Nga Sokol Parruca
– Dëshmitë e rralla të juristit të njohur Sokol Parruca, për ikonat e futbollit shkodran ndër vite, si; Halepiani, Hasa, Rragami, Rakiqi, Bizi, Dani, Zhega, etj.,artistëve si Vasija, Tërshana, Aliaj, Ljarja, etj., si dhe personazhe të tjerë emblematikë të atij qyteti, etj.
E vështirë të shkruash për ish-futbollistët e ekipit “Vllaznia” të Shkodrës ndër vite, pa qenë studiues dhe specialist futbolli, por unë po hedh impresionet, për ata që njoha, preka e i pashë, për trajnerët e moshave, pa pretenduar se po them gjithçka që meritojnë.
E padyshim gjykoj se është e pamundur të mos përmendsh, Ernest Halepianin. Kam qenë rreth 9 vjeç, nuk e mbaj mend me cilin shok të lagjes kam shkuar për herë të parë, te “Parku i Pionierëve”, pranë ish-shkollës “11 Janari”, për të filluar stërvitjen në sportin e futbollit.
Aty ishte trajner për fëmijët, një burrë i shkurtër, flokë me kaçurrela të imët, me një fytyrë që i ndrinte nga mirësia.
Ngjarje e jetuar
Doja të isha i pranishëm, në një veprim hetimor procedural ballafaqimi, pse jo, isha kurioz të dija, çfarë e kishte shtyrë këtë nënë të kallëzonte të birin e saj, se do të arratisej jashtë shtetit, një gjë që nuk më kishte ndodhur gjatë gjithë karrierës sime profesionale.
Për më tepër, e njihja. Ishim rritur e jetonim të dy në një qytet. Ishte sportiste. E dija, se disa vite më parë i ishte arratisur i shoqi dhe se kishte mbetur e vetme me të birin.
Nuk kishte fëmijë tjetër. Djali donte dhe dy-tre muaj të mbushte 16 vjet. Ky ballafaqim ndërmjet djalit (të arrestuar) dhe nënës, bëhej i domosdoshëm për arsye hetimi.
E vendosëm të nesërmen, ora 10. Fiks, në orar ajo erdhi. Dhoma ishte ngjitur me birucat e burgut, përdorej, për pyetjen e të arrestuarve. Nuk ndryshonte shumë me ato, pa dritë, pa ajër dhe me lagështirë. Ajo, sa u fut, bëri dy-tre hapa drejt të birit dhe u shemb përdhé. Djali, tmerrësisht i tronditur u përkul dhe i trembur i thërriste:
– “Nanë, nanë, nanë moj…”!
Zëri i të birit e solli shpejt në vete. Ashtu, të ulur pranë njeri-tjetrit, përkëdheleshin e fshinin lotët. Loti i saj në syrin e tij, loti i tij në syrin e saj. Ata u futën tërësisht në botën e tyre, një botë e mbushur me dashuri e dhimbje.
Aty poshtë, teksa qëndronin ulur pranë, m’u duk si një hapësirë e pafund, ku ishte mbledhur e gjithë dashuria e një bote.
Pashë të dilte një afsh nxehtësie, ishte afshi i nënës për birin e saj dhe anasjelltas, i birit për nënën e tij. Pak nga pak, në fillim, m’u duk sikur belbëzonin, pastaj fjalët morën formën e artikulimit më të kuptueshëm dhe ndërmjet tyre filloi një dialog, që nuk e kisha dëgjuar as lexuar kurrë më parë.
Fjalët ngjanin sikur shpirtit i kishin dhënë zë dhe na përcillej ne, si rënkime, si mallkime.
– “Ah, mor bir, unë të…, – dhe mbytej nga ngashërimi. – Unë të solla në derë të burgut. A të thashë o bir, të më merrje me vete, derisa të kaloje kufirin, të të mbroja, o bir, nga plumbat e tyre! Se këta të vrasin o bir! Ani le të qëllonin mbi mua, vetëm ti të ikje e mos pësoje gjë.
Jeta jote do të shuhej e, vrasësi ushtar, do të dekorohej. Më mirë, o bir, të të sjell ushqime në burg, se lule te varri…! Po ç’them unë, këta të lënë dhe pa varr o bir, kushedi ku do ta hidhnin trupin tënd”!
Djali, qante pa zë, i strukur pranë së ëmës, dukej dhe më i vogël se ç’ishte. Si një psherëtimë e dalë nga shpirti mezi arrinte të dëgjohej:
– “Si mund të të merrja, moj nanë! Si mund të lija ashtu shtrirë me gjak nga plumbat e ushtarëve e unë të vazhdoja rrugën! Zemra ime e di, si do të lija në shtëpi të vetme e, jo ma të lija në vijë të kufirit pa jetë.
Kaq u desh. Nuk mund të shqitesha nga çfarë po shihja e dëgjoja, kuptova se ishte e pamundur, që ky oaz dashurie të mos arrinte gjer tek unë, të mos më përndizte e të mos më përfshinte dhe mua, sado që përpiqesha të mbaja emocionet, por ishte e pamundur.
Ata dy trupa të bërë njësh, sollën para meje një mal dashurie, një botë e tërë ndjenje sublime që dhe të vdekurin do ta ngrinin nga varri, jo më mua, njeri i një gjaku dhe mishi si ata.
I lamë gjatë, ashtu nënë e bir. Hetuesi, një djalë i ri nga Tirana, më shihte, në kuptimin se çfarë do të bënim. Heshtja ime e tregonte. Si u qetësuan, ikëm pa shkruar asnjë rresht. E ç’vlerë kishte një akt procedural, para një akti, që sapo kishim parë e përjetuar.
Dola jashtë, dielli ishte në pikun e të nxehtit të tij e megjithatë, unë seç ndjeja të ftohtë.
Ishin ethet e ca çasteve më parë që më shoqëronin dhe që më kishin ngrohur e dhënë një dritë të ndritshme emocioneve e gjendjes sime shpirtërore. Për herë të parë, m’u duk kaq e ngrohtë ajo dhomë burgu, ku si prushi i një tangari të ndezur ishte dashuria njerëzore.
E ashtu, duke ecur mendueshëm, më vinin ndër mend copëza të dialogut që sapo kisha dëgjuar. Ato më vinin kaq ëmbël, herë si mërmërima, herë si cicërima zogjsh e herë si fjalë të pakuptueshme të një gjuhe hyjnore.
Teksa ecja mendjehumbur, pa parë kalimtarët, të njohurit, e kuptova, ndofta për herë të parë, që kisha zgjedhur profesionin e gabuar. /Memorie.al
ObserverKult
Lexo edhe:
HISTORIA E DHIMBSHME E AVOKATES SHQIPTARE QË VUAJTI NË BURGUN E BURRELIT…
Shkollimi në një prej universiteteve më të mira të Francës, fejesa me avokatin e njohur francez dhe fundi tragjik në regjimin komunist
Sapo ishte diplomuar në Fakultetin e Drejtësisë, në Universitetin e qytetit Aix-en-Provence, kishte marrë “Licenciee en Droit”. Erifili Bezhani ishte një vajzë nga Vlora që po i ngjiste me shpejtësi shkallët e karrierës në Francë. Kjo falë rezultateve të shkëlqyera në universitetet franceze. Pas dy vitesh në profesion, Erifili Bezhani do të kthehej në një prej avokateve të spikatura në Francë.
Gjatë ushtrimit të profesionit të avokates në Marsejë, në vitet 1941-1942, Erifili Bezhani u fejua me një avokat të njohur aristokrat francez.
Kur ishte në kulmin e lumturisë, nga një fatkeqësi e së motrës Evrinomi, e diplomuar edhe ajo si “Profesore e D’Etudes Francaises“ në të njëjtin universitet. Erifili Bezhani, la pas gjithçka dhe e shoqëroi të motrën për në Shqipëri.
Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:
ObserverKult