Kur lindën perënditë- Paganizmi dhe besimet me në qendër natyrën

Njerëzit kanë vrarë mendjen për misteret e botës natyrore qysh nga koha e varreve prehistorike dhe rrathëve të gurtë, që vëzhgonin stinët dhe vallëzimin e Diellit dhe Hënës në qiej, dhe me kalimin e kohës, këto besime janë ruajtur prej feve të mëdha dhe kulteve të vogla.
Që nga fillimet e historisë së regjistruar, njerëzimi është përpjekur t’i japë kuptim madhështisë së tyre, duke nderuar trupa qiellorë dhe fenomene të botës natyrore, si perëndi. Në shumë fe të lashta, bota nisi atëherë kur perënditë sollën rregull në botë. Për babilonasit e lashtë, perënditë e parë ishin disa qenie si dragonj, me botën që lindi prej Tiamatit, dragoi i madh, një simbol i kaosit dhe shkatërrimit.

Besimi i lashtë grek nuk ishte ndryshe. Teogonia e Hesiodit e shkruajtur në vitin 700 para Krishtit, rrëfen historinë e fillimit të Kozmosit, kur perënditë vendosën dominimin e tyre mbi të gjitha gjërat në Tokë. Këtu lindi një racë perëndish të lashta: një mënyrë për të kuptuar funksionimin e cikleve natyrore të planetit, dhe mitret etiologjike lindën për të shpjeguar rolin dhe ekzistencën e tyre në jetë.

Në fillim ishte Kaosi, boshllëku pa gjini. Nga kjo qenie e lashtë lindën perënditë e pavdekshme: Gaia (Toka) dhe Tartari (Humnera e Thellë), Erosi (Dëshira), Erebusi (Errësira) dhe Niksi (Nata). Më tej, nga Gaia lindën Urani (Qielli), Ourea (Malet) dhe Pontusi (Deti). Një besim panteistik, Gaia shihet si personifikimi i vetë Tokës dhe fillimit të jetës në të. Përmes bashkimit me bijtë/të dashurit e saj, Uranin dhe Pontusin, ajo solli në jetë Titanët – si dhe gjigandët dhe perënditë e deteve.

Një dallim i qartë bëhet në mitologjinë greke mes perëndive të lashta, dhe atyre të Olimpit – brezi i tretë dhe i katërt i perëndive, bij të Kronosit (Kohës), titani më i ri në moshë që përmbysi babanë e tij, Uranin për të vendosur perënditë e Olimpit si sundimtarët e rinj hyjnorë. Gojëdhëna thoshte se edhe Kronosi, me kalimin e kohës do të përmbysej prej birit të tij, Zeusit.

Ashtu si shumë fe të lashta politeiste, ne shohim imazhin e një vale të re perëndish që zëvendësojnë një grup më të vjetër, dhe shumë studiues e shohin këtë si një shenjë të një kulture të re, apo një vale të re besimi që zëvendëson një fe më të vjetër brenda një rajoni, domethënë një zëvendësim kulturor i besimeve, rrëfyer prej historive të betejave kozmike dhe legjendave për fundin e kohës.

Feja e Greqisë së lashtë ishte komplekse, e formuar nga shumë tradita të ndryshme, e megjithatë përbëhej nga tre pjesë: adhurimi i hyjnive, heronjve dhe të vdekurve. Nuk kishte priftërinj zyrtarë, apo një tekst i përbashkët fetar që njerëzit ta ndiqnin, ceremonitë fetare kryheshin në nivel lokal, të mbikëqyrura prej familjeve me emër.

Ndërkohë që shumica e ceremonive kryheshin në altarë, me flijime kafshësh dhe dhurata në ushqime për perënditë, ndërkohë që thuheshin lutje e këndoheshin himne, disa nuk kishin tempuj të tillë.

Një prej kulteve më të paqartë dhe intrigues është ai i perëndeshës Niks, personifikim i natës. Tekstet thonë se për të flijoheshin dema të zinj, të cilëve u hidhej qumësht teksa digjeshin mbi zjarr. Një prej formave më të mirënjohura të adhurimit të kulteve në Greqinë e Lashtë ishin Misteret Eleusiniane, rite të përvitshme që i dedikoheshin perëndeshës së Bujqësisë, Demetra. Në legjendat e lidhura me të, natyra ciklike e vitit dhe stinët e tij shpjegohen përmes rrëmbimit të bijës së perëndeshës, Persefonit, në Botën e Nëndheshme – që është Dimri – dhe rikthimit të saj me mbërritjen e Pranverës. Kultet e heronjve ishin një pjesë e rëndësisihme e besimit në Greqinë e lashtë, që ngriheshin prej kulteve të paraardhësve, dhe përqëndroheshin në figura heronjsh që mendohej se ishin gjysmëhyjnore. Ky lloj adhurimi fokusohej në varret e heronjve, me rite ktonike që kryheshin për t’i nderuar, si flijime apo dhurim vere dhe drithërash. Besohej se ata u ofronin mbrojtje, atyre që jetonin pranë vendit ku preheshin.

Interpretatio graeca ishte një koncept, ku fetë dhe besimet e tjera krahasoheshin dhe viheshin përballë modeleve greke, me qëllim që të kuptoheshin më mirë. Shumë besime romake krahasoheshin me grekët, dhe shpesh perënditë çiftoheshin me homologet e tyre greke. Jupiteri romak dhe Zeusi grek ishin njësoj si perëndi të plotfuqishme të qiejve. Romakët ishin të famshëm për numrin e madh të hyjnive që adhuronin, si dhe për barazimin e perëndive të tyre, për qëllime të integrimit të popullsive indigjene gjatë krijimit të perandorisë së tyre.

Kishte një fokus të madh mbi metodat e duhura të praktikimit të lutjes dhe ritualeve në besimet e romakëve, pasi besohej se këto forconin rendin social. Praktika e hyjnizimit përmes ogureve ishte e zakonshme. Feja romake ishte thellësisht e ndërhurur me jetën normale të përditshme, dhe adhurimi shpesh ndodhte në një nivel shumë të ulët: shumica e familjeve adhuronin perënditë e tyre shtëpiake në një tempull familjar brenda shtëpisë.

Feja kelte zakonisht i referohet besimeve të njerëzve të Epokës së Hekurit dhe periudhave Romake në Britani, bashkë me fiset kelte të Galisë, kulturave të Hallstat dhe La Tene të shekullit 8 para Krishtit deri në fundin e shekullit 5. Lukani, një poet romak i shekullit të parë, pranon adhurimin prej tyre të një triade hyjnish, që përfshinte Taranisin, perëndinë e rrufeve, Esusin dhe Toutatisin. Besimi në perëndinë Kernunos duket se ka qenë i përhapur, megjithatë shumë perëndi të Epokës së Hekurit adhuroheshin në nivel lokal, dhe ishin specifikë për rajonin e tyre.

Shumica e gjërave që dimë për këto fe vjen prej arkeologjisë, si dhe prej shkrimtarëve klasikë, rrëfimet e të cilëve ishin të mbushura me propagandë kundër të huajve – asgjë në lidhje me fenë nuk është e regjistruar nga vetë keltët. Këto rrëfime flasin për një klasë speciale priftërore druidësh, të cilët kryenin rite hyjnizimi përmes fluturimit të zogjve dhe flijimit të kafshëve. Shumë më vonë, në Mesjetë, klerikët e krishterë uellsianë dhe irlandezë regjstruan legjenda të lashta dhe rrëfime epike, që u atribuoheshin keltëve. Megjithatë në këtë fazë ajo fe ishte shuar.

Materiali mbetet kontradiktor sot e kësaj dite, ku disa besojnë që atoi përmbajnë urtësi të lashtë e përcjellë përmes traditës gojore, ndërkohë që të tjerë thonë se edhe pse tërheqëse, janë thjesht fabrikime të murgjve shumë kohë më vonë.

Nordikët

Fillimisht një traditë e përcjellë gojarisht, pjesa më e madhe e gjërave që dimë për fenë e veriorëve vjen prej teksteve të lashta Norvegjeze dhe Islandeze – përfshirë Eddas dhe Sagas – që janë shkruajtur mes shekujve 8 dhe 14, por që përmbanin elementë të besimeve të mëhershme. Panteoni nordik përbëhej nga dy grupe perëndish, Esiri, që përfaqësonte forcat universale në kozmos dhe mbante larg kaosin – duke përfshirë perënditë Odin dhe Thor, dhe Vaniri – përfshirë Frejan dhe Freirin. Ndërsa ishin grupe që fillimisht luftonin mes tyre, me kalimin e kohës ata kuptuan se mund të bashkëjetonin dhe lidhën një marrëveshje. Ndryshe nga perënditë në disa fe të tjera politeiste, perënditë nordike nuk ishin të gjithëpushtetshëm, por të kufizuar prej fatit: Baldr, i shndërritshmi, vdes në një moment, për t’u rikthyer më pas në jetë pas Ragnarokut, betejës finale.

Të tjera raca shfaqen në mitologji, nga xhuxhët tek vaettirët – shpirtëra të tokës – e deri tek jötnarët apo gjigandët, paraardhësit dhe armiqtë e perëndive, por që mund të lidhen në martesë me ta.

Në praktikë, ndjekësit e kësaj tradite nuk udhëhiqeshin prej priftërnjve, por ritualet dhe adhurimi prireshin nga mbretër dhe krerë fisesh, dhe përfshinin flijime. / bota.al