Duke qenë njeri i teatrit, mund të gjenden disa foto nga jeta artistike e Kujtim Spahivoglit, një prej Hamletëve shqiptarë të mesit të viteve ’60, por është një foto e realizuar pasi skena iu ndalua, ku Kujtimi, i veshur me pantallona të grisura, çizme llastiku dhe duke mbajtur në dorë një mistri, shfaqet i qeshur, me atë të qeshurën e njeriut të çiltër që nuk arrin të besojë te e keqja. Është një foto nga tragjedia e vërtetë e jetës së Kujtim Spahivoglit.
Kujtimi, i lindur në Lushnjë në vitin 1932, në vitet ’50 studioi në Moskë, ku ishte një nga studentët brilantë, siç do e quante atë shtypi rus i kohës. Kur erdhi në Tiranë, nuk do të magjepste vetëm me talentin, por edhe me profesionalizmin që solli në teatrin shqiptar. U bë shef i degës dramatike në Institutin e Lartë të Arteve, duke u shndërruar në një nga shtyllat e shkollës së teatrit. Themeloi Teatrin e Rinisë, ku aktivizoi studentët e tij, sot aktorët më të njohur të Shqipërisë dhe entuziazmoi publikun me rolet që interpretoi dhe veprat që vuri në skenë si regjisor. Ai sillte risi në skenë. Ai ishte një talent dhe një shkollë. Kujtimi ishte në vendin e duhur, në kohën e duhur për të qenë një gur themeli i teatrit modern, por papritur, ai u gjend në vendin e gabuar, në kohën e gabuar.
Kishte shkëlqyer me dramën që e kishte shkruar vetë “Një shok i klasës sonë”, kishte pasur sukses me një varg veprash të tjera që kishte vënë në skenë, por ndërkaq në Shqipëri kishte mbërritur viti 1973, kur do të niste goditja ndaj artit, kulturës dhe letërsisë.
Në 7 janar, në mbledhjen e kryesisë së shtetit, Enver Hoxha dënon publikisht festivalin e 11-të dhe gjithë gjendjen kulturore. Në një tjetër mbledhje në maj 1973, kritikohen disa shkrimtarë si të ndikuar nga shfaqje të huaja, mes të cilëve përmendet edhe Kujtim Spahivogli. Shfaqja e tij “Një shok i klasës sonë” cilësohej që mbante “erë liberalizëm” dhe predikonte “shthurjen e shoqërisë sonë”. Pleniumi IV i Partisë së Punës, i mbajtur atë vit, shkaktoi një furtunë të vërtetë në art. Kujtimi u çua për riedukim në Fier. Duhej dënuar ai si liberal, për të pasur më shumë material në dënimin e përgatitur tashmë për Fadil Paçramin, të cilit Spahivogli i kishte vënë disa pjesë në skenë.
Familja e tij kishte mbështetur luftën nacionalçlirimtare, ai ishte një komunist idealist që besonte se Partia nuk mund t’i bënte keq kujt. Kjo duket e pabesueshme, por Kujtimi kaq pabesueshmërisht naiv ishte.
Leka Bungo, gjithashtu i dërguar për riedukim në Patos, kujton në programin e TCH, takimin e parë me Kujtimin në Fier, kur ai sapo kishte mbërritur atje. I kishte thënë që do të vinte ndonjë pjesë në skenë, do t’u thoshte njerëzve me pushtet të Fierit që do të vinin për të parë shfaqjen ndonjë fjalë për Leka Bungon, kështu që dhe ai do të kthehej shumë shpejt në teatër. Mirëpo kur kishte shkuar në Komitetin Qendror të Fierit, as e kishin lënë të hynte brenda. Ai shkonte atje me idenë që ishte anëtar Partie. Ai mendonte që do të punonte si regjisor, por i kishin thënë që ishte përjashtuar nga Partia dhe duhej të paraqitej në Komitetin Ekzekutiv për të marrë fletën e punës.
Regjisori i njohur dërgohet në Mbrostar-Ura të Fierit për të punuar si hekurkthyes. Dhe banon i vetëm në një barakë, si një personazh tragjedie. Shumë shpejt duart e tij nuk do të dukeshin më si duar njeriu, por shpirti i tij vazhdonte të mos e humbiste pastërtinë fëmijërore.
“Një herë, tregon Leka Bungo në Exclusive, kur unë shkoja për të ngarkuar rërë, shoh Kujtimin që ngiste një zetor të vogël. Ndalon. Më thërret dhe mua të zbres. Merr nga makina një pako të vogël të mbështjellë me gazetë dhe më fton të hanim. Kishte dy feta bukë, një vezë të skuqur, një presh dhe gjysmë domate. Pastaj, u thotë atyre punëtorëve që ishin prapa te zetori i tij: Merreni ngarkojeni pak këtë rërën për këtë, se nuk di ky, është artist. Do ju jap nga 20 lekë të pini nga një teke. Ata u gëzuan”.
Më pas nis punë në bonifikim, në Povël të Mallakastrës, ku ishte paraqitur me letrën përkatëse të Komitetit të Fierit në duar te përgjegjësi i sektorit Sulejman Bella. Sula është burri tjetër në foton e Kujtim Spahivoglit si punëtor krahu, i cili e kishte ruajtur me fanatizëm për vite të tëra foton. Për pak do të arrestohej edhe ai për atë pak ndihmë që u mundua t’i ofronte Kujtimit. “Ishte njeri plot kulturë. Plot humor e i jashtëzakonshëm. Nuk mund ta lija të flinte në kapanon, ndaj e sistemova te një dhomë te vatra e kulturës, për të cilën dhe më spiunuan e bënë mbledhje urgjente partie për të më dënuar”, ka thënë ai para ca kohësh, për një shkrim të publikuar te Shqiptarja.com.
Ka treguar në atë shkrim për kohën që Kujtimi kaloi në Povël. “Kujtimi qëndroi një vit e gjysëm me mua në Povël të Mallakastrës. Ishte i përvëluar për të bijën, atëherë e vogël 5 vjeç ndoshta. Ndamë bashkë ditë e net plot biseda e rrëfime dhe kur iku më la një tjetër thesar që dua t’jua tregoj: Çfarë mendon për Enver Hoxhën e pyeta pasi krijuam besim të plotë te njëri-tjetri.“E ke parë filmin Ali Baba me 40 hajdutë? Më pyeti. Por në vend të 40 hajdutëve, vendos 40 injorantë. Ky është Enver Hoxha”.
E vërteta kishte arritur të depërtonte edhe në shpirtin idealist të Kujtimit.
U kthye në Tiranë në vitin 1979, por jo në jetën artistike. Bashkëshortja ishte ndarë me të pas presioneve të shumta, por ishte afër me të bijën me të cilën ndante një dashuri dhe admirim të fortë e të palëkundur pavarësisht dallgëve që i goditën. Kishte edhe nënë Durien.
Në një foto të atyre kohëve, Kujtimin e shohim pa buzëqeshjen e tij. Nuk është ndonjë rol që e ka plakur para kohe, por vuajtjet që i përjetoi heshturazi. Ishte dhe i sëmurë. Kujtim Spahivogli, ndërroi jetë në 7 korrik 1987, në moshën 55 vjeç, i goditur nga infarkti i tretë.
Ikja e tij nga kjo jetë ishte një dhimbje për të gjithë ata që e njihnin dhe pashmangshmërisht e çmonin. “Atë ditë ndodhi një vepër solidare e jashtëzakonshme dhe tepër emocionante. Tirana dhe Shqipëria nuk ishin mësuar të prisnin një shfaqje të atillë antikonformiste… Ishte ende viti 1987… Kujtimi, ky artist i përjashtuar nga vëmendja publike, ky njeri i dënuar politikisht, i paqasur tashmë në rrethet artistike, megjithatë shkaktoi një keqardhje të madhe. Papritur, artistët e Teatrit Popullor, në shenjë zie të pazhurmshme kërkuan dhe nuk hasën shumë rezistencë që ta anulonin shfaqjen e tyre të mbrëmjes. Në nderim të Kujtimit që atë ditë e priste dheu i ftohtë, anuloi shfaqjen e saj edhe Estrada e Tiranës. E anuloi bile edhe Cirku Kombëtar! Kjo bëri një përshtypje të madhe. Edhe pse kishim një vdekje, ky gjest solli një dritë gëzimi…”, shkruan Pëllumb Kulla.
E megjithatë Kujtimi u largua pa marrë atë që i takonte, u ndalua të jetonte dashurinë për të cilën ishte i prerë, u dënua pavarësisht gjithçkaje i dha teatrit shqiptar. Emri i tij iu vu vite më vonë teatrit eksperimental në Tiranë, për të nderuar kontributin e tij në ndërtimin e teatrit profesionist në Shqipëri, por edhe themelimin e Teatrit të Rinisë. Këtë vit ajo godinë u shemb dhe nuk dihet çfarë do të ngjasë me emrat në godinën e re. Dihet vetëm që gjithmonë do mbetet Kujtimi… /Kujto.al/