Të premten e 10 korrikut, në Turqi një gjykatë turke anuloi statusin muze të Shën Sofisë në Stamboll, një ndër vendet kulturore me famë botërore, duke bërë të mundur që ajo të shndërrohet sërish në një xhami.
Vendimi ka ngjallur reagime të shumëta ndërkombëtare, mes të cilëve ka ngritur zërin edhe nobelisti Orhan Pamuk i cili duke shprehur zemërimin e tij thekson se shndërrimi i kishës në xhami tregon se turqit nuk janë më laikë.
“Janë miliona turq laikë, si unë, që qajnë kundër këtij vendimi, por zërat e tyre nuk dëgjohen. Shndërrimi i saj në një xhami, po i tregon pjesës tjetër të botës, se për fat të keq ne nuk jemi më laikë”, u shpreh nobelisti për BBC, duke shtuar se vendimi i Ankarasë hoqi krenarinë që kishin disa qytetarë turq, se po jetonin në një komb laik mysliman.
Por Erdogan ka riktheksuar se vendimi përfundimtar për statusin e Hagia Sophia ka të bëjë me kombin turk dhe me asnjë tjetër.
“Është çështje jona e brendshme.”- ka thënë lideri turk./ObserverKult