Kujtimet e gjuhëtarit Bahri Beci: Si u shndërrua konferenca e drejtshkrimit në një kongres partie

Nga një konferencë për gjuhën shqipe, standardin, gjuhën letrare e drejtshkrimin, u kthye në një kongres partie. Një nga dëshmitarët dhe pjesëmarrësit e Kongresit të Drejtshkrimit, gjuhëtari Bahri Beci na tregon se çfarë ndodhi në këtë ngjarje, që do të shënjonte gjuhën shqipe.

Kjo dëshmi vjen si pjesë integrale e librit të tij “Përjetime 1936 -2021”, botim i UET Press.

Beci ndan me lexuesin kujtime e përsiatje që nga fëmijëria e tij e hershme rrugicave të Shkodrës, e deri tek argumentimet për debatin kulturor e sociologjik në vend, ravijëzon tri kohë historike të Shqipërisë: gjatë viteve 1936-1944, kur në Shqipëri ishte vendosur sistemi kapitalist dhe ekonomia e tregut; gjatë viteve 1944-1990, kur në Shqipëri u vendos sistemi komunist dhe ekonomia e centralizuar; gjatë viteve 1990-2021, kur në Shqipëri u rivendos sistemi kapitalist dhe ekonomia e tregut.

“Shqipëria dhe shqiptarët gjatë këtyre tri epokave janë përpëlitur si një anije pa vela në mes dallgëve të detit”, thotë akademiku.

Përmes publicistikës, ai sjell ngjarjet vendimtare të kulturës: nga Kongresi i Manastirit deri tek ai i Drejtshkrimit; rrugëtimin e vështirë të një shkencëtari të gjuhës në korridoret e ngushta të doktrinës politike; skicën e formimit të atij që profesor Besi e quan “Homo ideologicus”, sipas tij, dëmi më i madh që i ka bërë shoqërisë shqiptare diktatura komuniste.

“Ishte krijuar njeriu ideologjik, që është e keqja më e madhe e këtij vendi në të dyja kohët”, thotë profesori, ndërsa përshkruan kulisat e ndërtimit të “elitës së re” me urdhër dhe bekim politik.

“Për mua ka qenë e rëndësishme e vërteta dhe do ta lexoni këtë të vërtetë aty, që ta dini se ka edhe një variant të tillë shpjegimi. Unë nuk kam bërë ndonjëherë, refuzim apo mohim të gjuhës letrare. Unë jam marrë me argumentet shkencore. Gjuha e vendosur si standard, ka qenë më shumë një gjuhë gazetash, një gjuhë burokratike, më shumë se një gjuhë letrare e mirëfilltë; këtu përjashtoj shkrimtarin e madh Ismail Kadare, i cili diti ta lëvrojë gjuhën, ta shpëtojë nga ngurtësimi”, thotë ai në lidhje me standardin e gjuhës shqipe.

Nga libri i tij “Përjetime 1936 -2021”, shkëpusim pikërisht këtë ngjarje të madhe për gjuhën shqipe, Kongresin e Drejtshkrimit.

BAHRI BECI

NË POSTIN E SEKRETARIT SHKENCOR

Në një mbledhje të Institutit, me “propozimin” e Jorgos, u zgjodha sekretar shkencor i Institutit.

Për mua, sigurisht, kjo ishte diçka e papritur, po kuptohej që ajo nuk qe aspak një rastësi, po shprehje e një qëndrimi të caktuar. Pra, pas politikës së kërbaçit, po ndiqnin politikën e kulaçit.

Tani sikur kërkonin të më merrnin me të mirë. Me sa duket, drejtori donte të jepte prova se ai nuk kishte pasur dhe nuk kishte gjë me mua, se ai më donte e më respektonte, madje edhe më vlerësonte. Sigurisht, tani për mua çdo gjë ishte e qartë, tani nuk isha më naiv, madje mund të them se isha bërë shumë vigjilent e kërkoja si i thonë, qimen në qull.

Detyrën e sekretarit shkencor e kryeja me përkushtim të veçantë, po nuk harroja për asnjë moment që detyra ime kryesore ishte puna shkencore. Ato vite (1972-1975) kam punuar si asnjëherë tjetër. Luante rol që kisha një dhomë pune më vete, po edhe mundësia për të më goditur në ato momente ishte pothuajse minimale, në njëfarë mënyre ishte nënshkruar një pakt i përkohshëm mossulmimi, të cilin, me hir ose pa hir, ishte i detyruar ta pranonte, të paktën formalisht, edhe shoku Jorgji, ndonëse isha i sigurt që në ndërgjegjen e tij, po jo vetëm të tij, nuk kishte depërtuar as edhe një rreze e dobët drite. Për atë dhe shokët e sojit të tij, unë nuk isha veçse një konkurrent që nuk duhej lejuar të kapërcente pragun e vendosur prej tyre, pra, bashkekzistenca me Jorgjin, po jo vetëm me Jorgjin, kërkonte si peng personalitetin. Që të bashkëjetoje me ta, duhej të mendoje si ata, të veproje si ata, t’u shërbeje atyre etj., etj.

KONGRESI I DREJTSHKRIMIT

Ka kaluar shumë kohë dhe shumë gjëra kanë filluar të fashiten nga kujtesa, megjithatë disa gjëra kanë mbetur si dëshmi e asaj kohe, po edhe e asaj mënyre të menduari e të jetuari. Etja për lavdi dhe mania për t’u imponuar me gjëra “të mëdha” ishte bërë një mënyrë të menduari e të jetuari në Shqipëri.

Shoqëria shqiptare ishte si një tullumbace tepër e fryrë që vërtitej sa andej-këndej, po pa e ditur se ku po shkonte. Po, gjithsesi, tullumbacja tërhiqte vëmendjen dhe dikë edhe e befasonte me ngjyrën dhe bukurinë e saj, me lëvizjet e saj jo uniforme. Pra, tullumbace shteti, tullumbace shoqëria, tullumbace institucionet, tullumbace drejtuesit e tyre. Të gjithë kërkonin të bënin gjëra të mëdha, të gjithë kërkonin t’i imponoheshin shoqërisë me bëmat e tyre. Partia bënte Kongrese, shteti mitingje madhështore dhe mbledhje solemne, institucionet shkencore konferenca kombëtare dhe ndërkombëtare.

Një konferencë e tillë ndërkombëtare u organizua nga Instituti i Historisë. Jehona e saj u ndie anembanë vendit. Ishte një ngjarje. Vështirë që pas asaj konference do të mund të organizohej një tjetër si ajo. Dhe organizatorët e saj ishin heronjtë e ditës. Për ta flitej kudo, edhe në zyrat e larta të shtetit, edhe në kafene, edhe nëpër shtëpi, po edhe në rrugë, ishte, pra, bisedë e ditës. Dhe askujt nuk i shkonte në mend në atë kohë se, shumë shpejt pas saj, do të organizohej një tjetër veprimtari shkencore që do të bënte të harrohej konferenca e organizuar nga Instituti i Historisë. E ky do të ishte Kongresi i Drejtshkrimit që është vlerësuar si “një fitore e vijës marksiste të PPSH-së për zgjidhjen e problemit të gjuhës sonë letrare kombëtare”.

Pra, fitore e PPSH-së dhe jo e popullit shqiptar.

E vërteta është se edhe sot nuk e kam shumë të qartë se kush ishte nismëtari i vërtetë i Kongresit të Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe. Megjithatë, duke qenë në pozitën e sekretarit shkencor të Institutit dhe, dashur pa dashur, shumë pranë drejtorit të këtij institucioni, kam pasur rastin të jem relativisht i informuar për këtë veprimtari. E vërteta është se diskutimet për Rregullat e drejtshkrimit të shqipes, Projekt që ishin botuar më 1967, kishin hyrë në fazën e fundit të tyre. Pra, kishte dalë nevoja e organizimit të një veprimtarie që do të finalizonte diskutimet e bëra dhe t’i jepte një formë përfundimtare drejtshkrimit të gjuhës shqipe. Kjo ide, me sa duket, u përcoll në organet e larta të shtetit dhe të partisë. Kuptohet që në atë kohë pa aprovim nga lart nuk mund të bëje asgjë. Aso kohe, në Komitetin Qendror me problemet e kulturës dhe të shkencës merrej Kahreman Ylli.

-Ka një mendim që ta kthejmë në Kongres, Konferencën për drejtshkrimin,- më tha drejtori në një moment dhe iu referua një bisede telefonike me Kahremanin.

-Fola me të në telefon dhe më tha pse nuk e bëni Kongres, si atë të Manastirit?

Kostallari duket se nuk ishte i përgatitur për këtë dhe ndihej sa i gëzuar, aq edhe i shqetësuar, po nuk kaloi shumë dhe pyetja nga lart mori formën e vendimit, pra, jo konferencë, po kongres, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve nga të gjitha trevat shqiptare. Dhe kaq mjaftoi dhe Kostallari u hodh në sulm me gjithë potencialin e tij për të organizuar një veprimtari më të bujshme se ai i organizuar nga Instituti i Historisë. Ndihej qartë se po përvijohej në kokën e drejtorit ngjarja që do t’i jepte atij lavdinë e kërkuar.

U hartua platforma, u përcaktuan njerëzit që do të ftoheshin dhe kumtuesit. Këto bëheshin si fshehurazi, nuk ishte shumë e qartë se si bëheshin, po një gjë dukej qartë, njerëzit e partisë ishin të gjithë në lëvizje, dukej sikur po organizohej një Kongres partie, e jo një konferencë shkencore. Megjithëse sekretar shkencor i Institutit, ndihesha disi si i mënjanur nga njerëzit e partisë që nuk linin njeri t’u hynte në mes. Gjithsesi, pozita që kisha nuk më linte të rrija indiferent, po edhe shumë aktiv nuk tregohesha, se do të nxisja reagimin e tyre. Një gjë më kishte rënë në sy që, Kostallari nuk kishte shumë besim te kolegët e tij të organizatës dhe, herë pas here, kur nuk ndodhej në Institut, më drejtohej mua për të marrë informacione mbi mbarëvajtjen e punës. Kuptohej se pas atyre që kishin ngjarë në vitet e revolucionit kulturor të tipit kinez (1966-1969), ndërmjet tyre ishin krijuar probleme; e vërteta ishte se flisnin pa konsideratë për njeri-tjetrin. Midis tyre kish ndodhur çarja e parë e madhe.

Kumtesat dhe kumtuesit

Një gjë ishte e qartë: në kongres do të merrnin pjesë dhe do të mbanin kumtesa njerëz që kishin dhënë “prova” të aprovimit pa rezervë të projektit ose, siç thuhej atëherë, “njerëz të devotshëm”

Dhe, me të vërtetë, asnjë gabim për sa i përket zgjedhjes së njerëzve që do të ftoheshin për të marrë pjesë, ose për të kumtuar. Dhe më vjen në mend pyetja e A. Klosit drejtuar J. Bulos, “si mund ta quajë shpirt të kombit dr. Bulo një Kuvend, i cili nuk thërriti asnjë nga përfaqësuesit e qarqeve kulturore të sipërpërmendura? Përse nuk u ftuan as Ernest Koliqi, as Zef Valentini, as Martin Camaj, as Arshi Pipa, as Gjon Sinishta, as Sami Repishti, as Anton Logoreci e sa të tjerë që vazhdonin të shkruanin në mërgim variantin letrar gegë?” .

Asnjë “gabim” edhe për sa u përket kumtuesve dhe kumtesave që do të mbaheshin. Ku ishte parë që temat e kumtesave të një kongresi shkencor të përcaktoheshin nga drejtori i Institutit dhe sekretari i partisë, në bashkëpunim edhe me ndonjë vegël tjetër të tyre? Të gjitha këto fshiheshin prapa emrit të të ashtuquajturit komision organizues i Kongresit të Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe, ku figuronin edhe emrat e të ftuarve nga Kosova dhe nga arbëreshët e Italisë, po që nuk dihej ende nëse do të vinin apo jo në Kongres.

Mbaj mend që, kur po flitej se të ftuarit nga Kosova nuk do të vinin, e pyeta Kostallarin:

– A do të mbahet kongresi po të mos vijnë kolegët nga Kosova?

– Patjetër që do të mbahet, -më tha.

Pra, kongresi do të mbahej edhe sikur përfaqësuesit nga Kosova të mos vinin.

Në një takim në drejtorinë e Institutit u diskutua edhe për kumtesat e punonjësve të tij. Më pyetën edhe mua se çfarë kumtese do të mbaja. Do të flas për parimet e drejtshkrimit të shqipes, u thashë. Me të mbaruar takimi, Kostallari më thirri në zyrë dhe më kërkoi hollësira lidhur me kumtesën që do të mbaja. Ishte i shqetësuar, ndoshta edhe kishte të drejtë, se në një mbledhje për diskutimin e projektit në Institut, unë kisha deklaruar se parimi themelor i drejtshkrimit të shqipes nuk është parimi fonetik. Ka qenë i jashtëzakonshëm presioni që të ndryshoja temën e kumtesës. Në pamundësi për të rezistuar para presioneve të një natyre jashtëshkencore, kam kërkuar të flas për parimin tradicional të drejtshkrimit, që nuk përbënte sipas Kostallarit një fushë me mina për të. Ishte një kompromis që, gjithsesi, më linte një dritare të vogël hapur për të thënë diçka nga vetja ime.

Pra, arkitektura e zbatuar nuk linte shteg për devijime, të papritura ose befasi. Çdo gjë në rregull. Një komision organizues prej 19 vetash, 87 delegatë, ndër të cilët edhe unë, një presidium prej 21 vetash, presidiumet e seksioneve A dhe B, sekretaritë e kongresit, komisionet e hartimit të parashtresave rreth punimeve të seksioneve A dhe B.

Shqyrtimi i këtyre listave, pra, i pjesëmarrësve në këto komisione, është i mjaftueshëm për të kuptuar logjikën që udhëhiqte organizatorët e këtij Kongresi. Emrat më të përsëritur në këto lista, përveç të autoriteteve shkencore të kohës si M. Domi, E. Çabej, I. Ajeti, Dh. Shuteriqi, Sh. Demiraj etj., ishin ato të A. Dodit, J. Gjinarit, J. Thomajt, E. Lafes etj., të cilët ju tanimë i njihni përmes atyre që kam shkruar deri tani, po mungonte emri i njërit prej gjuhëtarëve më në zë të kohës, Selman Rizës.

Në Kongresin e Drejtshkrimit, Selman Riza merrte pjesë si dëgjues, pa të drejtë fjale.

E vërteta është se pas të gjitha këtyre, Kongresi u karakterizua nga “një unitet i plotë mendimi e veprimi”. Ndonjë “i pabindur” që guxoi të ngrinte kokën, “u mënjanua” pa u marrë vesh. Dhe ne kemi shkruar se “Kongresi i Drejtshkrimit ishte përfundimi i politikës gjuhësore të ndjekur nga Partia-shtet që nga 1945, për të vendosur në bazë të gjuhës letrare standarde toskërishten letrare dhe për të mënjanuar gegërishten letrare. Dhe qëllimi u arrit. Pa dashur të vëmë në dyshim vlerën e Kongresit të Drejtshkrimit, duhet pranuar se ai qe i parapërgatitur dhe nuk pati tolerancën e nevojshme. Nuk ishte rastësi që ai u quajt Kongresi i Drejtshkrimit dhe jo i gjuhës letrare apo standarde; nuk ishte rastësi që nuk u diskutua fare për formimin e gjuhës letrare a standarde, edhe pse referati i kushtohej historisë së formimit të gjuhës sonë letrare dhe drejtshkrimit të saj. Nuk ishte, pra, një Kongres i lirë e demokratik. Ishte rasti të diskutohej të paktën për rrugën që u ndoq e shpjegimet që u dhanë për formimin e gjuhës letrare standarde, por as kjo nuk u bë.

Nga kjo pikëpamje, Kongresi i Drejtshkrimit kërkon një rivlerësim”./panorama.com.al


Lexo edhe:


ZHAK PREVER: BARBARA…

ObserverKult