Kujtimet e mia me Pirro Manin, flet aktori i njohur: Më penalizoi biografia e babait…

Profesionin e aktrimit, Aleksandër Rrapi, e mori nga babai i cili ishte pjesë e trupës së Teatrit Popullor në vitin e parë të funksionimit të tij. Por “ceni në biografi” e dëmtoi edhe atë. Në vitet e fundit të komunizmit iu realizua ëndrra duke konkuruar në Institutin e Arteve.

Me ardhjen e demokracisë emigroi në Greqi ku vuri në pah talentin e tij në disa skena të Greqisë dhe filma me regjisorë grekë. Më vonë emigron në Amerikë ku ende përformon duke mos e lënë në harresë pasionin e tij. Nga Presidenti Meta u dekorua me titullin e lartë “Mjeshtër i Madh”.

Aktrimi një profesion i bukur, frymëzues dhe shtysë vizionesh, si lindi dëshira për profesionin dhe kush e zbuloi talentin tuaj?

– Tek unë ky “mikrob” u infektua nga im atë, pasi profesioni i tij ishte aktrimi, si pjesë e trupës së Teatrit Popullor në vitin e parë të funksionimit të tij. Mbështetur dhe nga nëna që ishte një grua e një niveli të përparuar për kohën. Njohëse e mirë e gjuhës italiane dhe greke. Dhe pas dy motrave që vija unë, babai realizoi ëndrrën e tij që një nga fëmijët e tij të merrej me artin dramatik. Ky fat më takoi mua, pasi dhe motrat e mia janë marrë në fillimet e jetës së tyre me skenën në festivalet e ndryshme teatrale që organizoheshin dikur, dhe ishim të tre fëmijët e familjes Rrapi, baza e çdo grupi teatral që krijohej në bazë shkallë apo në qytet.

Cili ishte roli juaj i parë dhe kush e vlerësoi?

– Duke pasur një baba regjisor, (pas Teatrit Popullor, babai im emërohet regjisori i parë në Pallatin e Kulturës, “M.Tutulani” në Berat) isha pjesë e çdo aktiviteti në rang rrethi, kujtoj me shumë mall dhe kënaqësi, organizimin e Festivaleve Teatrore midis shkollave 8-vjeçare ku roli im në skenë, ka qenë nga kjo dramë, “Kështjella dhe Helmi” e I. Kadaresë, një dramatizim për fëmijë. Pastaj me “kolegë” më të rritur, bëhem pjesë e trupës amatore të fabrikës së filaturës në Kombinatine Tekstileve Berat, në dramën “Shembja e Idhujve”, në rolin e një fëmije të familjes së mësuesit të fshatit, që vritet gjatë dramës.

Këtë rol nuk e fshij kollaj nga kujtesa, pasi si nxënës në klasën e katërt fillore, humbisja gjatë shfaqjes midis historisë në dramë, dhe ngjarjes në skenë, dhe sa mbaroja rolin, kërkoja me sy aktorin që luante mësuesin, për të besuar që ishte gjallë, dhe nuk kishte vdekur sipas ngjarjes dramatike.

– Përse nuk vjen në Institut Aleksandër?
– Çështje biografie – i them me sytë e mbushur me lot. Babin tim Partia e ka dëbuar nga rradhët e saj, dhe kjo…
– Sivjet ky Institut, nuk do shikojë biografitë e konkurruesve, po talentin dhe ju e keni këtë me “shumicë” – më ndërpreu menjëherë duke shtuar: Keni dhe një zë të fuqishëm, dhe kjo është arma kryesore për një aktor…
Fluturova në qiell. Komplimente shoqërore, miqësore, familjare dhe gjithçka tjetër kisha dëgjuar, por nga një figurë e njohur e artit shqiptar siç ishte Eset Oktrova, “Artist i Merituar”, ishte hera e parë në jetën time.

Ky vlerësim më ndezi motorin e përgatitjes për konkurrimin e kanditatëve për në Institutin e Lartë e Arteve, sot Akademia e Arteve të Bukura. Pra hyra student në vitin 1987-1991.

Një rrugëtim të ndërtuar me shumë punë, sakrifica prindërore e familjare, vështirësi ekonomike, shtytje dhe bërryla….Besoj se është i vetmi profesion që ushqen një “luftë të ashpër ndaj kolegut”, dhe kjo ndodh në Shqipëri. Teatri në kapitalizëm, që kisha mundësi ta provoja, këtë luftë çdo aktor e ka me krijimtarinë, e jo me kolegun.

A mund të jetosh sot me aktrim?

– Një pyetje që të shpie në një “kurth gazetaresk”. Unë nuk kam jetuar me aktrimin në Shqipëri, dhe kjo do të më vështirësojë t’ua jap një përgjigje të saktë në raport me kolegët e mi që jetojnë në atdhe. Kolegët në Shqipëri kanë vërtetë vështirësi të shumta ekonomike dhe kushte teknike të amortizuara nga koha.

Suksesi i një shfaqjeje nuk varet vetëm nga talenti i gjithsecilit, pa kushte komode që kërkon arti skenik, kjo “zhvlerëson” pa dashur interesin e publikut për të ndjekur në salla të mbytur nga lagështia një shfaqje teatrale… mungesa e kushteve minimale, ngrohje në dimër, e ftohje në verë, kushte higjenike të ambienteve që shfrytësohen nga aktorët. Studiot dhe WC publike për spektatorët.

Të gjitha këto që përmenda më sipër, ulin pa dashur, vlerën e një bilete që do të rriste ndjeshëm të ardhurat personale të çdo aktori. Në teatrin kapitalist që unë gjeta në Greqi, dhe në përgjithësi në gjithë botën, nuk ka bordero, por projekte dhe ftesa nga regjisori i radhës që afrohet për të thirrur grupin krijues.

Nëse je pjesë e këtij projekti, aktori vetë, vendosë mbi të ardhurat e tij, nëse i duket e mjaftueshme kjo pagesë apo jo! Personalisht, duke jetuar dhe punuar jashtë Shqipërisë në teatër për një periudhë 10-vjeçare, mund të them që jetohet dhe paguhesh shumë mirë si aktor.

Në Amerikë cilat kanë qenë lidhjet tuaja me Pirro Manin dhe mendimi juaj për të?

– Kontaktin e vetëm fizik me profesor Piro Manin, e kam pasur në kohën kur isha student, kur një student i regjisurës më paraqet tek pedagogu Piro, me një fragment të dramës “6-Persona në pyetje’’ pranë Teatrit Kombëtar ku bëheshin takimet, me profesorin.

Pas prezantimit të punës dhe dëgjimit nga ana e profesorit, dëgjova nga i madhi Piro këtë koment: Me Aleksandrin duhet të vendosni në skenë “Jul Çezarin”, pasi plotëson figurën e heroit si me zërin e bukur, ashtu dhe me fizikun e tij” (dëshmi që kolegët e mi mund ta vërtetojnë, si A. Rama, A. Bora B.Laco, A. Elmazi).

Besoj se është momenti që emri i Piro Manit duhet të kthehet në histori, si një pikë takimi për brezat e ardhshëm të regjisurës shqiptare nëpërmjet një institucioni apo shkolle artistike duke marrë emrin e tij. Nuk e kuptoj akoma pse ndodh ky fenomen në Shqipëri, që presin të vdesin fizikisht, figura kaq të mëdha si Piro Mani, për një vlerësim pas ikjes, dhe nuk i vlerësojnë për së gjalli një jetë të tërë në skenë! /preferenca-al.com

ObserverKult

____________________________

Lexo edhe:

ROLAND TREBICKA, AKTORI QË PO I MUNGON SKENËS SHQIPTARE