Kthim në identitet për Teqenë Helvetive në Berat

Tavani i Teqesë së Helvetive në Berat, i cilësuar si një nga thesaret më të çmuara në Europën Juglindore u nxor në dritë pas një pune të kujdesshme nga specialistët e Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore.

Drejtori i DRTK, Berat, Eugen Kallfani, tha në një prononcim për ATSH-në se “me ndërhyrjen e restaurimit të çatisë dhe të tavanit përmbushet një nga punët më të vlefshme në një nga monumentet më të rralla të kultit mysliman në qytetin e një mbi një dritareve”.

Sipas tij, punimet u përqendruan tek restaurimi i çatisë ku u hidroizolua struktura e saj.

“E gjithë struktura e çatisë u trajtua me vaj lini e antimol, si dhe u vendos shtresë hidrizoluese dhe është kryer qeramosje e të gjithë çatisë. Po ashtu janë kryer injektime në mure me llaç gëlqere, janë realizuar fugaturat, restaurimet e dritareve, të tavanëve të hajatit e të sallës së vogël e të madhe”, – nënvizoi Kallfani.

Kallfani u shpreh se gjatë punimeve “është kryer restaurimi i tavanit në çdo detaj, konsolidimi, pastrimi me kujdes, integrimi piktorik në çdo detaj. Punimet kanë vijuar gati 1 vit e gjysëm”.

Sipas tij, ka ende punime për ta mbyllur, por jemi drejt fundit.

“Sapo hoqëm skelën e madhe të sallës së lutjeve ku kanë dalë më në pah vlerat e monumentit si Mirabi, afresket murale, dritaret prej gipsi”, -tha Kallfani.

Teqeja e Helvetive e ndërtuar në vitin 1600 është një monument e cila paraqet një nga realizimet më të mira të arkitekturës në qytetin e Beratit. Teqeja është ndërtuar në shek XV-të dhe rindërtuar nga Ahmet Kurt Pasha në fund të viteve 70 të shekullit XVIII-të dhe i përket sektit të helvetikëve të cilët janë një nga sektet e Islamit.

Ajo është ndërtuar në lindje të Xhamisë Mbret, e rrethuar nga një oborr, në një tërësi me konakët. Përbëhet nga salla e lutjeve dhe nga një portik i hijshëm i cili paraprin hyrjen për në sallë. Dy dollapë në mur lindor si dhe një pritë që lidhet me një mjedis të vogël ndihmës. Në anën veriore dhe lindore salla e lutjeve ka një mafil-ballkon. Mafil-ballkoni ka në anën e poshtme tavan të lakuar në formë çerekrrethi.

Aty ndodhet gjithashtu dhe mauzoleumi i varrimit të pashait dhe të birit te tij. Ajo që të befason është tavani i saj i ndërtuar me dru, i dekoruar me piktura të cilat vlerësohen si me të bukurat e kohës së vet.