
Nga Albert Vataj
Ka përvoja që nuk i ngjajnë asnjë tjetre. Janë si rrufe që ndriçojnë thellësitë e shpirtit, si një dritë që nuk vjen nga jashtë, por ndizet brenda.
E tillë është dashuria, jo ajo që përshkruhet në romane si ndjenjë kalimtare apo turbullim zemre, por ajo që filozofi italian Umberto Galimberti e quan akti themelor i jetës, Erosi që të mëson të dallosh jetën nga mbijetesa.
Në këtë tekst, do të udhëtojmë në shtigjet ku dashuria nuk është më një emocion i butë, por një përvojë që të përmbyt me kuptim, një rizgjim ndjeshmërie që e bën njeriun të ndiejë, të shohë dhe të jetojë për herë të parë. Do të zbulojmë, me Galimbertin dhe përmes mendimeve të Platonit, Rilkes dhe Frommit, se vetëm kur dashuron me vërtetësi, mund të thuash se je gjallë.
Kjo është një ftesë për të mos e shpenzuar jetën duke zvarritur ekzistencën, por për ta ndriçuar atë me zjarrin që vetëm dashuria di ta ndezë.
Dashuria, sipas Umberto Galimbertit, nuk është vetëm një ndjenjë; ajo është zgjimi i vetë jetës nga gjendja e saj biologjike e fjetur. Një njeri që ka dashuruar vërtet, edhe qoftë vetëm një herë, është njeri që ka parë përtej mbijetesës – përtej rutinës së të jetuarit mekanikisht. Ai është njeri që ka prekur kuptimin.
Dashuria e vërtetë nuk është një emocion kalimtar. Ajo është një përvojë që e shkund qenien, që e çliron nga inercia biologjike dhe e fut në një përmasë ekzistenciale, ku jeta bëhet e prekshme, e ndjeshme, e vetëdijshme.
Umberto Galimberti e çon dashurinë përtej sentimentalizmit dhe e shpall si akt themelues të jetës autentike. Dashuria, si Eros, jo si ndjesi e butë, por si fuqi përfshirëse, është ajo që zgjon tërësinë e ndjeshmërisë njerëzore.
Platoni, në “Simpoziumin”, e shikon Erosin si forca që ngjitet nga të bukurat fizike drejt së bukurës absolute, që i shtyn njerëzit të tejkalojnë vetveten. Dashuria, sipas tij, është dëshira për pavdekësi, për të lindur në shpirt atë që mbetet. Dhe pikërisht këtë përjetim na e përshkruan Galimberti, një tejkaluese që nuk ka të bëjë me zotërimin, por me ngjizjen e ndjeshmërisë së thellë, me kapërcimin e vdekjes përmes një jete të mbushur me kuptim.
Rainer Maria Rilke, nga ana tjetër, na e jep dashurinë si një shkollë të thellë vetmie: “Dashuria është një mundësi e rrallë për t’u pjekur, për t’u bërë botë për dikë tjetër.” Edhe Galimberti përmend një shndërrim të brendshëm: nga një jetë që zvarritet pa kuptim në një ekzistencë që rigjeneron ndjeshmërinë. Nuk është nevoja që ta zotërosh tjetrin; mjafton praninë e tij që jeta të rizgjohet.
Në të njëjtën linjë, Erich Fromm, në librin e tij “Arti i të dashuruarit”, thotë:
“Dashuria nuk është një emocion i fuqishëm që kaplon dikë, por një vendim, një gjykim, një qëndrim. Është një ushtrim i vullnetit për të ecur drejt një tjetri.”
Për Galimbertin, Erosi nuk është përjashtues, nuk është privilegj; është një mundësi që i jepet çdo qenie njerëzore. Por kërkon një vetëdije që të mos e ngatërrosh dashurinë me sentimentalizmin, apo jetën me mbijetesën.
Galimberti e sheh dashurinë si një akt ndriçimi. Ajo të bën të dëgjosh për herë të parë, të prekësh me emocion, të shohësh me sy që e ndiejnë dritën. Kjo është ajo që filozofi francez Gaston Bachelard do ta quante “fenomenologji e imagjinatës së thellë”, ku çdo përvojë bëhet mit i brendshëm i shpirtit.
ObserverKult
Lexo edhe:






