“Kur nëna shkonte herët në punë- Gruaja në ish-Gjermaninë Lindore” titullohej dokumentari që u shfaq në Tiranë në “Europe House” në kuadër të Ditëve të Kujtesës me praninë e Peter Zingraf, ambasador i Republikës Federale Gjermane.
Tematika e dokumentarit ishte mjaft e prekshme edhe për publikun shqiptar, pasi problemet e gruas duket se kanë qenë të ngjashme në të gjitha vendet ish-komuniste të Bllokut Lindor.
Kur jeta në Republikën Demokratike Gjermane (RDGJ) u vlerësua pas vitit 1989, situata e grave ishte një nga aspektet e vlerësuara pozitivisht të jetës në diktaturë, në ndryshim nga shumë fusha të tjera. Barazia e grave shpesh paraqitej si një shembull kryesor i politikës së suksesshme të grave.
Por si jetonin në të vërtetë gratë në RDGJ?
Dokumentari merr përsipër t’u përgjigjet pyetjes: A ishin vërtet të barabarta – apo kjo ishte thjesht në letër? Një punë, një fëmijë, një familje, një partneritet plotësues, vetërealizim… Edhe në RDGJ këto ishin detyra dhe kërkesa që gratë duhej t’i bënin çdo ditë, si kudo në botë.
Freya dhe Nadja Klier pyetën gra nga breza të ndryshëm të RDGJ, nga qytete dhe fshatra për kujtimet e tyre. Ata përdorën materiale origjinale nga televizioni dhe kërkuan vlerësime nga ekspertë, të tillë si Prof. Dr. Hildegard Maria Nickel nga Universiteti Humboldt në Berlin. Rezultati është një dokumentar i diferencuar që ofron njohuri personale për jetën e një gruaje në RDGJ.
Pas dokumentarit që zgjat 40 minuta pati edhe një diskutim mbi gruan gjatë diktaturës ku në panel ishin të pranishme Anna Kaminsky, drejtore e “Bundesstiftung zur Aufarbeitung”, deputetja dhe shkrimtarja Flutura Açka si dhe Nevila Nika, historiane, Universiteti Europian i Tiranës.
Diskutimi u moderua nga Elsa Ballauri, aktiviste e të drejtave të njeriut, drejtore e “Muzeut të Gruas”./ATSH
Lexo edhe: