“Kronikë në zemër: këto ishin të ’90-tat” nga Rrezarta Reka Thaqi, së shpejti në duart e lexuesve

rrezarta reka thaqi

Shtëpia Botuese Littera këto ditë do ta sjell për lexuesit librin më të ri të autores Rrezarta Reka Thaqi “Kronikë në zemër: këto ishin të ’90-tat”

“Kronikë në zemër: këto ishin të ’90-tat” është një rrëfim personal, përplot kujtime të ruajtura në ditar për Kosovën e viteve të 90-ta,  përfshirë apartejdin, rezistencën dhe luftën.
Përmes një kombinimi narrativ, lexuesi udhëton në të shkuarën, por njëkohësisht takohet edhe me një shikim retrospektiv nga pozicioni i ditëve të sotme, mbi ngjarje e përjetime që autores i kanë lënë shenjë në jetë.

Autorja shpreson që libri do të zgjoj nostalgji te gjeneratat që e kanë jetuar atë kohë, e njëkohësisht do të zgjoj kurreshtjen e të rinjve që duan të mësojnë më shumë për të kaluarën.

“Atëherë çikë e re, me andrra, përtej dashnisë. Me zemrën që e linim krejt bashkë në sheshe. Të kalitun në rezistencë, kur terrin e orëve policore e kallnim me përplasje çelësash në ballkone. Në shkollat-shpija, ku përpinim frikën e përfytyronim masnej lirinë. Ishim këtu: të shtypun, po jo të mposhtur. Të gatshëm me vdekë, por mbi të gjitha, me jetu. Sot, dekada më pas, grua e madhe që kujton, e lirë. Me faqe ditarësh, mes kujtimesh të dhimbshme, shpërthyese, madhështore, ky është rrëfimi im për Kosovën dikur”, thotë ndër tjerash Reka Thaqi.

Ky është libri i dytë i Rrezarta Reka Thaqit. Më 2018 ka botuar librin “Zemra më e butë se barku”. Rrezarta shkruan për portale dhe revista të ndryshme kulturore dhe ka një përvojë të gjatë në sektorin e organizatave ndërkombëtare.

Libri “Kronikë në zemër: këto ishin të ’90-tat” është mbështetur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në Kosovë.

ObserverKult