Kujt mund t’i shkonte në mend se një bari dhish do të bëhej guvernator

letra e tereza panços per sanço pançon

Letra e Teresa Panços për burrin e saj, Sanço Pançon

(Fragment)

I dashuri i shpirtit tim, Sanço, e mora letrën tënde dhe, si e krishtere katolike, të betohem se për një çikë gjë desh u çmenda nga gëzimi dhe lumturia.

Shiko, i dashur: kur mora vesh që je bërë guvernator, mendova se do të bija përdhe, e vdekur nga gëzimi i madh, sepse ti e di që thonë se gëzimi i papritur vret po aq sa hidhërimi i madh.

Kësisoj, jot bijë, Sançiça, nga gëzimi, nuk u përmbajt dot dhe u përmor në brekë. Ajo mbante përpara duarve rrobat që më dërgove ti, letrën tënde dhe të Dukeshës, ndërsa në qafë kishte varur rruazat me korale që më dërgoi zonja ime, Dukesha, ndërkohë që prurësi i tyre qëndronte përpara saj.

Kur lexuam letrën tënde, mua, të betohem, edhe pse e mendoja dhe e besoja, gjithçka m’u duk si një ëndërr. Sepse kujt mund t’i shkonte në mend se një bari dhish do të bëhej guvernator i ishujve?

Ti, or mik, besoj e mban mend që ime ëmë thoshte se duhej të jetonte shumë për të parë shumë. Them kështu sepse mendoj që, sa më shumë të rroj, aq më shumë do të shoh dhe se, nuk kam në plan të pushoj së jetuari, derisa të të shoh si qiradhënës ose si taksidar, zanate që edhe pse janë t’i marrë djalli, në fund të fundit, ato gjithmonë të sjellin shumë para.

Zonja ime Dukesha do të të thotë se sa dëshirë kam që të shkoj në kryeqytet, prandaj, mendoje mirë dhe më njofto nëse je në një mendje me mua, sepse vërtet vdes nga dëshira ta bëj këtë udhëtim e kapardisur në një karrocë.

Përktheu: Bajram Karabolli

ObserverKult

Lexo edhe:

10 KURIOZITETE PËR DON KISHOTIN, BOTUAR PËR HERË TË PARË MË 16 JANAR 1605