Kryeministri Kurti mori pjesë në hapjen e edicionit të parë të Festivalit Ndërkombëtar të Fotografisë – FOTOIST

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në hapjen e edicionit të parë të Festivalit Ndërkombëtar të Fotografisë – FOTOIST dhe në ekspozitën “Rrethimi i Sarajevës”, të fotografit Paul Lowe.

Kryeministri Kurti tha se trajtimi i fotografisë si medium i barabartë me mediumet e tjera dhe padyshim përjetësimi i çasteve të jashtëzakonshme në një vend të rajonit tonë i cili ka vuajtur shumë nën rrethimin e forcave armike të organizuara nga Serbia asokohe, padyshim që bëhen bashkë në këto fotografi të cilët teksa janë të paharrueshme njëherë kur t’i shikojmë, gjithashtu na mësojnë se mënyra më e mirë për të mos harruar është duke kujtuar e përkujtuar, e aq më tepër kur kjo bëhet me një shije të lartë dhe me një estetikë të hollë.

Para shumë të pranishmëve, kryeministri Kurti theksoi se “në Qeverinë e Republikës së Kosovës, ne i japim prioritet artit edhe kulturës, sepse konsiderojmë që ato janë vetë sjellja e qytetarit në Republikë, e njëkohësisht edhe pjesë e rëndësishme e obligimit tonë për edukimin e gjithmbarshëm të të gjithë neve dhe të secilit prej nesh. Andaj, edhe ne mbështesim FOTOIST-in, dhe jo vetëm këtë’’, u shpreh ai.

Hapja e këtij festivali me ekspozitën “Rrethimi i Sarajevës”, sipas kryeministrit Kurti, na e paraqet edhe fotografinë e cila pasqyron tmerrin e gjenocidit në Bosnjë dhe Hercegovinë, të rrethimit makabër të Sarajevës, e që jo shumë vite më pas u përsërit edhe në Kosovën tonë të dashur, me ç’rast dhjetëra mijëra ishin viktimat pa dallim, vetëm dhe vetëm për shkak se dëshironin të jetonin në vendin e tyre dhe të lirë.

“Është kënaqësi të presim në Prishtinë mbi 25 artistë si pjesë e këtij festivali me veprat e tyre, me ekspozita, diskutime e shfaqje të filmave, e në mesin e këtyre pra janë edhe fotografët vendas si Jeton Karahoda e Ferdi Limani, por edhe artistë të famshëm si P.J. Harvey, Seamus Murphy, Paul Lowe, e Pierre e Alexandra Boulat’’, u shpreh kryeministri duke thënë se i falënderon të gjithë ata dhe shumë të tjerë të cilët na bëjnë të ndjehemi krenarë, që në kryeqytetin e Republikës sonë, këtu në shesh publik, për të gjithë qytetarët mund të jemi edhe nikoqirë, por njëkohësisht edhe shikues të veprave të cilat kanë rëndësi artistike, por edhe historike e kulturore.

Fjala e plotë e Kryeministrit Kurti në – FOTOIST

I nderuari fotograf i mirënjohur i yni dhe organizator i FOTOIST-it, z.Burim Myftiu,
I nderuari fotograf nga Britania e Madhe, Paul Lowe,
E nderuara zëvendëskryeministre Emilija Rexhepi,
I nderuari ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, HajrullaÇeku,
Të nderuar artistë e artdashës,
Të dashur qytetarë të Prishtinës dhe prej ngado që vini,
Të nderuar mysafirë, zonja dhe zotërinj,

Trajtimi i fotografisë si medium i barabartë me mediumet e tjera dhe padyshim përjetësimi i çasteve të jashtëzakonshme në një vend të rajonit tonë i cili ka vuajtur shumë nën rrethimin e forcave armike të organizuara nga Serbia asokohe, padyshim që bëhen bashkë në këto fotografi të cilët teksa janë të paharrueshme njëherë kur t’i shikojmë, gjithashtu na mësojnë se mënyra më e mirë për të mos harruar është duke kujtuar e përkujtuar, e aq më tepër kur kjo bëhet me një shije të lartë dhe me një estetikë të hollë.

Në Qeverinë e Republikës së Kosovës, ne i japim prioritet artit edhe kulturës, sepse konsiderojmë që ato janë vet sjellja e qytetarit në Republikë, e njëkohësisht edhe pjesë e rëndësishme e obligimit tonë për edukimin e gjithmbarshëm të të gjithë neve dhe të secilit prej nesh. Andaj, edhe ne mbështesim FOTOIST-in, dhe jo vetëm këtë. Dëshirojmë që nismat e ndryshme për artin, për kulturën, që na bëjnë edhe të kujtojmë të kaluarën tonë, e të kaluarën e të tjerëve të cilët kanë vuajtur e kanë pasuar gjatë luftës e para saj, të jenë në fokus edhe të shtetndërtimit demokratik por edhe të drejtësisë, të paqes e të pajtimit.

Hapja e këtij festivali me ekspozitën “Rrethimi i Sarajevës”, na e paraqet edhe fotografinë e cila paraqet tmerrin e gjenocidit në Bosnjë dhe Hercegovinë, të rrethimit makabër të Sarajevës, e që jo shumë vite më pas u përsërit edhe në Kosovën tonë të dashur, me ç’rast dhjetëra mijëra ishin viktimat pa dallim, vetëm dhe vetëm për shkak se dëshironin të jetonin në vendin e tyre dhe të lirë.

Është kënaqësi të presim në Prishtinë mbi 25 artistë si pjesë e këtij festivali me veprat e tyre, me ekspozita, diskutime e shfaqje të filmave, e në mesin e këtyre pra janë edhe fotografët vendas si Jeton Karahoda e Ferdi Limani, por edhe artistë të famshëm si P.J. Harvey, Seamus Murphy, Paul Loëe, e Pierre e Alexandra Boulat, për çfarë i falënderoj të gjithë ata dhe shumë të tjerë që s’po i përmendi të cilët na bëjnë të ndjehemi krenar, që në kryeqytetin e Republikës sonë, këtu në shesh publik, për të gjithë qytetarët mund të jemi edhe nikoqirë, por njëkohësisht edhe shikues të veprave të cilat kanë rëndësi artistike, por edhe historike e kulturore.

Faleminderit shumë Burim.

Ju faleminderit të gjithëve!

ObserverKult


Lexo edhe:

NESËR NË PRISHTINË NIS “FOTOIST”, FESTIVALI NDËRKOMBËTAR I FOTOGRAFISË