Kur diktatura ndëshkonte heroinat…

Kur ishte 17 vjeç shkoi të ndihmonte ushtarët e sëmurë gjatë epidemisë së gripit. U kthye nga Parisi, u bë bashkëthemeluese e maternitetit të parë në Shqipëri. Kur Shqipëria u pushtua nga Italia, ishte e vetmja vajzë mes vullnetarëve që u nisën drejt Durrësit për t’i bërë ballë pushtuesit. Gjatë luftës, shërbeu si infermiere duke mjekuar fshehurazi edhe guerrilas e partizanë. Por kur u vendos regjimi komunist, Melpomeni Dilo u pushua nga puna. Dhe nuk u lejua më kurrë të vishte bluzën e bardhë të ndihmësmjekes. Jeta e gruas që në vend të nderohej si heroinë, u trajtua si armike

Ngjarjet ku është përfshirë Melpomeni Dilo, ngjasojnë më tepër me skicën një personazhi artistik sesa me jetëshkrimin e vërtetë të një vajze. Së cilës, me një padrejtësi të nisur në fund të luftës dhe të zvargur deri në ditët tona. Historia e vendlindjes nuk i ka bërë vend.

Vetëm falë dëshmive të familjarëve, emri i saj nuk është shuar. Dhe falë këtyre dëshmive publiku, mund të shohë pranë. Dy pjesët e jetës së saj që asnjë fije logjike apo morali, nuk i bashkon.

Doli vullnetare për t’u shërbyer ushtarëve të prekur nga epidemia e gripit


Është jeta prej heroine deri në fund të luftës dhe jeta si e përndjekur, pas saj.

Melpomeni ishte një nga nëntë fëmijët e avokatit Vasil Dilo, i cili ishte diplomuar në Stamboll dhe njihej për aktivitetin publicistik, fillimisht në Gjirokastër. Ku u lind dhe Melpomeni e më pas në Tiranë, ku u rritën ajo dhe fëmijët e tjerë.

Vajzën e lindur në vitin 1912, Vasili e regjistroi në Shkollën trevjeçare të Infermierisë që ishte hapur në rrugën e Dibrës në Tiranë. Aty ku banoi për shumë vite edhe familja e avokatit. Shkollë që drejtohej nga zonja franceze Gabriela Laverngie.

Kur ishte ende nxënëse e kësaj shkolle, në moshën 17-vjeçare, Melpomeni doli vullnetare për t’u shërbyer ushtarëve të prekur nga epidemia e gripit.

E caktuan pranë repartit të batalionit “Erzeni” ku shërbeu plot dy muaj dhe u largua me mirënjohjen e thellë të ushtarëve të cilët e gdhendën falënderimin e tyre. Dhe në një medalion argjendi që ia dhuruan infermieres së re. Çfarë e detyroi edhe kryeministrin e asaj kohe, t’i dërgonte një letër falënderimi Melpomenit.

Medaljoni i bataljonit “Erzeni” dhuruar infermieres Melpomeni Dilo. Fotoja eshte marre nga radiandradi

Regjimi komunist u tregua i pamëshirshëm

Studimet i përfundoi me rezultate të larta, ndaj fitoi të drejtën për të studiuar për një vit në Paris. Ku u specializua në kujdesin e foshnjave dhe në vitin 1932, u rikthye në Tiranë.

Bashkë me atë pamjen pariziane që të bën të mendosh kur je para fotografisë së saj, si për një ikonë mode dhe jo si për infermieren që do i kushtohej me gjithë zemër. Problemeve të shëndetësisë në vendin e saj dhe do të përvishte mëngët para situatave më të vështira.

Ajo nisi punë si ndihmësmjeke në shkollën amerikane “Dako” në Kamëz, të drejtuar nga Kristo Dako dhe motrat Qiriazi. Që gjithashtu përfundoi në duart e shtetit gjatë regjimit komunist. I cili u tregua i pamëshirshëm edhe me pasardhësit e Kristos dhe Sevastisë.

Shkolla e Dakos, Institucioni Kyrias, ne Kamez

Gjatë kësaj kohe, Melpomeni, u përball me problematikat e mprehta të shëndetësisë në Shqipëri. Aq më tepër në fushën ku ajo ishte specializuar, të lindjeve dhe foshnjave.

Në kujtimet e saj, të bëra publike nga e motra, Ksanthipi Dilo, Melpomeni shkruan që në ato vite, kishte humbje jete në radhët e nënave të reja. Dhe fëmijëve të sapolindur për shkak të mungesës së ndihmës mjekësore në shtëpi. Ku shumë gra të varfra ishin të detyruara të lindnin pa praninë e një mamije.

Kishte marrë miratimin e të atit

“Ky fakt na frymëzoi mua dhe dy shoqet e mia Nadide Kasaruho dhe Bedia Asllani për krijimin e një shoqërie për Mbrojtjen e Fëmijës. Qëllimi ynë ishte krijimi i një Materniteti me të gjitha komoditetet për lindje dhe mjekim. Për këtë qëllim ne u mbështetëm te populli dhe fushata që hapëm në Tiranë gjeti një mbështetje të madhe.

U lidhëm me Kryqin e Kuq ndërkombëtar (dega e Mbrojtjes së Fëmijëve) e cila na dërgoi një sasi qumështi  të cilin e shpërndamë në familjet e varfra dhe modelin e krevatëve për fëmijë”, shkruan Melpomeni e cila vazhdon me ndihmën që dr.Sabri Tefiku iu dha për ambientet. Të cilat ato i merimetuan, i përshtatën dhe i kompletuan duke i kthyer në dy salla lindjesh. Një dhomë me tetë shtretër për fëmijë, një prej tyre për binjakë. Dhe me kuzhinë sipas modelit të Degës Ndërkombëtare të Mbrojtes së Fëmijëve.

Ishte ende 27 vjeç, kur Melpomeni u angazhua në një tjetër sipërmarrje të madhe. Kur më 7 prill 1939, u shpall pushtimi i Shqipërisë nga Italia fashiste. Vullnetarë të shumtë u grumbulluan në sheshin Skëndërbej, në makina që u nisën drejt Durrësit për t’u bërë rezistencë pushtuesve. Mes tyre ishte vetëm një vajzë.

Ishte Melpomeni Dilo. Pasi kishte marrë miratimin e të atit, e veshur me uniformën e infermieres. Ishte drejtuar për në shesh ku mori paskësaj bekimin e qindra e mijëra qytetarëve të cilët e brohorisnin. Dhe i jepnin zemër vajzës së vetme mes asaj turme patriotësh.

Vazhdoi ta përkrahë lëvizjen antifashishte

Kur u kthye në Tiranë, Melpomeni vazhdoi ta përkrahë lëvizjen antifashishte duke lidhur plagët e guerrilasve dhe partizanëve. Ndërsa Melpomeni mjekonte fshehurazi, në spitalin civil të Tiranës, Sotir Spiron (shok i Kajo Karafilit) Vasil Nathanailin etj. Në shtëpinë e saj, në rrugën e Dibrës, strehoheshin të tjerë partizanë, si Qemal Stafa, Vasil Shanto, Koço Tashko etj.

Kjo veprimtari pas luftës, u shpërblye në shumë raste me dekorata e mirënjohje, por nuk ndodhi kështu me të bijtë e Vasil Dilos. Një nga djemtë e tij, Koço Dilo, vëllai i Melpomenit, i cili hodhi kandidaturën si deputet në zgjedhjet e 2 dhjetorit 1945. U ndëshkua duke u burgosur për shkak se nuk u rreshtua me alternativën e Frontit Demokratik.

Pas tij, u dënua me 10 burg edhe vëllai tjetër, Telemaku, që u akuzua si agjent i angloamerikanëve dhe pësoi tortura të njëpasnjëshme në hetuesi dhe në kampin e Vloçishtit ku dërgua për punë të detyruar në tharjen e kënetës.

Nuk u lejua të punonte më kurrë si ndihmësmjeke

Të tjerët u hoqën nga punët e tyre, por goditjen më të rëndë e mori Melpomeni e cila nuk u lejua të punonte më kurrë si ndihmësmjeke edhe pse kishte bërë veç mirë me atë bluzë.

Iu desh të trokiste disa herë në zyrat e shtetit që t’i njihej kontributi gjatë luftës për efekt pensioni, por mori veç refuzim. Pas një përgjigjeje negative, nga kuadri i Komitetit Ekzekutiv ajo kish vënë duart në kokë. Dhe kish thënë që po të ishte vrarë do të ishte si Mujo Ulqinaku, ndërsa tani, e gjallë, merrte të atillë përgjigje.

Nuk i mbetej veçse të largohej për të jetuar si e papunë kur ishte vetëm 30 e ca vjeçe. Me duar të lidhura para problemeve të mprehta shëndetësore për të cilat as duart as zemra nuk i kishin qëndruar kurrë të qeta.

Nuk i mbetej veçse të shihte vëllezërit intelektualë pas kangjellave të burgut dhe pasardhësit e rinj të asaj familjeje të shkolluar prej brezash. Që nuk kishin të drejtën e shkollës së lartë.

Medalioni i mirënjohjes

Mes sendeve të saj, mbeti gjithmonë medalioni i mirënjohjes që i dhuruan ushtarët e batalionit “Erzeni” në vitin 1929. I mbyllur në sirtar bashkë me mundësinë për të shërbyer, bashkë me mundësinë që të shëruarit ta falënderonin.

Melpomeni Dilo nuk u thirr kurrë në punë dhe nuk mori kurrë një falënderim për gjithçka kishte bërë për vendin e saj, deri sa u nda nga jeta në 1971.

Një fund që nuk përputhet me vitet aktive të jetës së saj. Të cilin shumë romancierë mund ta ndryshonin për të përftuar historinë me fund të lumtur të një heroine, Por detyrimi ndaj së vërtetës dhe ndaj këtyre shpirtrave të bukur të sakrifikuar. E bën të domosdoshme të kujtohet dhe përsëritet ky fund sa herë flitet për jetën e tyre./kujto.al

LEXO EDHE: Taisa la Moskën për Gaqon: 10 vitet në burgjet e Enverit