimi gjerman, kundërvënia Memorandumit serb nga shkrimtarët shqiptarë si dhe përcaktimi i tyre që bashkë me elitën itelektuale të marrin përsipër përgjegjësitë për fatet e vendit, krijuan rrethanat që ajo të jetë bartëse e lëvizjeve politike. Përmes dokumenteve dhe përjetimeve përsonale, Buxhovi nxjerr në pah angazhimin e politikës gjermane dhe asaj amerikane për pluralizmin politik të drejtuar nga elita intelektuale, bërthama e së cilës gjendej në Shoqatën e Shkrimtarëve të Kosovës dhe në gazetën “Rilindja”, të cilët morën përsipër themelimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, më 23 dhjetor 1989 në Prishtinë.
Në këtë kronologji të kthesave historike nëpër të cilat kaloi Kosova nga viti 1989 deri tek çlirimi nga Serbia, krahas ngjarjeve politike që e përcaktuan këtë zhvllim, autori nxjerr në pah disa nga letrat përsonale nga dr. Ibrahim Rugova nga viti 2001-2004, si “dromca të shkapërderdhura”, si dhe bisedat me të në Rambuje dhe ato në vitin 1995 dhe në maj të vitit 1999, me rastin e qëndrimit disaditësh në Gjermani, paraqesin një kapitull të veçantë. Ngaqë ato nxjerrin në pah dimension njerëzor te një intelektuali krijues, bashkë me brezin që i takon, të cilin, historia e ngarkon me përgjegjësi politike që ta marrë përsipër drejtimin e procesit historik të shtendërtimit të Kosovës përmes rezistencës insitucionale aktive, por që atë e ballafaqojnë pashmangshëm me sfidat e brendshme dhe ato të jashtme, siç ishin ato në Rambuje dhe marrja peng nga ana e Millosheviqit, kur ai fillon të ndjehet si gjenerali Simon Boliviar i Markezit në “kurthin e vet…”
Kjo ndjenjë, nga e cila dr. Ibrahim Rugova nuk do të lirohet kurrë, në libër dëshmohet edhe nga “dosja gjermane”, që atij iu paraqit me rastin e qëndrimit disaditësh në Gjermani, kur ai, pas takimeve me Millosheviqin në Beograd dhe zyrtarët tjerë të lartë serb në Prishtinë gjatë prillit dhe fillimit të majit, sa ishte peng i Millosheviqit, nga Presidenti i Shqipërisë dhe nga ministrat shqiptarë, nxitueshëm shpallet “tradhtar”, hipotekë kjo që njëjtë do t’i ngarkohet edhe nga Hashim Thaçi dhe “Qeveria e tij e përkohshme” në Tiranë. Ndërkohë që “dosja gjermane” zbulon edhe dy komplote që Rugovës iu bënë nga bashkëpunëtorë të tij, nga radhët e LDK-së, të cilët filluan dy fushata paralele: njërën që t’i merrej posti i kryetarit të LDK-së me arsyetimin se në bisedime me Millosheviqin dhe lidhjet me të “kishte humbur kredibilitetin partiak” dhe, në tjetrën, që LDK-ja të hyjë në qeverinë e përkohshme të Thaçit pa pëlqimin e tij si president, ngaqë sipas vlerësimit të bashkëpunëtorëve të tij të deridjeshëm, atë e kishte humbur!
Nga ky këndvështrim, vepra e Jusuf Buxhovitt, “Vitet e Gjermanisë”, sjell një tablo kulturore dhe diplomatike të mozaikut të shtetndërtimit të Kosovës nga pjesë të ndryshme të një zhvillimi kompleks historik, ku personalitetet e caktuara, ndër ta dr Rugova, tashmë me vendin e merituar në altarin historik, shfaqen në kuadër të tyre, dhe jo jashtë ose “mbi to”, siç ndodh aty ku është e thadruar logjika e kultit të individit.
ObserverKult
Lexo edhe:
ROMANI “DUSHKAJA” E JUSUF BUXHOVIT, NJË VEPËR BRILANTE LETRARE…






