(Donika Dabishevci “Kam me ardh si deka” botoi OM, Prishtinë, 2015)
Nga Gëzim Aliu
Vdekja është ndër temat qendrore të letërsisë. E këtillë është edhe dashuria. Kjo dysia dashuria/vdekja, apo erosi/thanatosi, së bashku me nja tri-katër tema të tjera, paraqesin ansamblin e përjetshëm, të vetmuar, aristokrat të letërsisë. E letërsia e madhe, siç e dimë, në thelb është poezi, është krijim, jo nga asgjëja, por është krijim që rrënjët i ka në shpirt, kurse ushqimin e merr nga trupi.
Kështu që dysia letrare dashuria/vdekja, te libri “Kam me ardh si deka”, bëhet e gjallë artistikisht përmes dysisë tjetër: trupi/shpirti. Donika Dabishevci, vargjet e poezive të këtij libri i ndan në katër pjesë, që për mua paraqesin katër pjesët e një rrëfimi sa personal e intim, aq edhe lirik e artistik. Këtë libër me poezi unë e lexoj edhe si një rrëfim dashurie të katër gjendjeve emocionale: joshja, bashkimi, ndarja, dhembja.
Pra, libri me poezi “Kam me ardh si deka”, ndahet në katër pjesë, që lidhen logjikisht në tërësi nga rrëfimi i poeteshës që jeton brenda botës së tekstit poetik. Kështu, vetëdija letrare e autores reale ka arritur t’i bashkojë rrëfimin e poezinë, duke na e dhënë një vepër që sigurisht hyn ndër krijimet poetike më të mira të kohëve të fundit në letërsinë shqipe. Nuk duhet këtu që konceptin ‘rrëfim’ ta marrim në kuptimin e parë. Rrëfimi këtu shpalos katër gjendje të një historie, gjendje që ndodhin e lidhen sipas logjikës së shkak-pasojës e që përfundojnë si dramë, me një nuancë tragjike që e përshkon si thikë vdekjeje qysh nga titulli.
Në këtë libër ku historia e dashurisë rrëfehet përmes vargjeve poetike, gjuha e ka një veçori: ajo është e lidhur fort me përjetimin: gjuha poetizohet nga kërkimi i përjetimit, gjuha shpërthen nga gjetja e përjetimit, gjuha ndizet nga mungesa fizike e përjetimit dhe gjuha mallkon pamundësinë e dashurisë absolute.
Secili varg, secila strofë, secila poezi e pjesës së parë, të titulluar “Diellore” paraqet gradacion, shkallëzim drejt synimit për t’i bashkuar gjuhën dhe përjetimin. Po citojmë disa vargje të poezisë hyrëse, të titulluar “Mos u tkurr!”, që në të vërtetë paraqesin edhe qëndrimin filozofik të kësaj vepre:
I keq, ti…!
Pse m’rri hutueshëm
i rand’ plumb prej heshtjes?
…
Pse druhesh?
Nji ditë as ti e as unë
s’kemi me kenë ma
kemi me humbë,
kemi me u zhba. (f. 13-14)
Filozofia e këtij libri poetik sillet brenda botëkuptimit ekzistencialist. Ekzistenca i paraprin esencës, por poetesha nuk kënaqet vetëm me ekzistencën ndjenjore dhe esencën shpirtërore. Ajo dëshiron që ekzistenca e bashkimit të shpirtrave e trupave të arrijë nivel të lartë artistik, të mos mbetet vetëm si plotësim instinkti, sado që këtij të fundit i jep rëndësinë e duhur, sepse ajo nuk ka iluzione lidhur me qenien njerëzore. Njeriu niset nga trupi drejt shpirtit, për të përfunduar ose në një histori që ka rrëfim tronditës brenda, ose në një rrëfim të rëndomtë.
Rrëfimi i këtij libri poetik nuk është i rëndomtë, është tronditës.
Kështu që kalojmë në shkallën e dytë, pjesën e dytë, të titulluar “Krue i lumnisë”, kur realizohet bashkimi i trupave e ku shpirti e gjuha bëhen bashkë për të lindur vargje poetike. Poetesha e shpreh qartë dëshirën për ta mundur jetën e për të jetuar në poezi, si në vjershën “Me rrnu n’poezi”:
Prajshëm me i shpupuritë
me gishta retë,
me i xiglu ylberet,
mos me ra kurrë shi,
me i zhdukë krejt ledhet,
me i shkel kufijtë,
me harrue jetën,
me rrnu n’poezi. (f. 53)
Në pjesën e dytë, kur përjetimi i dashurisë është edhe akt, jo vetëm ëndërrim, gjejmë edhe vargje që me gjithë gjakimin e të jetuarit në poezi, i rrafshojnë dallimet mes poezisë e jetës, mes shpirtit e trupit, duke shkërmoqur edhe koncepte religjioze, si për shembull, te poezia “Zoti jem”:
Jam robneshë e dorëzueme
fanepsun mas teje
Zoti jem
nisa me e dashtë veten
tuj u pa n’sytë tu
trupit poshtë
verbt tu e ndi butin e gishtave… (f. 56)
Të dashurit që i drejtohet subjekti lirik, shndërrohet në perëndi, gjë që shprehet nga këto vargje të poezisë “Përulem”:
T’vetmin pushtet që njoh
është trupi yt.
kjo m’ban me t’dashtë
pafajësisht, përjetësisht
pa pasë gja që m’trem
ty,
kulti jem. (f. 63)
Por, a mundet njeriu nga gjaku e mishi, njeriu që dashuron fort, të bëhet bashkë me idhullin e vet që e dashuron e prapëseprapë të jetojë? Jo! Kështu nis pjesa e tretë e rrëfimit lirik të këtij libri, titulluar “Varr ofshamash”. Që idhulli të mund të adhurohet, ai së pari duhet të vritet:
… kam me t’kryqëzu
kam me t’mbytë
e kur t’klithë i randuem dhimtash
e kur shpirtit ke me i thanë ik
kam me t’ringjallë prej hinit
e me ju përfalë shenjtnisë tande
përulësisht! (Kam me t’mbytë, f. 77)
Tashmë kemi arritur në stadin ku përjetimi është i përqendruar vetëm në gjuhë, në kujtime, në poezi. Jemi në zonën e mungesës absolute të idhullit të vrarë:
Zani jot’ asht kujtesa
asht shenjtni e kthyeme n’gjuhë
asht fjala ajo
që gjakun ma ban me vlue. (Etun loje, f. 82)
Humbja e dashurisë, nuk do të thotë edhe disfatë e artit; asnjëherë klithma nuk e mund koherencën e veprës, për shkak se varri i ndjenjave ndaj idhullit të dashuruar, është djepi i vargjeve artistike, si për shembull në vargjet e poezisë “Varr ofshamash”:
Frymoj n’njanën prej ktyne dritareve
e eci n’sigjim t’rrnesës
n’zgrip pellgjesh t’ksaj mëhalle
e zanun n’çark
n’bar pragjesh e myshk pullazesh
pa ni për lindje as funerale
pa ni gumëzhima e as vikama.
tuj mohu ekzistencën e gjithçkaje.
Penelopë e braktisun,
tanë rruzullin e zvogëlumë n’ni njeri
friksume e mledhun n’rrashtë breshke
varr ofshamash,
muranë krrokamash
tuj rrëmue dhenash mos ka nja si ti. (f. 100)
Një dashuri të tillë nuk e mban toka, siç e gjejmë këtë të shprehur diku më vonë gjatë leximit të këtij libri.
Prandaj, njeriu i dashuruar, njeriu i mbytur nga dashuria, njeriu i shndërruar në idhull, nuk mund të vizitohet ndryshe, pos si vdekja. Poetesha niset drejt idhullit të vet sikur vdekja. Vdekja është trupi i shpirtit të dashuruar e të lënduar. Vdekja, Deka, kjo ia luan tokën përfund çdo idhulli, mbase edhe idhullit të dashurisë:
Si deka kam me t’ardhë
ngeshëm, hap’ randë
egër me t’miklue.
M’dhimesh,
se tokën nër kambë
kam me ta lujtë! (Kam me ardh si deka, f. 111)
Idhullit të dashurisë, para të cilit falemi të gjithë ne që e kemi përjetuar ndonjëherë këtë ndjenjë, mund t’ia luajmë tokën nën këmbë, mund ta shkatërrojmë, mund ta hedhim tutje, por kurrë nuk do ta harrojmë.
Kështu, idhulli gjithmonë do të adhurohet.
2015
ObserverKult
Lexo edhe:
TREGIM NGA GËZIM ALIU: MONA LIZA