Ambasadori i Gjermanisë në Shqipëri, Peter Zingraf ka vizituar ish-kampin e internimit në Tepelenë.
Gjatë vizitës në ish-kampin e Tepelenës, ambasadori Peter Zingraf mësoi më shumë rreth krimeve të tmerrshme të regjimit komunist në Shqipëri. “Kujtimi i asaj kohe dhe krimeve që u kryen në këtë vend duhet të mbahet gjallë. Mësimet nga e kaluara janë kujtesë për të tashmen dhe të ardhmen”, tha ai.
Kampi i internimit në Tepelenë, u vendos nga regjimi komunist buzë lumit Vjosa në të hyrë të Tepelenës, në anën perëndimore, rrëzë kodrës së stërmadhe që u zinte diellin kazermave të kampit, ku pak më tutje ndodhej burgu i Bënçës dhe shtatë kilometra më tej një tjetër kamp famëkeq internimi, ai i Turanit.
Ish-kampi i internimit Tepelenë u ndërtua në vitin 1949 dhe funksionoi deri në mars 1954. Në kampin e Tepelenës kishte të internuar nga e gjithë Shqipëria, por kryesisht mbizotëronin të internuar nga veriu dhe Shqipëria e Mesme. Të ardhurit ishin familje me gra dhe fëmijë dhe të përqendruar në grupe në një kazermë ku numri i të internuarve arrinte deri në 300-600 persona. Kazermat ishin vendosur njëra pas tjetrës duke e çuar numri deri në 2300 të internuar gjithsej në të gjithë kampin./ATSH