Kur e takova për herë të parë Don Kishotin…

bajram karabolli:
Bajram Karabolli

Nga: Bajram Karbolli

Kur e takova për herë të parë don Kishotin, m’i hodhi sytë tërë
moskokëçarje dhe më pyeti :

– Si të quajnë?

– Bajram Karabolli, – iu përgjigja.

– Hëm, qenkeni maur nga Tarabullusi, – tha, me njëfarë përbuzje. – Ka qenë kolonia jonë, dikur, po, prapë do ta marrim, keni për ta parë.

– Jo, im zot, – i thashë. – Nuk jam maur. Nuk jam nga Tarabullusi. Jam shqiptar ose albanes, siç na njihni ju. Atje, ku thoni ju, hirësi, ka qenë nizam një stërgjyshi im. Këtu e tre-katër shekujsh të shkuar, kur vendi im bënte pjesë në Perandorinë Otomane.

– Epo mire, tani e mora vesh, – ma ktheu don Kishoti. – Tim zot, Servantesin, kur luftonte andej nga Afrika, kundër maurëve të pabesë, e kapën rob dhe një komandant shqiptar nuk e vrau, por e mbajti rob të tij. Nëse do ta kishte vrarë, as unë nuk do të ekzistoja.

Pra, e kam jetën nga një shqiptar, prandaj ti, si shqiptar, tani e tutje, do të jesh miku im. Tani më thuaj, çfarë do si shpërblim.

– Hirësia juaj, nëse mundeni më jepni një ishull, që ta qeverisja unë vetë, – thashë.

– U tha, u bë, – më siguroi hirësia e tij, don Kishoti. – Do të të bëj guvernator të një ishulli, pranë ishullit që do t’i jap edhe Sanços. Kësisoj, do të jesh fqinj me të dhe të siguroj se do të shkoni shumë mirë me njëri-tjetrin.

– Hirësi, nuk di si t’jua shpërblej këtë të mirë kaq të madhe, që po më bëni, – i thashë, tejet i kënaqur.

– Mos e vrit mendjen fare, për të më shpërblyer, – tha don Kishoti, i qetë, – veç betohu se do të qeverisësh plot zell dhe dashamirësi. Duke u garantuar drejtësi të gjithë banorëve të ishullit. Ke fatin e madh që ke edhe guvernator Sançon pranë dhe mos hezito t’i kërkosh ndihmë dhe të këshillohesh me të, për çdo gjë.

-Ashtu do të, patjetër, im zot don Kishot, – i thashë, ndërkohë që po fluturoja nga gëzimi.

ObserverKult

* Titulli i origjinalit: “ME DON KISHOTIN E MANÇËS”

Lexo edhe:

BAJRAM KARABOLLI: KAM JETUAR ME HERONJTË E LIBRAVE, JO TË PUNËS SOCIALISTE