“Kultura nuk njeh barriera”, tjetër hap i rëndësishëm në shkrirjen e kufijve kulturorë Kosovë-Shqipëri

Ministrja e Kulturës e Shqipërisë, Elva Margariti deklaroi se “sot u hodh një tjetër hap i rëndësishëm në shkrirjen e kufijve kulturorë me Kosovën”.

Duke iu referuar tre memorandumeve të bashkëpunimit me Kosovën, të cilat u nënshkruan dje në Tiranë, Margariti theksoi se “në çdo kohë kultura ka treguar që nuk njeh barriera e kufij”.

“Së bashku me homologen Vlora Dumoshi nënshkruam tre memorandume bashkëpunimi, lidhur me Kalendarin e përbashkët Kulturor Shqipëri-Kosovë, në fushën e kinematografisë e të librit. Ky bashkëpunim nuk parashikon vetëm shkëmbime aktivitetesh, por edhe bashkim forcash, krijim hapësirash për më shumë punësim për të rinjtë dhe zgjidhje të problematikave të bartura”, tha ajo.

Margariti tha se “më e rëndësishmja në këtë bashkëpunim, përtej gjallërimit të jetës artistike, diversitetit, shkëmbimit të eksperiencave, është fryma e përbashkët dhe rrëzimi i mureve, që të shkrijmë mes tonë ndasitë “artist shqiptar” dhe “artist kosovar”, në vetëm artist shqiptar./ATSH