Kthim në identitet/ Restaurim afreskut në Berat

Në kishën e “Shën Triadhës” në Berat, ku janë përdorur me mjeshtëri shumë tipare të arkitekturës bizantine, po vijon restaurimi i afreskut nga specialistët e Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore.

Në këtë afresk, që ishte dëmtuar në pjesën më të madhe të tij, po ndërhyhet për kthimin e tij në identitet.

Sipas DRTK Berat specialistët restauruesit po kryejnë ditët e fundit procesin e konsolidimit të pelikulit të pikturës, në pjesën perëndimore të afreskut, në kishën e Shën Triadhës.

Kisha e Shën Triadhës në Berat është e tipit kryq i brendashkruar me kupolë. Në kishë janë përdorur me mjeshtëri shumë tipare të arkitekturës bizantine, që e bëjnë këtë monument një nga më interesantët dhe më piktoreskët në Kalanë e Beratit.

Në njërin mbishkrim të afreskut të Kishës së Shën Triadhës është shkruar emri i Andronik Paleologut, guvernator i provincës së Belgradit (Beratit) gjatë viteve 1302-1326. Në këtë shkrim shpjegohet se kisha mund të jetë ndërtuar në fillim të shekullit XIV me mbështetjen financiare të këtij guvernatori. Së bashku me ndërtimin piramidal, format dhe përmasat, i japin asaj një pamje piktorekse.

Programi ikonografik i përket ndikimit të shkollës paleologiane të shek. XIII-XIV me karakteristikë kryesore ngjyrat e theksuara dhe ndarjen e skenave në korniza të veçuara nga një shirit i kuq./ atsh