“Kujtesa e ujit”, pikturat e Matoshit prekin shqisën, mendjen dhe imagjinatën

“Kujtesa e ujit” është titull shumë atraktiv për ekspozitë artistike, por edhe një koncept artistik shumë i veçantë i Halil Matoshit.

Nga Shemsi Krasniqi

Pikturat e tij, përveçse të bukura e domethënëse, me mesazhin e tyre prekin shqisën, mendjen dhe imagjinatën, e sidomos prekin kujtesën – kujtesën sociale për ujin, për çeshmet bri udhëve, krojet e katundeve, shadërvanat dhe fontanat e qyteteve, lumejt, urat, mullinjtë, ujëvarat dhe gajzerët, shiun dhe rrebeshet e tij, lotin dhe rrebeshet e kohës…

Halil Matoshi, n’këtë rast si piktor, përmes ekspozitës personale na i përkujton të mirat e ujit, bukurinë, por edhe fuqinë e tij, madje edhe të currilave të tij, te cilët gërryejnë, shpojnë dhe lënë gjurmë të pashlyeshme aty ku dalin, ku rrjedhin dhe kah shkojnë.

Në secilin punim të tij, currilat e ujit shfaqen si një shenjë artistike dhe njëkohësisht semantike, si një kujtesë për këtë burim jete, për këtë resurs planetar, i cili rrjedh kudo nëpër damarët e Tokës, por për të cilin përsëri ndihet mungesë.

Uji pra prej vetë natyrës së tij, rrjedh, rrjedh teposhtë kudo e kahdo, derisa prehet diku në det a oqean; e pikturat e Halilit, përkohësisht e ndalin atë në kujtesën tonë.

E ndalin aty, jo vetëm si nostalgji dhe estetike, por edhe si ekologji, si mjedis jetësor, si esencë dhe ekzistencë.

E ndalin aty për të na përkujtuar që të kemi drojën përherë për të, për këtë kusht jetese, pasuri natyrore, përvojë, nevojë dhe punë njerëzore, e të mos harrojmë, edhe lojë fëminore. Uji është realiteti dhe identitet i vetë kësaj jete, kësaj bote dhe kësaj Toke.

Ekspozita e Halil Matoshit “Kujtesa e ujit”, veç tjerash, na thot se n’kujtesën tonë, si një reminishencë, rri uji, ose së paku, rrijnë gjurmët e pashlyeshme të tij …

Faleminderit Halil për ekspozitën dhe për librin “The Lil’s poem”, t’cilin s’ke se si mos me e lexu! Pata kënaqësinë që bashkë me Sadikun ta vizitoja këtë ekspozitë dhe ta merrja librin si dhuratë!

ObserverKult  


Lexo edhe:

MË 10 GUSHT HAPET EKSPOZITA “KUJTESA E UJIT” E HALIL MATOSHIT

“Kujtesa e ujit” është ekspozita personale më e re e Halil Matoshit që do të hapet së shpejti.

“Në ditëlindjen e tretë të Medias 10, më 10 gusht, 2023, në ambientet e televizionit, me fillim nga ora 19:00 do të hapet ekspozita personale dhe performanca “Kujtesa e ujit” e Halil Matoshit”. Kështu thuhet në ftesën e dërguar nga organizatorët.

Ekspozita do të jetë e hapur për publikun prej 10 deri më 20 gusht.

Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult