Kujtim Shabani: Mbiemri i trëndafilit

(Shënim ditari për Ditën Botërore të Librit)

Nga Kujtim Shabani

Ç’të bëj diçka me kuptim për Ditën Botërore të Librit? Ja, për shembull, mund të bësh një inventar të librave që ke. Kjo është mirë, përveç tjerash, sepse janë bërë goxha dhe kohët e fundit ke filluar ta porosisësh ndonjë libër për herë të dytë. Sepse ti ke shprehinë që çdo libër të mirë ta kesh në bibliotekë. Që të jesh rehat se nuk do të të ikë. Ngutesh ta blesh një libër, se kur e ke blerë atë, do ta lexosh më vrik. Nganjëherë të duket se kur e ke blerë një libër, me këtë e ke lexuar gjysmën.

Nuk është keq se e bleve një libër dy herë. Vrik do ta qërasësh me të ndonjë mik që i do librat. Mirë është edhe që sot t’i ndash mënjanë librat që i ke huazuar dhe s’ua ke kthyer të zotëve të tyre. Qoftë ky edhe një libër i vetëm. Ata do të gëzohen për këtë. Edhe nëse vetë nuk janë edhe aq të kënduar, mbase janë fëmijët. Atëherë je më i qetë dhe mund të bësh edhe listën e librave që s’ti kanë kthyer ty dhe t’ua nisësh borxhlinjëve nga një mesazh në celular.

Vazhdo të blesh libra për së dyti. Ti nuk do ta katandisësh bibliotekën tënde pa romanin “Dashuria në kohërat e kolerës” të Gabriel Garcia Marquez. Një tragjedi me fund të lumtur!, vetëm se humbi pa nam e nishan. S’ka asnjë të keqe të blesh libra për së dyti. Një botim më të goditur se i pari. I pari është kujtim, i dyti frymëzim. Bleje, për shembull, çdo botim të “Gjeneralit të ushtrisë së vdekur”. Tanimë i ke tri botime të tij. Po e lexove secilin, s’ke humbur asgjë. Pos tjerash, do ta shohësh si ka ndryshuar ai ndër vite. Bleje prapë atë librin që ta zhgarraviti çuni, i fiksuar pas tij kudo që ia ndërroje vendin në raft. Dhe dhuroja atë për një ditëlindje kur të rritet.

Në Ditën Botërore të Librit mund të nisësh të lexosh ndonjë libër të ri, të cilin e ke në listën e librave që do t’i lexosh patjetër njëherë. Mbase sapo ke filluar ta lexosh ndonjë libër tjetër. Mbase je duke i lexuar dy libra në një kohë. S’prish punë, nise edhe një të tretë, a të katërt. Kur e ke filluar një libër, do ta mbarosh më parë se pa e nisur atë. Nëse s’ke ide ç’të lexosh, shihi njëherë këto listat e dëgjuara të “Le Mond”, të BBC-së apo të “Die Zeit”. Ata nuk ia futin kot. Apo thirre atë librin me 1000 recensione romanesh…

Për ta nderuar Ditën Ndërkombëtare të Librit mund ta blesh një libër të ri, të cilit ia ke vënë syrin prej kohësh. Mu sikur e blen një petk të ri për festë. E di çka? Në Ditën Botërore të Librit bleje njëherë kompletin e librave të një autori! Ashtu siç e blen një kostum të ri. Kanë dalë kohëve të fundit disa komplete të prerë e të qepur mirë. Sado e kanë komprometuar atë politikanët. I ke parë ato intervistat në Skype me në sfond gjithmonë kompletin e Ismail Kadaresë. Sikur e shëtitin atë vitrinën nga njëri te tjetri.

Ja, e ke këtë kompletin e Rexhep Qosjes. Aty i gjen ca libra të përmendura të tij të para viteve ’90-të. Po shih njëherë si është i ndërtuar ai, dhe vendos. Në komplete i ngjeshin shpesh nga dy-tri vepra. Kjo ta prish qejfin. Dhe sheh që romanin “Vdekja më vjen prej syve të tillë” e kanë trusur në një vëllim me një dramë. Sa keq që këtë roman të hershëm postmodern të letërsisë shqiptare s’e kanë lënë vetëm. Dy herë e ke blerë atë:  Një ia fale një miku që s’e gjente kund dhe çmendej pas tij; pastaj e bleve një botim jo në dinjitetin që e meriton, po ishte i lumtur se e gjete fare. Ja tani një ters tjetër!

Kur fut hundët ekonomia në kulturë nuk shkon mbarë. Ky libër bashkë me një tjetër, është një huqje. E ka thënë edhe vetë autori në një intervistë, që romanin “Vdekja më vjen prej syve të tillë” dhe monografinë për Naim Frashërin i ka më përzemër. A s’e folën konceptin e kompletit fare me autorin? A s’i bëri atij përshtypje kjo? A s’ua preu që nuk shkon kështu? E vetmja që mund t’i ngjitej atij do të ishin konsiderata dhe kritika të përmbledhura në një aneks. Apo shënime të autorit për këtë roman. Ai duhet të ketë diçka në arkivin e tij.

Ç’mund t’i ngjesësh romanit “Emri i trëndafilit”? Romanit të parë të Umberto Ecos, të cilin e ka shkruar me 50 vjet. Një monument i romanit postmodern. Art, histori, shkencë, filozofi… Ajo është vepra që ka bërë kaq bujë, që ka zgjuar kaq dilema e pyetje. Vetëm titulli është një debat më vete. Aq sa autori vendosi ta shkruajë një libër përcjellës prej rreth 100 faqesh, “Shkrime prapavajtëse të ‘Emrit të trëndafilit’”. Një “mbiemër i trëndafilit”, ku ai e qas lexuesin pas kulisave të shkrimit të këtij libri. Vetëm kjo do t’i shkonte t’ia ngjisje këtij romani.

Në Ditën Botërore të Librit vazhdo të pledosh për botime të mira, të bukura, të prera e të qepura për shtat. Si libra të tjerë në gjuhë të huaja që i ke në bibliotekën tënde. Një botim i rrallë si “Daullja e llamarinjtë” e Günter Grass do të të pëlqente fort; me dy mbulesa: një me një imazh aktual, një tjetër me atë të botimit të parë fare, të dyja nga vetë autori. Një botim i veçantë i poezive të Lasgush Poradecit, me dy penj që t’i ruajnë faqet ku ke mbetur, apo poezitë që ke zgjedhur, do të të kënaqte shumë.

Një botim i mirë, special, i romanit “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo” të Dritëro Agollit do ta pasuronte dhe zbukuronte bibliotekën tënde. Ky, për shijen tënde prej adhuruesi të letërsisë, është mbase romani më simpatik që ka letërsia shqiptare. Prandaj bëre mirë që e bleve dje botimin e ri të “Don Kishotit”, përkthyer nga Noli dhe Petro Zheji. Ky roman i Miguel de Servantesit është arketipi i romaneve dhe personazhëve si “Zyo”. Ai nga shumëkush konsiderohet si romani më i mirë i shkruar ndonjëherë.

Tani atë botimin e vjetër të Don Kishotit, me kapakë të kuq, do t’ia kthesh kushëririt. E ke përmendur vetë në një shënim ditari se ia ke marrë dhe s’ia ke kthyer më.

ObserverKult


Lexo edhe:

KUJTIM SHABANI: Ç’JANË KËTO RRUGË, MOS QOFSHIN KURRË…