Kur heshtja nuk mund të vrasë

Impresione mbi romanin “Firzamonika nuk do të luajë më nesër” e shkrimtarit Leon Lekaj

Nga Irena Kuka Dragoti

Ëndrrat fillojnë në atë vend ku ke filluar të perceptosh ç’është jeta, çfarë të rrethon dhe çfarë është e bukur. Prandaj fillon të zgjedhësh, fillon t’i dedikohesh diçkaje.

Kështu ndodhi edhe me Leon Lekaj shkrimtarin, publicistin, poetin shkodran. Ëndrrat e tij filluan në fëmijëri, me shkollën e muzikës në Shkodër për t’iu rikthyer studimeve të larta në degën gjuhë-letërsi me ardhjen e demokracisë, po në Shkodër.

Kaq dija për këtë njeri dhe statuset që hidhte në Facebook që nga aforizmat, poezitë, publicistikë apo ngjarje të jetuara deri para tri muajsh kur në zgjedhjet e mia hyri edhe një nga romanet e tij “Firzamonika nuk do të luajë më nesër”.  Që nga titulli e kopertina pata parandjenjën se ishte prozë që kalonte përmes muzikës. Ajo thënia se “jeta është si një piano ku në tastet e bardhë luhen gëzimet e jetës e në tastet e zinj dhembjet e saj” më paralajmëruan deri diku se, me atë fizarmonikë me tastierë të njëjtë ishte luajtur 9 herë muzike funebër e 11 herë e gëzueshme .

Autori e hap romanin me një thënie:

“Ua kushtoj të gjithë njerëzve që iu ngjaj e më ngjajnë”

Kjo shprehje më futi në një lloj sfide për t’i gjetur fundin sa më parë e për të kuptuar:

A ngjaj unë?

Dikush harron të shkuarën, një tjetër lëndohet me të, për shpirtin e tij të braktisur, duke e parë harresën si një vdekje e pashpallur në shtyllë.

Për ta shmangur këtë, autori rrëfen, autori sjell një roman në retrospektivë, rrëfen në vetën e parë një të kaluar, një jetë jo për të zbrazur zemërim, por për të regjistruar në sa më shumë shiritë kujtese, një të kaluar fatale për të mos u përsëritur. E gjitha një dramë e shtrirë në dy kohë që ngjason për nga mungesa e rehabilitimit. Emil Cioran thotë: Funksioni i vetëm i kujtesës është që të kemi pendesa më pas”.

Personazhi kryesor thotë që ky rrëfim është i pari dhe i fundit si një betim që të bind se dhembja oshëtin gjatë, duke u shndërruar në dëshmi. Personazhi kryesor ndodhet mes dilemës nëse jeton apo zvarritet prej kalvarit të sprovave. Autori hap romanin me një përshkrim të vendit ku ishte transferuar familja duke treguar sa ngushtë i rrinte ai qytet shpirtit të muzikantit, por arsyeja e tij bëri kompromis të pashmangshëm. Një fëmijëri që nisi me vargjet “e Ferrit” të Dantes si buka që kujtohet në uri, një ditar i djegur dhe një shpresë që fillon e mbështjell rininë e tij janë metaforizuar klithmave për mbijetesë ..

Fytyra e bardhë e mësueses së tij do bëhet dashuria e parë për personazhin kryesor sykaltër të romanit, nga e cila mori këshilla për kurajo po aq sa zhgënjime”. Por ndonjëherë dashurinë nga vuajtja ndodh ta ndajë një fije peri, të qenurit me fat apo viktimë ndodh të ndezë instiktin e mërisë dhe në moshën më të re e bukur.  Ne gjithmonë ushqehemi me iluzione, kur shpirtin e kemi bosh sepse jemi kaq  shpesh viktima të shpresës. Të gjithë e dimë që e shkuara jonë ishte si tastet e pianos për pasqyrimin bardhezi të realitetit, i cili vjen si një ndërshkim për të sotmen.

Skematikët udhëtojnë në të dy kohët duke aluduar se lufta e klasave nuk i përket fëmijëve. Por personazhi ynë takoi dhunën e diktaturës që në adoleshencë, nëpërmjet Mevlud Destanit, i cili si një rrodhe nuk iu nda gjithë jetën, deri në vdekje. E takoi edhe kur iu pre ëndrra për universitet. Në thelb të jetës duam të kemi dashurinë por personazhi kryesor kalon përmes honesh e ngjarjesh që rrjedhin mes Tiranës e provincës, për të treguar se kudo ishte e njëjta frymëmarrje, se kudo ishte një “jago”, sikurse e thotë autori, e nuk ka një mur ndarës midis reales e surreales.

Nuk ka rëndësi emri Mevlud, Shefki, Miltiadh, gjithsejcili prej tyre mendon se meriton gjithçka të mirë nga shërbimet ndaj diktarurës, ose më mirë të thuash, i shërbenin asaj me devotshmëri, për ti vjelë të mirat. Autori nuk impenjohet t’i portretizojë. Ai mjaftohet ti krahasojë duke sjellë indirekt ligësinë e tyre..

Personazhi lufton brenda vetes, mediton, dashuron aq sa dhe i ati duket sikur bëhet viktimë e dashurisë së tij, po aq sa urrejtjes së sistemit duke e burgosur atë. Personazhit i duhet të zgjedhë mes dorëzimit të dashurisë dhe një jete të qetë, apo mes mbajtjes së saj dhe punës së rëndë fizike; gurores.

Grackat e një pas njëshme e dorëzojnë fizikisht, por jo shpirtërisht. Personazhi shpesh ballafaqon e paralelizon natyrën me shpirtin e tij, rrëfen pa urryer, prehet te ndjenja, e shpesh, qetohet tek pija. Ai ishte shpresa, ankthi, dashuria por edhe skllavi. Asnjëherë nuk e mësoi të vërtetën mbi biografinë e tij emërtuese. Gjithçka mbeti si një nofkë.

Ndjesitë i përfunduan në ngurosje, atje në “malin me gropa” ku zgjodhi të ruajë dinjitetin. “-

“-Muzikanti i rehabilituar” do ishte emërtimi i radhës në ndërgjegjen e sfilitur të personazhit tonë. Domethënë një muzikant që luajti në fizarmonikë uverturat më të dhimbshme të jetës mes përgjimesh e kurthesh. Nga një pasionant i muzikës së vërtetë u bë dëgjues i borive të alarmit, se e keqja ishte një hap larg, se mbikqyrja e jetës ishte si ajri që thithte.

Nga gjithë ky rrëfim ti kupton se gjithçka e dlirë nuk përlyhet dot nga e liga, pavarësisht se e mira jo gjithmonë triumfon.

Që shkrimtari është njëherësh dhe muzikant, kjo ndihet gjatë leximit, kur ndesh fjali, e fraza që vijnë si melodi. Personazhi kryesor sjell rënien e shiut si një sonet, sjell takimet me të dashurën si një tango.  Personazhi kryesor reflekton edhe në fund indiferencën që mori në të dy kohët. Përgjithësisht gjeta humbje njerëzore në këtë roman ku ndërrimi i sistemeve nuk ishin gjë tjetër veçse pranga të reja, e më të bukura për personazhin e njerëzit rreth tij.

A do të kishte një fund të dhimbshëm të një njeriu pa emër, e pa prezantim, i cili zgjodhi të jetë emri i shumëkujt nga ne që e kemi jetuar atë kohë? Autori surprizon me fundin e romanit të tij në një zgjidhje ambigue. Mevludi, një figurë e ricikluar veç si nocion, ndjek dhe mbjell vdekje në çdo sistem.

Këto impresione më solli gjatë leximit ky roman, plot impulse ankthi, larg frazave të vrazhda e urryesëse, por me ngjarje të njëmendta që më bëjnë të them:

”Po! Unë ngjaj”

Njeriu me kujtesë të mirë nuk kujton asgjë, sepse nuk ka harruar.

ObserverKult


Lexo edhe:

LEON LEKAJ: FLI VIOLINA IME