Kur lajmëronte gazeta e njohur: Ali Pasha është gjallë- u fsheh në Butrint

“Gazette de France” ka botuar, të shtunën e 20 prillit 1822, në ballinë, shkrimin e bujshëm të gazetës së Nurembergut që hidhte dyshime mbi vdekjen e Ali Pashë Tepelenës, që Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar:

Bavari.

Nuremberg, 13 prill


…Na shkruajnë përtej kufijve të Zvicrës: “Sipas disa letrave nga Barcelona, një i huaj i pasur ka mbërritur në Mahon (Port-Mahon, ishulli i Menorca-s) dhe ky i huaj i pasur, thuhet se është ish-pashai i Janinës, Aliu i famshëm. Ai ishte në bordin e një anije franceze dhe kishte dy gra dhe një shërbëtor me vete.

Bagazhet e tij përbëheshin nga dymbëdhjetë arka, me peshë shumë të konsiderueshme. (Kështu që ka të ngjarë, se ai mund të ketë lënë në vende të sigurta disa nga thesaret e tij, si në bregdet, apo në një nga ishujt e Greqisë. Thuhet se, ai duket se ka në plan të qëndrojë ca kohë në Mahon.)”

Ne do t’i shtojmë këtij lajmi, detajet që jepen për ikjen e pretenduar të të tmerrshmit, Ali Pasha. Kur e pa se po e humbte plotësisht pushtetin, ai u pajtua me ithtarët (mbështetësit) e tij, që ata të bënin sikur po e tradhtonin.

Ndërsa po negocionte me gjeneralët turq, ai bëri të gjitha përgatitjet e nevojshme për arratisje, hodhi pjesën më të madhe të thesareve në ujë, por u kujdes për të siguruar një milion ‘sequins’. Pastaj, ai u vesh si bari turk dhe priti rezultatin e negociatave. Ne e dimë sesi përfunduan dhe se, koka e tij duhej dorëzuar te turqit.

Ata e morën menjëherë; por në vend të kokës së Aliut, ishte ajo e një shqiptari të vjetër që kishte vdekur nga plagët dhe i kishin vënë një çallmë të çmuar. Asnjë nga gjeneralët turq, nuk e njihte Aliun fizikisht; kështu që u mashtruan lehtësisht dhe në përputhje me kapitullimin, ata u larguan nga vendi. 

Aliu shfrytëzoi këtë moment për të shpëtuar; ai arriti për fat të mirë, në Butrint (një qytet në Shqipërinë austriake, në kanalin e Korfuzit) dhe u fut atje, në një anije që pranoi ta priste. Askush nuk mund të mohojë vërtetësinë e kësaj historie, kur e kujton karakterin dinak të Ali Pashait.

(Korrespondenti i Nurembergut)

———————–

Lexo edhe:

Rrëfimet e atyre që ishin afër tij: Momentet e fundit të Ali Pashës, si e prenë në besë…

ObserverKult