Nëse emri Armine Harutyunyan nuk ju thotë asgjë, atëherë nuk jeni në dijeni të ngjarjeve të fundit nga bota e modës dhe showbizit. Rrjetet sociale po ziejnë së fundmi dhe po krijojnë polemika për një fenomen që nuk duhej të ekzistonte, por në fakt është mes nesh kudo – në ambientet e punës, në shoqëri, në shkolla e jo rrallëherë edhe në familje. Po flasim për bulizmin. Nëse nuk e keni përjetuar të paktën një herë, quajeni veten me fat!
Të gjithë mund të jemi viktima të bulizmit, por sidomos ata që në një mënyrë apo në një tjetër kthehen në personazhe publikë – këta kurrsesi s’mund t’i shpëtojnë bulizmit kibernetik. Kësaj radhe “preja” ishte Armine Harutyunyan, një prej modeleve të reja të markës së luksit Gucci.
Armine është një modele 23-vjeçare me origjinë armene e zgjedhur nga Gucci për shfaqjet e modës në Javën e Modës në Milano, që prej shtatorit të kaluar dhe që u përfshi në listën e 100 grave më të bukura në botë. Kaq mjaftoi që “hatersat” digjitalë të hidheshin në sulm. Të gjithë të gatshëm për të gjykuar pamjen e Armines – që sipas tyre ishte shumë larg nga kriteret e bukurisë që “meritojnë” të shkelin në pasarelë.
Dikush e quante “të shëmtuar”, dikush “të papërshtatshme për botën e modës” e dikush tjetër u tregua gati për të nxitur kudo bullizëm duke krijuar meme.
A thua se ata që fshihen pas ekranit dhe e kanë kaq të thjeshtë të gjykojnë dikë nga pamja, janë perfektë?! E dyshojmë!
Ajo që është edhe më shumë për të ardhur keq, është fakti që media me emër mbështesin këtë valë bulizmi kundrejt një vajze që nuk po bën asgjë, veçse punën e saj. Kujt i prishi punë se Armine nuk është e bukur (që për më tepër, bukuria është relative)?!
Media Italiane Libero Quotidiano shkruan se “gjykimi bëhet legjitim dhe i domosdoshëm, për një modele që jeton me bukurinë e saj. Është si të shprehësh një mendim për aftësitë teknike të një futbollisti.”
Të shprehësh një mendim dhe të bullosh dikë janë dy gjëra të ndryshme. Të thuash “s’më pëlqen” dhe “është e shëmtuar”, janë sërish dy gjëra të ndryshme. Ndërkohë aftësia dhe pamja, përsëri s’janë e njëjta gjë. Përmendim këtu faktin që Gucci thotë se Armine është një nga 10 modelet më të mira.
“…në sytë tanë të përulur, Armine duket e shëmtuar. Shumë e shëmtuar. Dhe ne kemi të drejtën ta mendojmë dhe ta themi këtë gjë. Kjo nuk do të thotë që ajo nuk mund të jetë një njeri i shkëlqyer, shumë inteligjente dhe mbase një profesioniste e mirë në modelim. Por, për tiparet e saj, që nuk na kujtojnë saktësisht Venerën e Botticelli-t, do të kishim preferuar një milion gra të tjera si përfaqësuese të Gucci-t,” –e mbyll shkrimin Libero Quotidiano, në përpjekje për të mbrojtur bullistët kibernetikë që shpërthyen të nxitur edhe nga mbështetja që gjetën.
Në fakt, askush nuk ka lirinë të cënojë të drejtën e tjetrit! Madje, as në rrjetet sociale, ku supozohet që ke gjithë të drejtën e botës të shprehësh mendimin tënd, nuk lejohet bulizmi.
Megjithatë bulizmi është një ndër problematikat e shekullit, që nuk mund të zgjidhet aq kollaj, mbi të gjitha kur mediat i japin zë.
Ndërkohë që mediat, rrjetet sociale dhe “kritikët e internetit” ziejnë nga komentet, as Gucci e as Armine nuk kanë reaguar.
Por, në fund të ditës, edhe kjo polemikë e ka një anë të mirë – marketingun!