Nga Fridrih Niçe
Çdo libër i mirë, kur shfaqet, ka shije të athët: ka mossuksesin e risisë.
Për më tepër, të qenit gjallë të autorit e dëmton atë, nëse ai është njeri i shquar dhe zbulohen shumë gjëra për të: pasi çdonjëri është i detyruar ta shkëmbejë autorin me veprën e tij. Ajo çfarë në të vërtetë libri përmban në vetvete mençuri, ëmbëlsi dhe shkëlqim të praruar, mund të zhvillohet vetëm me kalimin e viteve, me kujdesin e një përnderimi, i cili rritet, moshohet dhe në fund shuhet. Mbi të duhet të kalojnë shumë orë, merimanga të shumta duhet të thurin rrjetat mbi të. Lexuesit e mirë e bëjnë një libër gjithnjë e më të mirë, ndërsa kundërshtarët e mirë e bëjnë të njohur.
Çdo libër i mirë është shkruar për një lexues të caktuar dhe llojin e tij, pikërisht për këtë arsye konsiderohet i dobët nga pjesa tjetër e lexuesve, shumica dërrmuese: për të cilin fama e tij qëndron mbi një bazë të kufizuar dhe mund të ndërtohet vetëm ngadalë. Libri mediokër dhe i keq, është i tillë pikërisht sepse kërkon t’i pëlqejë, madje i pëlqen, shumicës.
Këto dhjetë rregulla, Niçe i parashtroi në një seri letrash, mes 8 dhe 24 gushtit të vitit 1882, dërguar Lou Andreas-Salomé:
1-Si nevojë e parë e jetës, stili i një autori duhet të jetë i gjallë;
2-Stili duhet t’i përshtatet tipit të personit të cilit i drejtohet vepra;
3-Shkrimi është imitim i pastër: para se të nxjerrë jashtë çfarëdo qoftë, shkrimtari duhet ta ketë fare të qartë çka dëshiron të komunikojë dhe si dëshiron ta paraqesë;
4-Shkrimtari duhet ta mbajë prore në mendje një model shprehjeje, një lloj nevoje personale që duhet të shndërrohet në fjalë të shkruar për ta kuptuar plotësisht domethënien e saj;
5-Pasuria e fshehur në hollësi është çelësi: shkrimtari duhet të mësojë ta kapë dhe ta perceptojë çdo gjë: nga frazat e gjata dhe të tepërta te pikësimi, zgjedhja e fjalëve të caktuara, pauzave dhe sekuencave të argumentimeve;
6-Bëj kujdes me periudhat tepër të gjata: vetëm ata që ia dalin ta mbajnë frymën gjatë mund t’i durojnë. Pjesa më e madhe e njerëzve ka nevojë për fraza të thata dhe të shkurtra;
7-Të kesh stil do të thotë të dëshmosh se i beson një ideje, ta ndiesh e jo vetëm ta mendosh;
8-Sa më shumë që është abstrakte një e vërtetë të cilën dëshiron ta bësh të kapet, aq më shumë do të kesh nevojë t’i bindësh dëgjuesit e tu ta perceptojnë kuptimin e idesë tënde;
9-Strategjia e një shkrimtari të zot në prozë konsiston në afrimin kah stili poetik në kompozimet e tij pa u shërbyer me të kurrë në të vërtetë;
10-Është një sjellje e edukuar dhe me mend t’i lejosh lexuesit të bëjë vërejtje dhe ta zhvillojë një gjykim të vetin përkitazi me atë që është shkruar nga autori; është gjithmonë më mirë t’ia lësh lexuesit mundësinë ta zbulojë që nga konsiston kuintesenca e urtësisë njerëzore./konica.al
ObserverKult
Lexo edhe:
GRATË OSE TA DHUROJNË ZEMRËN, OSE TË ZHDUKIN NGA JETA E TYRE…