Jean-Paul Sartre botoi për herë të parë studimin e tij të diskutueshëm “Baudelaire”
në vitin 1946. Studimi mori kritika të ashpra për publikimin e tij. Megjithatë, ai u përpoq të tregonte se Baudelaire në mënyrë spontane, arbitrare dhe lirshëm zgjodhi fatin e tij, thelbin e tij. Sartre tha: “…zgjedhja e lirë që një njeri i bën vetes identifikohet plotësisht me atë që quhet fati i tij”.
Më poshtë mund ta lexoni një pjesë të shkëputur nga ky studim:
“Baudelaire”
“Në çdo kohë, tek çdo njeri rrinë dy postulate njikohësisht, njeni drejt Zotit, tjetri drejt Shejtanit. Të drejtuemit kah Zoti ose spiritualiteti asht nji dëshirë për t’u ngjitë ma nalt; ajo e Shejtanit ose shtazërisë asht gëzimi me ra ma poshtë.
Kshtu pra njeriu shfaqet si tendosje që vjen si rezultat i zbatimit të dy forcave të përkundërta; secila prej ktyne forcave perfundon në shkatërrimin e njerëzores, sepse njena synon engjëllin e tjetra kafshën. Kur Paskali shkruen se “njeriu s’asht as engjëll, as kafshë”, ai e koncepton si njifarë gjendje statike, si nji “natyrë” e ndërmjeme. Ktu s’kemi fare të bajmë me nji gja të tillë.
Njeriu i Baudelaire it nuk asht gjendje; ai asht mpleksja e dy lëvizjeve të përkundërta, por njilloj qendërikëse, prej të cilave njena të çon nalt e tjetra të tërhjek poshtë. Lëvizje pa shkak, shpërthime në dy forma të transcendencës që na mund t’i quejmë, simbas Jean Wahl-it (Zhan Val), transcendencë dhe transdescendencë.
Sepse kjo kafshëri e njeriut sikurse dhe engjëllorja e tij – duhet marrë në veshtrimin e fortë: ktu s’asht fjala vetëm për dobësinë tepër të famshme të mishit as edhe për gjithëpushtetshmëninë e instikteve të ultë. Baudelaire-i nuk kufizohet ta mbulojë me tablo ngjyrash nji predikim prej moralisti. Ai beson tek Magjia e “kandidatura drejt Shejtanit” i duket nji operacion magjistarie shum i afërt me atë që njerëzit primitivë të veshun me maska arijsh, tue vallzue vallen e ariut, “bahen vetë arij”. Bile ai asht shprehë shum qartë tek vepra Fishekzjarre.”
Micë, minushë, minuke, kotelja ime, ujku im, majmuni im i vogël, majmun i madh, gjarpën i madh, krriçi im melankolik.
Të tilla kariçio të fgjuhës fort të përsërituna, emërtime fort të shpeshta kafshësh dëshmojnë për nji anë satanike që ka dashunia. Shejtanët vetë a nuk kanë edhe ata trajta kafshësh? Deveja e Cazotte-it – deve, djall grue.
Përktheu nga origjinali: Primo Shllaku
Sartre, Jean-Paul, Baudelarie; përkth. Primo Shllaku; red. Lisandri Kola. – Tiranë; Fan Noli, 2018, fq. 24.
ObserverKult
Lexo edhe: