Nga: Xhevdet Shehu
Historia e një letre se si shkrimtari i shquar Ismail Kadare dhe artisti Luftar Paja kanë ndihmuar një vajzë për të marrë një të drejtë studimi në vitin 1990.
Kjo histori ka ndodhur tridhjetë vite më parë. Ma tregoi krejt rastësisht ditët e fundit aktori i shquar i humorit, Artisti i Popullit, Luftar Paja.
Ja historia sipas Luftarit:
Në atë kohë unë isha deputet i Fierit. Dihen vështirësitë e viteve tetëdhjetë dhe problemet ishin të mëdha, aq sa bënë që në fillimin e viteve ’90 ai sistem të rrëzohej. Kishim probleme të mëdha ekonomike dhe sociale, të cilave u shtoheshin edhe gërr-vërret me njëri tjetrin. Sistemi ishte dobësuar sa mezi mbahej në këmbë, por prapë në ishim të vendosur të mbronim parimet dhe vazhdonim njëlloj luftën e klasave. Ky rast që po tregoj është mjaft domethënës.
Kishim në Fier një specialist të lartë bujqësie shumë të mirë. Qemal Gurgaj e quanin. Ishte me origjinë nga Gjirokastra, po seç kishte dhe një cen në biografi që nuk e mësova dot kurrë se çfarë ishte në të vërtetë. Dyshoj se problemi i tij qëndronte më shumë ngaqë vinte nga një rreth tjetër dhe në Fier e trajtonin si ardhacak dhe jo si vendas, pavarësisht shumë viteve që punonte aty dhe gjurmët e mira që kishte lënë. Fjala vjen nuk i jepnin një të drejtë studimi për vajzën, Mira e quanin, e cila kishte mbaruar me rezultate të shkëlqyera shkollën e mesme. Përpiqej i gjori Qemal, trokit nga një derë në tjetrën në zyrat e pushtetit lokal, por askush nuk i jepte rrugë.
Ngrihet Qemali e shkon në Tiranë. Atje takon shkrimtarin e shquar Ismail Kadare, i cili ishte dhe nënkryetar i Frontit Demokratik të Shqipërisë. E kishte pritur Ismaili, e kishte dëgjuar me vëmendje, po problemin nuk ia zgjidhi dot. I jep një copë letër për mua si deputet i Fierit, ku më kërkonte ta ndihmoja për hallin që kishte personi në fjalë.
Erdhi Qemali e më takoi për të më dhënë letrën. Në fillim u çudita kur mora letrën në dorë dhe mbi zarf ishte shkruar:
“Shokut Luftar Paja. FIER. Dërguar nga Ismail Kadare”.
Sikurse shkruhej brenda, me pak fjalë shkrimtari tregonte thelbin e problemit dhe më lutej që ta ndihmoja si deputet. Hollësitë e problemit m’i tregoi Qemali. Dhe unë iu futa menjëherë takimeve nëpër zyra për t’ia zgjidhur hallin.
Letra
Shoku Luftar,
Prurësit e kësaj letre mu drejtuan mua për një problem i cili nuk është në kompetencat e mija. Janë nga Gjirokastra dhe vuajnë nga kompleksi që në Fier konsiderohen si të huaj.
Ju lutem po të ketë mundësi, të ndihmoni si deputet.
Të fala shoqërore,
Ismail Kadare
Tiranë, 19. 04. 1990
Dhe unë e ndihmova. Shkova në fillim në seksionin e arsimit po ata, pasi më dëgjuan ngritën supet e më thanë: Nuk e zgjidhim dot këtë problem. Nuk e kemi ne në dorë. Atëherë shkova në Komitetin Ekzekutiv, ku kryetar ishte Ligor Çifliku, një burrë i zoti dhe që të zgjidhte punë. Ia thashë Ligorit shqetësimin dhe ai e vendosi në vend. Po, më tha, ajo vajza do të shkojë në shkollë të lartë për ekonomi. E mora të drejtën e studimit dhe shkova në seksionin e arsimit ku u thashë se ja tek e keni një porosi nga kryetari. Jepjani bursën asaj vajzës. Dhe kështu mbaroi ajo punë…
Pas nja katër a pesë vjetësh isha në Tiranë dhe po ecja në këmbë para Bibliotekës Kombëtare te Pallati i Kulturës. Papritmas, më vjen një vajzë përballë dhe më hidhet në qafë duke qarë. Cila je ti moj vajzë?, e pyeta, se nuk po marr vesh se ç’po bëhet. Përmes ngashërimave ajo më tha:
– Ti je shpëtimtari im. Bashkë me Kadarenë. Jam vajza e Qemal Gurgajt që më nxore të drejtën e studimit. Sapo i mbarova studimet e larta dhe u diplomova si ekonomiste. Të falënderoj nga zemra për atë që ke barë bashkë me Ismail Kadarenë. Ju jam përjetë mirënjohëse…
U preka shumë nga ky takim i papritur dhe u gëzova pa masë që e kisha ndihmuar një vajzë të re të dilte në jetë. Por, pak më vonë u trishtova jashtë mase kur mora vesh se Mira kishte vdekur nga një sëmundje e pashërueshme. Sidoqoftë unë e ruajta miqësinë me familjen e Qemal Gurgajt…
***
Kjo është historia me pak fjalë. Luftari ma tregoi krejt rastësisht, si një ngjarje të zakonshme e cila në të vërtetë nuk ishte dhe aq e zakonshme, po të vendosemi në kohën kur ka ndodhur. Sidoqoftë, fakti që Luftari e mbante mend dhe që e kishte ruajtur letrën e Kadaresë e ka një domethënie. Si gjesti i Ismailit, ashtu dhe përpjekjet që ka bërë Luftari për t’i dhënë të drejtë studimi një vajze është prekës dhe tregon se si në kushtet e asaj kohe, ata kanë ndihmuar njerëz për hallet e tyre, pse jo edhe për ta zbutur sadopak regjimin.
Gjatë një bisede që pata me shkrimtarin këto ditë rreth këtij fakti, Ismaili tha se nuk i kujtohej, pasi raste të tilla kishte plot në atë kohë. Po përderisa Luftari ka letrën origjinale, do të thotë se ka ndodhur, tha ai. Atëherë na vinin njerëz për probleme të ndryshme dhe unë i kam dëgjuar me vëmendje dhe i kam ndihmuar sa kam mundur. Kjo është më se e vërtetë.
Unë e besoj se shkrimtari nuk e mban mend një rast të tillë. Është krejt episodik midis ngjarjeve të pambarimta që ai ka përjetuar dhe dëgjuar nga kushedi sa njerëz. Por letra ekziston, një kopje të së cilës ma dha dje Luftari dhe unë po e bëj publike. Është një letër lakonike që nuk ka nevojë për koment./gazetadita.al
Lexo edhe:
RRËFIMI NDRYSHE I BEKIM FEHMIUT MË 1970: EMRI I DJALIT, GRUAJA DHE “E DASHURA”
ObserverKult